Pas deklaratës së Doktorit me rastin e fillimit të Vitit të RI, Luli i shkruajti një mesazh të gjatë Doktorit, për ta përshëndetur dhe për t’i treguar arsyet përse ishte ndjerë në pushtet këto katër vite dhe nuk i kishte ndjerë fare opozitën.
“I dashur Doktor.
E lexova postimin tuaj. Duke e lexuar po mendoja me vete se sa shpejt ikën katër vjet dhe mua më duket sikur jam zgjedhur një muaj më parë në krye të PD.
E gjithë kjo po mendoj ka ardhur nga fakti se barrën kryesore të opozitës e ke mbajtur ti dhe nuk na ke lënë ne të mundohemi.
Ndjesia që katër vite ikën pa u ndjerë vjen nga fakti se ne kemi qenë natë e ditë në punë, duke të dëgjuar ty dhe nuk e ndjemë asnjë herë që nuk ishim në pushtet.
Kur ti flisje në Kuvend, ata strukeshin dhe ne ndjeheshim të fortë.
Kur ti flisje në Kuvend, Ilir Meta qeshte dhe ne ndjeheshim të lumtur për këtë se na dukej sikur na buzëqeshte për 2017.
Kur ti flisje në Kuvend, Edi Rama linte gjithë punët dhe të dëgjonte dhe ne krenoheshim për këtë.
Pastaj erdhi “qytetari yt digital”. Kur ti shkruaje Shqipëria mbante frymën dhe brinjët me ato që lexonte dhe ne na dukej se vazhdonim ta udhëhiqnim këtë popull. Kur ti denoncoje, gjithë Shqipëria fliste për ty dhe ky ishte pushteti ynë i pamposhtur mbi shqiptarët.
Pastaj erdhi Karmina si bekim. Shqiptarët njohën dhe anën tjetër të Familjes suaj, bamirësinë, modën dhe të qenit blogere e famshme. Kurrë nuk kishte ndodhur në historinë e një vendi, që hotelet me 5 dhe 7 yje, të ftonin një modele dhe t’i bënin shishe të personalizuar vere, vetëm nga një shënim i saj për Merlynin. Kur nuk kishte ndodhur që një vjehrrë të pranonte kërkesën e nuses që një fëmijë të rrahur nga një militante e PD ta shëronte pa lekë. Shiko socialistët se çfarë bëjnë me viktimat e tyre, të gjithë I shërojnë me lek. Por ajo që e bëri të gjithëve krenarë ishte mënyra se si Zeni zgjidhi sherrin mes nuses së vjetër dhe nuses së re për kalin, duke ia lënë origjinalin të vjetrës dhe duke i blerë një kalë floriri të resë. Kjo i kënaqte shijet e të dyjave.
Të gjitha këto ngjarje na bënë që katër vjet të na dukeshin si katër ditë dhe tani na vjen keq që duhet të shkojmë në zgjedhje. Do të desha që kjo ëndërr të zgjaste pafundësisht, të provonim ndjesinë e këtij pushteti që na jep ideja që ti vazhdon të udhëheqësh.
Ndaj i dashur Doktor do të kisha dëshirë që pavarësisht se çfarë ndodh në zgjedhje, kjo ëndërr të vazhdojë.
Nga ana tjetër për katër vite unë nuk mbaj mend asnjë ngjarje të shënuar nga qeveria. Ata nuk na kanë vënë dot në provë për asgjë. Nuk na kanë detyruar dot të bëjmë sulme mbi kryeministri, biles dhe një vrimë që hapëm në një bunker e kanë ruajtur në muze.
Nuk na kanë detyruar dot të vritemi para Kryeministrisë, nuk na kanë detyruar të bëjmë grusht shteti dhe mbi të gjitha nuk na kanë detyruar dot të ndahemi nga Bujar Nishani. Për katër vjet rresht ata nuk më kanë ndalur dot të ik çdo fundjavë në Hollandë dhe të kthehem ëdo të hënë në punë. Ata nuk na kanë prekur dot asnjë lek, asnjë biznes, asnjë njeri tonin në poste të rëndësihme, asnjë gjyqtar, asnjë prokuror, asgjë.
Ky bilanc është merita juaj e padiskutueshme. Pa ju sot ne nuk do të kishim se çfarë tu thoshim shqiptarëve në vitin tonë të katërt në opozitë. Tani u themi me plot gojën të korrijgojnë gabimin që bënë duke menduar se do të zhduknin ty. Sa të durojnë edhe Ramën edhe ty, më mirë vetëm ty, se Rama nuk bën zhurmë”.