Jari shpjegon suksesin e takimit me Erdoganin

23 Dhjetor 2016, 20:19Antena TEMA

Vizita e Jarit në Turqi dhe takimi me presidentin Erdogan kanë kaluar pa shumë vëmendje në shtypin shqiptar.

Për këtë arsye, Jari vendosi të bëjë një shpjegim publik për suksesin e kësaj vizite:

“Të dashur miq!

Sapo kam përfunduar një vizitë historike në Turqi dhe një takim të jashtëzakonshëm me presidentin Erdogan. Ai njeri më hyri në zemër qysh në momentet e para që e takova.

Kur doli të më priste dhe unë nuk ecja dot, se ai e ka hapin e gjatë dhe është i shëndetshëm, ai u përkujdes për mua, ndaloi, më mori për krahu dhe vazhduam të ecim në të njëjtin hap.

Ky gjest fisnik më ngrohu shpirtin dhe më rizgjoi ndjenjat e mia të forta për popullin vëlla turk.

Pastaj u ulëm dhe duke pirë çaj, ai më tha se “kur të shikoj ty, më duket sikur shikoj një vëlla turk. Më ngjan shumë me pararrdhësin tim në Presidencë,  por me mustaqe më ngjaje dhe atë qenin  e urryer Al Bashar të Sirisë. Ke bërë mirë që i ke hequr mustaqet”.

U preka shumë nga mirësia e tij dhe vendosa t’i hapem.

-Zoti president, i thashë. Unë me origjinë nga këto anë jam. Të parët e mi kanë ardhë nga Alepo në Shqipëri, pasi ish- guvernatori i Sirisë ishte nga Libohova.

Kur iku, se u bë Shqipëria, ai na mori nja 20 familje siriane dhe u vendosëm në Libohovë. Është një fshat në jug të Shqipërisë.

-Marshallah, tha Erdogani. E dija që ishe vëlla gjaku, po nuk e dija që të kisha kaq afër. Paske shpëtuar, se shiko ç’bëhet tani në Alepo.

Pastaj dolëm në konferencë për shtyp dhe një gazetarja e TVSH, sikur ta dinte çfarë kishim biseduar brenda, bëri të njëjtën gjë.

-Gjyshi im ka luftuar në Canak Kala, i tha ajo, dhe është dëshmor i Turqisë.

-Rahmet i pastë shpirti, tha Erdogani, dhe duartrokiti.

Gazetarët e tjerë në konferencë për shtyp, e shikonin gjithë zili gazetaren shqiptare dhe filluan të pyesin çfarë tha që e duartrokiti presidenti. Ata të gjithë ëndërronin vetëm t’u buzëqeshë dhe jo më t’i përshëndesë me duartrokitje.

Kur e morën vesh të vërtetën, u çuditën shumë. Ne jemi qindra gazetarë këtu e s’na ka goditur të jemi familje dëshmori, tha njëri. Vjen një vajzë nga Shqipëria dhe del që na ka çliruar Turqinë. Fat i madh.

Në fund presidenti do ndahej nga ne dhe më tërhoqi mënjanë. Më hodhi dorën në sup dhe më tha: Shikomë në sy. Nuk do të harroj kurrë si president i Shqipërisë. Unë kam takuar dhe presidentë të tjerë të atij vendi, edhe kryeministra, por asnjë nuk më ka lënë mbresa si ty. Presidentët e tjerë të Shqipërisë apo kryeministrat, sa herë i takoj, më flasin për ca qafira, jo për Skënderbeun, jo për Ali Pashë Tepelenën, jo për Sami Frashërin e Hoxhë Tasinin, pra për shqiptarë që kanë qenë në Turqi dhe ja kanë futur Turqisë. I vetmi je ti dhe delegacioni jot që po më dëshmoni se jeni turq krenarë, biles dhe familje dëshmorësh. Këtë nuk do ta harroj kurrë.

U larguam nga Turiqa me mbresa të pashlyeshme. Mua më kanë vënë me vete dhe bakllava dhe dhurata të tjera për Vit të Ri, ndërsa gazetares si familje dëshmori dhe hurma arabike. Jam shumë i gëzuar dhe krenar për këtë vizitë”.

1 komente në “Jari shpjegon suksesin e takimit me Erdoganin”

  1. Ilir says:

    Kancer familjarisht

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje