Fillon punën skaneri për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve (nën monitorimin e gjermanëve)

21 Janar 2017, 17:28Politika TEMA

Gjermania angazhohet në procesin për spastrimin e drejtësisë shqiptare nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe të inkriminuar.

Skaneri për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve po përgatitet me kujdes të fillojë punën. Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe një ndër  protagonistët e rrugëtimit të vështirë të miratimit verën e kaluar në Parlament të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, deklaroi se “përfundoi procesi i shprehjes së interesit nga gjyqtarë dhe prokurorë të vendeve të BE-së  dhe nga SHBA për të qënë anëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, (ONM), strukturës ndërkombëtare që do të mbikqyrë zbatimin e vettingut.

Ndërkombëtarët – garanci për zbatimin rigoroz të ligjit të vettingut.

Në fillim të javës së ardhshme, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbërrin në Tiranë për të filluar aktivitetin e tij. Kjo do të thotë që do të fillojë procesi për përzgjidhjen e kandidatëve për 25 anëtarët e dy institucioneve të vettingut: Komisioni i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit, proces që do të monitorohet hap pas hapi nga ndërkombëtarët. Ata janë garancia dhe shpresa e madhe e qytetarëve të Shqipërisë që ligjet do të zbatohen në mënyrë rigoroze dhe për pasojë korrupsioni në drejtësi do të fillojë të ҫmontohet. Përvoja e më shumë se dy dekadave ka treguar që ligjet në Shqipëri, në rastin më të mirë, janë zbatuar ose në mënyrë të pjesëshme ose gabim, në rastin më të keq nuk janë zbatuar fare. Realitetin me të cilin përballet qytetari i thjeshtë e ilustron  më së miri shprehja popullore: “Në Shqipëri ka ligj, por ka edhe Maliq”, duke nënkuptuar me emrin “Maliq” individin e pushtetshëm mbi ligjin dhe pandëshkueshmërinë e betonuar deri tani të politikanëve të përfolur për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm. Po a do të zbatohen ligjet që parashikon vettingu njëlloj për të gjithë? Shqetësimi për këtë nuk mungon.

Shqetësimet nuk mungojnë

“Shohim me shqetësim disa përpjekje në sistemin aktual të drejtësisë në prokurori dhe gjykata për ta deformuar frymën e detyrimit që parashikon kushtetuta dhe ligjet e reja në këtë fazë të procesit të vettingut. Jemi të angazhuar të mbështesim çdo përpjekje pozitive në këtë proces, por edhe të përgatitur që të ndëshkojmë sot dhe nesër çdo përpjekje për zbatimin e keq të ligjit” – paralajmëron kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që do të monitorojë zbatimin e ligjit të vettingut drejtohet nga Komisioni Europian dhe përfshin vendet anëtare të BE-së dhe ato partnere në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të bashkëpunimit euro-atlantik. Ai do të drejtohet nga Genoveva Ruiz-Calavera, drejtore në Komisionin Europian (KE)  për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit, me përvoja  më se 25-vjeçare ne KE dhe në rajon, ku ndër të tjera ka marrë pjesë në Task Force të KE për rindërtimin e Kosovës. Sipas kompetencave që i jep ligji Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të jetë i pranishëm në çdo hap të hetimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve pasi gëzon të drejtën të “hetojë dhe vlerësojë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëvë”.

100 ditë për fillimin e revolucionit në drejtësi.

Sipas afateve ligjore, brenda 30 ditëve, që nga 20 janari 2017,   Presidenti i Republikës do të hartojë  listën e aplikantëve që plotësojnë kriteret formale për të marrë pjesë në organet e vettingut dhe listën e atyre që nuk plotësojnë kriteret formale. Ai do të mbikëqyret nga vëzhguesit ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Më pas ONM-ja  do të hartojë listën e vet me ata që plotësojnë ose jo kriteret , e cila mund të jetë e ndryshme nga ajo e Presidentit. Në ditët e para të pranverës së sivjetme do të jetë Parlamenti që do të votojë zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve me përbërje të barabartë maxhorancë – opozitë, komisione që kanë për detyrë të verifikojnë dhe të përzgjedhin me një sistem elektronik anëtarët e organeve të vettingut, që do të votohen “si grup” në Parlament. Gjithë procesi parashikohet të zgjasë 100 ditë, afat që mund të respektohet, nëse shmangen bojkote të opozitës apo angazhime të  fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi është kushti themelor nga BE-ja që të hapë me Shqipërinë  negociatat e anëtarësimit. Ajo që pritet me padurim dhe shpresë është një revolucion në sistemin e korruptuar deri në palcë të drejtësisë aktuale, një revolucion nga ku duhet të dalë një gjyqësor i pavarur që të bëjë drejtësi në një vend si Shqipëria ku politikanë të lartë kanë mbyllur ndjekjen e tyre penale për aferra korruptive për procedurë apo çështje teknike duke korruptuar gjykatës dhe prokurorë dhe duke mos u shpallur as fajtorë, as të pafajshëm.

9 komente në “Fillon punën skaneri për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve (nën monitorimin e gjermanëve)”

  1. Ku ka skaner qe ti skanoj keta hajdut e kriminel. Skaneri me i mire eshte populli qe i njeh se kush jane sekretaret e partis dhe sigurimsat qe na hiqen per demokrat dhe vazhdojne te pasurohen dhe te shkatrrojn qe nga vendi dhe mendjet e popullit.

    1. albaniafirst says:

      Ke thene nje te vertete aq te madhe sa edhe te hidhur

  2. VonBurri says:

    Pike se pari: asnje nga anetaret ne menye kategorike nuk duhet te quhet Maliq. Se dyti, nese s’e ke bere ende, shko laje by… me uje te ngrohte shoku Sali, se kur e ndan mendjen Gjermani te te hyje, nuk ka vrime a kerrsh ku te fshihesh

  3. Bushi says:

    Me falni,por une akoma jame pesimist,se,Saliu me bashibozuket e tij,vjedhjet galopante te tyre,eshte e veshtire te zbulohen.Ai qe ka bere shtemen i ka vene dhe veshin.Parat e bandes se Sali Berishes kane shkuar deri ne Malajzi,Filipine e Indonezi.Prandaj edhe ONM-ja nuk mund te na nxier ndonje gje.Saliu dhe Basha po mbajne shprese te Presidenti Trump,te behet avukot mbrojtes nepermjet PODESTES.

  4. loreta says:

    Po ajo shifra e barabarte pozite-opozite; po sikur opozita te caktoje Flamurin, Fatmirin M. , Ristanin si do i behet se ata jane vete kriminele dhe hajdute? Pastaj 30 dite i do presidenti, 100 dite i do parlamenti….po sikur Saliu psh ëëë per 100 dite te semuret rende e te shkoje diku, si do i behet, do gjykohet ne mungese? Kaq kisha une per sot.

  5. patrioti says:

    O popull koqe. Pse nga keto qe bene drejtesine ne kosove do prisni ju. Per cfar drejtesie ka atje ku presidenti Thaci eshte me keq se Berisha. Ku asnje politikan kosovar nuk eshte denuar. PO ju si popull cfar do beni apo do piqni Misra dhe geshtenja. Kur nje byth deputeti Peza per tre vjet ka bere 1m dollar dhe nje pjese vazhdojne ta mbrojne dhe asnje pjese e electoratit te protestoje.

  6. Shoku " Shpati " says:

    Do digjet aparati kur te testoje prokuroret dhe gjykatesit e Fierit !

  7. sapa says:

    E kam te veshtire ta besoj se do denohet ndonje.Jane aq te zgjuar sa qe cdo gje e kane planifikuar si mund te mbrohen dhe sidomos kur eshte nje shumice kaq e madhe e korruptuar behen si nje trup i vetem.

  8. Uns says:

    Tja fillojmë me arrestimin e Meros alias tfgs1

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje