Nard Ndoka ka qenë së fundmi pjesëtar i një spektakli televiziv “Dance with Stars” dhe ka pas partnere të tij Greta Koçin. Në një intervistë të tij për shtypin, Nardi i njohur për situata humori ka treguar se “Si e mbaja në ajër Greta Koçin”.
Një gazetë kishte botuar intervistën duke shkruar: “Noka: Si e mbaja në ajër Greta Koçin”.
Shumica e shqiptarëve i lexojnë titujt e gazetave në mëngjes në televizor. Kështu i ndodhi dhe Flamurit. Ishte duke u rruar në banjë kur dëgjoi titullin e lexuar nga Bashkimi në mëngjes me gabimin e shtypit. Sapo e dëgjoi i ra makina e rrojës nga duart, ndërsa gruaja mbriti tek dera e banjës.
-Çfarë është kjo që ka dalë,- i tha?
-Ku di unë tha Flamuri. Nuk kam dhënë intervistë, do ta kenë sajuar. Ç’punë kam unë të jap intervistë për Gretën.
Sherri degjeneroi më tej dhe u anuluan planet për fundjavën.
Flamuri i mërzitur mbyllet brenda dhe priste ti telefonin njerëzit. Kaluan orë dhe asnjë telefon.
-Pikë e zezë tha me vete. Vetëm unë qenkam tronditur, askush s’ma paska marrë për ters.
Pastaj filloi të bëjë disa telefonata për të testuar situatën.
I telefonoi në fillim Strazos.
E pyeti çfarë ka ndonjë gjë?
-Asgjë i tha Strazo. Jemi keq shumë. Na ka lënë në ajër ky Luli nuk na jep drejtim.
Flamuri u gëlltit, pasi mendoi, se Srazo ja tha me takt.
-Qartë qartë i tha Strazos dhe i mbylli telefonin. Mori Aldon si njeri më korrekt.
-Urime për Krishtilindjet i tha. Ça po ndodh ndonjë gjë?
-Asgjë i tha Aldua, jemi as në qiell as në tokë. Disa thonë do hyjmë në zgjedhje, disa thonë nuk do hyjmë në zgjedhje. Luli thotë, edhe do hymë, edhe nuk do hymë. Nuk e di po jemi në ajër.
Edhe ky e paska lexuar,- tha Flamuri me vete.
Vendosi të testojë Ed Palokën.
E uroi dhe atë për Krishtilindjet dhe e pyeti çfarë ka ndonjë zhvillim për këto ditë që janë pushim.
-Nuk e di do jem në ajër,- i tha Paloka, pasi do ik në Itali pas pak. Të them kur të jem në tokë.
-Punë dreqi tha Flamuri. E ditkan të gjithë dhe nuk ma thonë dot troç.
Më në fund vendosi të pyesë Genc Rulin i cili është tip më liberal. Këtij vendosi t’ia thotë drejtpërdrejt:
-Ore i ke lexuar gazetat i tha se ti merr vesh nga shtypi. Ca thonë ndonjë gjë sot.
-Po ca të thonë biro, ja thonë që opozita fluturon me presh në b…
-E ke fjalën për atë shkrimin që thotë Noka mban në ajër Greta Koçin,- i tha Flamuri me takt?
-Jo nuk e kam për atë, tha Ruli, se ai është lajm pozitiv, dhe është fjala për Nard Ndokën që mban në ajër Gretën, nuk është për ty. Po të ishte për ty, do shkruhej “Noka hedh në erë Gretën”, se do ishte fundi i saj.