Luftëtari-Partizani luhet të shtunën

23 Janar 2017, 17:05Sport TEMA

Do të luhet të shtunën në orën 14:00 sfida mes Luftëtarit dhe Partizanit për javën e parë të fazës së tretë. Institucioni i futbollit ka vendosur ta afrojë me 24 orë ndeshjen e vetme të javës që do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, pasi fillimisht ishte caktuar të luhej të dielën.

Për këtë transfertë trajneri i të kuqve, Sulejman Starova nuk do të ketë të gatshëm për arsye pezullimi dy elementë të rëndësishëm të formacionit titullar, sulmesin Ekuban dhe mesfushorin Lorenc Trashi. Nuk ishte i pranishëm gjatë përgatijeve të kësaj të Hënë në Peze Helmës Idriz Batha për shkak të një shqetësimi në këmbën e djathtë, gjithsesi stafi mjekësor ka konfirmuar se mesfushori energjik pritet t’i bashkohet grupit në seancat e radhës.

Vazhdon stërvitjen e diferencuar me përgatitësin atletik Xhevahir Sukaj, që është ende shumë larg formës së tij më të mirë fizike, pas qëndrimin për një kohë të gjatë jashtë fushave të lojës për arsye dëmtimi. Në kampin e kuq janë optimistë për afrimin më të fundit të merkatos, Marko Cetkovic, cilësitë e të cilit në kampionatin shqiptar janë konfirmuar që kur luante me Lacin. Boniface gjithashtu po punon me ritëm të plotë për të arritur formën e grupit, por vështirë se mund të luajë titullar ndaj Luftëtarit. Në fakt, blerja më e madhe e Partizanit konsiderohet rikthimi pas thuajse një viti i Mentor Mazrekajt, i cili dha shenja mjaft pozitive në miqësoren me Qabalan në Antalia. Starova në momentin e kthimit nga Turqia deklaroi se 27-vjecari është kandidat për të luajtur nga minuta e parë. Gjithsesi, në varësi të formës që do të shfaqin futbollistët në stërvitje trajneri i të kuqve do të vendosë për 11-shen titullarë ndaj gjirokastritëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje