Qeveria e gëzuar nga sukseset qe solli prishja e motit

7 Janar 2017, 19:17Antena TEMA

Qeveria thirri një mbledhje urgjente për parashikimin e gabuar të motit dhe pasojat e tij.

Mbledhja u hap nga kryeministri Rama, i cili në fjalën e tij parashtroi problemet e shkaktuara nga parashikimi i gabuar i motit.

Ai tha se për shkak të papërgjegjshmërisë së atyre që parashikojnë motin, qeveria kishte mbyllur kopshtet dhe shkollat për dhjetë ditë, dhe kishte shkaktuar humbje të mëdha financiare, ndërkohë që në Tiranë ishte diell.

-Për këtë, tha ai, duhet të diskutojmë dhe të dalë përgjegjësia.

Pas tij u ngrit ministri i Brendshëm, i cili theksoi se pavarësisht mashtrimit, policia ka bërë një punë të mire, pasi ka dalë në terren dhe ka bërë stërvitje në rast të një moti të keq.

-Tani jemi të përgatitur për çdo të keqe, tha ai.

-Në këtë aspekt nuk mendoj se parashikimi i keq i motit ka shkaktuar probleme tek policia. Disa aventurierë të hashashit, që menduan se do na kalonin për shkak të dëborës, i kapëm, ndërsa 100 përqind e shoferëve vendosën rripin nga frika se rrëshqasin.

Nga ana tjetër, është java me më pak ngjarje kriminale, vijoi ai.

Pas tij u ngrit ministri Gjiknuri.

-Edhe ne si Ministri nuk kemi humbje, tha. Me këtë rast rregulluam disa shtylla që ishin thuajse të rrëzuara, riparuam disa linja dhe bëmë një test për gatishmëri të elektricistëve. Arritëm të kthejmë dhe nostalgjinë në vatrat shqiptare për Dedën, pasi një elektricist për pak ngriu si Deda në shtyllë.

-Edhe unë nuk mendoj se kemi humbje, tha Arben Ahmetaj. Ritmi i rritjes së konsumit në raport me vlerën absolute të shtimit të konsumit për të njëjtën periudhë të vitit shkuar është rritur. Megjithëse duket sikur kemi humbje nga ditët pushim, shumë njerëz i përdorën këto pushime për të prishur më shumë para, dolën në restorante dhe shëtitën me fëmijët në qendrat tregtare. Mendoj se qarkullimi është rritur.

-Unë kam një statistikë dhe më optimiste, tha Beqaj. Është java me më pak të sëmurë nga gripi gjatë gjithë vitit. Fakti që ne i trembëm duke i paralajmëruar, ka bërë punën e vet, dhe raportimet për rastet e gripit janë të vogla. Nga ana tjetër kemi marrë mijëra falenderime nga nxënës dhe prindër të tyre, për ditët pushim.

-Edhe unë nuk mendoj se është bërë ndonjë dëm i madh, tha ministrja Nikolla. Nxënësit dhe ashtu, kot shkonin në shkollë këtë javë, se mësuesve nuk u ka dalë ende rakia.

E vetmja gjë e padrejtë është, që në vend që ministrja e Arsimit, të jetë njeriu më i dashur për nxënësit, është zëvendësuar me ministrin e Shëndetësisë. Ai tani është figura më popullore në shkolla.

-Edhe unë mendoj se kemi sukese, tha Ter Koka. Askush nuk ka guxuar të dalë nga shtëpia për gjueti, apo për të prerë dru, nga frika e motit të keq. Është java me më pak krime ndaj mjedisit.

-Unë jam i surprizuar, tha ministri i Transporteve, se si këtë javë për herë të parë gjendja e rrugëve është e mirë dhe kompanitë mirëmbajtëse kanë dalë në punë. Ka qenë problem i madh t’i nxirrje ato në punë. Alarmi i qeverisë ka bërë punën e vet.

-E kuptova, tha kryeministri. D.m.th këtu shkojnë punët mbarë kur u fut ministrat të dridhen nga qeveria, jo kur dridhen nga të ftohtit.

Tani ruhuni se papritur mund të prishet koha vërtetë dhe do na turpëroni. Kështu në stërvitje jeni mirë.

1 komente në “Qeveria e gëzuar nga sukseset qe solli prishja e motit”

  1. Hitch Pharre says:

    Dhe te gjitha keto i trasmeton me dinjitet gazetaresk F . Ç..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje