Nga Doc.Dr. Vasil Kureta
Presidenti i ri i SHBA Donald Trump, në fjalën e tij inaguruese, nënvizoi fort tezën „America First“, duke e shoqëruar me disa ide, që të linte të mendoje, se çfarë kuptonte me të dhe deri ku shtrihet ajo. Tash pritet të shohim një zhvillim e konkretizim të kësaj teze, si në politikën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme, për të kuptuar thelbin dhe obiektivat konkretë të administratës Trump, sidomos sa i përket rolit global të SHBA në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, marrëdhënien e re brenda perëndimit apo marrëdhënien me BE, por dhe me aktorët e tjerë të rëndësishem globalë. Ajo që mund të thuhet tash, është se pritet të hapet një zhvillim i ri në rendin boëror, që mund të sjellë fundin e rendit botëror liberal, të formësuar pas rëzimit të komunizmit, deri më sot. Megjithatë, duhet të presim, në se jemi vërtet përpara një doktrine të re, të përpunuar hollësisht apo jemi përballë një skicë ideje, që pritet të zhvillohet dhe plotësohet në vijim.
Megjithatë, pritet që përmbajtja e „nacionalizmit amerikan“ të marrë fizionominë e tij të plotë, për të bërë të mundur një analizë më të plotë dhe të gjithanëshme. Historia ka brenda saj shumë mësime nga përmbajtja e formave të nacionalizmit, që vë interesat nacionale të parat në çdo gjë, në vendimmarjet e politikës së brendshme dhe të jashtme. Pikërisht për këtë arësye, se sjell ndryshim, përveç pritshmërive, ka dhe shqetësim, që vjen si jehonë nga e kaluara e parafillimit të luftës së dytë botërore, ku veçanërisht tezat e nacionalizmit dhe përqëndrimi tek identiteti nacional, prodhuan format ekstremiste të nacionalizmit, nazizmin dhe fashizmin.
Dihet që historia përsëritet, vërtet jo njëlloj, dhe sjell pashmangësisht pasoja, edhe pse nacionalizmi i sotëm ngrihet mbi një bazë ekonomiko sociale e stad shumë më të lartë zhvillimi. Sot tezat nacionaliste duken si një koncept i vjetër në kohët moderne, ku civilizimi dhe integrimi kanë arritur stade të larta zhvillimi. Duket kështu si një tezë e vjetër që mund ti kundërvihet nivelit të zhvillimit në të cilin ka arritur sot njerëzimi. Pikërisht, këtu buron dhe shqetësimi i ligjshëm.
Analiza e tezës së presidentit Trump „amerika first“, nevojitet të shtrihet edhe sa i përket cilësisë që do të marë marëdhënia e SHBA me BE, apo pjesën evropiane të perëndimit, teksa në këtë fazë, ëshë deklaruar që BE duhet të meret vetë me çështjen e sigurisë. Po kështu, ka intres të kuptohet përmbajtja e pikpamjes së tij për një marëdhënie të re me Rusinë, por dhe me Kinën, di dhe sa i përket fatit të marëveshjes së tregëtisë së lirë me BE dhe asaj me Kinën. Në se, sa i përket tezës së marëdhënieve miqësore me Rusinë, nuk ka kushtëzime konkrete deri tani, sa i përket marëdhënies me Kinën, çështja e dy Kinave dhe marëveshja e tregëtisë së lirë, duket se do të definojnë cilësinë dhe fatin e marëdhënieve mes tyre.
Shfaqja e nacionalizmit amerikan kuptohet që është një sirenë entuziazmi dhe mobilizuese për format evropiane laramane të nacionalizmit. Vërtet nuk ka pasur më parë ndonjë marrëdhënie konkrete mes tyre, por afishimi zyrtar dhe entuziazmi i Trump për Brexit, shoqëruar me një lloj inkurajimi të të tjerëve për exit, nuk mund të mos meret si një mbështetje për partitë nacionaliste dhe populiste, që janë kthyer në forca aktive kundër ecurisë së projektit evropian. Por edhe deklarimet e deritansime, tregojnë në shkallë të caktuar, se presidenti Trump nuk e mbështet projektin evropian. Këtu nuk mund të mos tërheqë vëmëndjen vlerësimi i tij për rolin që ka Gjermania brënda BE dhe peshën që ajo zë në vendimmarjen evropiane. Në këto kushte, nuk mund të mos tërheqë vëmendjen euforia e Le Pen për ardhmërinë e nacionalizmit në hapsirën evropiane në vitin 2017, teksa flet jo për BE por për „popullin e Evropës Kontinentale“.
Ajo që bashkon këtë formë të nacionalizmit amerikan me nacionalizmin laraman europian, është primati i interesave të shtetit komb, në politikën e brendshme dhe të jashtme. Ngjasojnë gjithashtu edhe sa i përket antiglobalizmit dhe mospajtimi me modelin liberal të rendit botëror. Në përmbajtjen e këtij nacionalizmi amerikan, aq sa është ekspozuar, ka më pak idealizëm dhe më shumë pragmatizëm. Ka një prioritet të „biznes politikës“ ndaj ideologjisë dhe moralit. Pikërisht, kjo përmbajtje nuk mund të mos shqetësojë veçanërisht aplikimin e saj, sa i përket qëndrimit ndaj sistemit të vlerave mbi të cilat qëndron perëndimi dhe funksionon BE, por dhe sa i përket bashkëpunimit për çështjen e sigurisë së hapsirës evropiane dhe më gjerë. Mbi këtë bazë, nuk mund të mos tërheqë vëmendjen e shqetësojë mjaft çështja e statusit dhe rolit të perëndimit të bashkuar në zhvillimet botërore, që ka dëshmuar efektivitet e dobishmëri të lartë, sa i përket standarteve të larta të zhvillimeve ekonomike, sociale e politike të sendërtuara deri më sot. Modeli perëndimor i zhvillimit u përball me ashpërsi komplekse me modelin komunist, në një interval të gjatë kohor dhe triumfoi mbi të, apo e mundi ekonomikisht, politikisht dhe sa i përket rendimentit në punë e standarteve të zhvillimit, demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Pra, problemi që pritet të sqarohet është jo i thjeshtë, por i rëndësishëm: Do të vazhdojë që të kemi në të ardhmen një perëndim të bashkuar, apo SHBA do të ecë sipas principit „america first“, duke aplikuar një pragmatizëm konkret në shtratimin e marëdhënieve dy palëshe me vende të caktuara evropiane, siç pritet të fillojë me Britaninë. Pra, a do të kemi një aplikim të tezës së Çërçillit, që edhe pse propozonte krijimin e shteteve të bashkuara të Evropës, e kuptonte atë sipas sentencës “me të dhe jo në të“.
Në situatën e krijuar pritet që BE të dalë shpejt nga një lloj hutimi e papërgatitje për këtë zhvillim, të shpalosë vizionin e vendimmarjen, që do të përcaktojë edhe të ardhmen e projektit evropian dhe që do të definojë rolin e saj në modelin e ri të formësimit të rendit botëror. Ajo që kuptohet nga deklarimet e presidentit Trump është se nuk e pranon status quo-në, por përkundrazi synon ta ndryshojë atë. Në këto kushte, nuk mund të mos tërheqë vëmëndjen fakti që BE shfaqet thjesht e traumatizuar, e papërgatitur, pa ide, memece dhe thjesht në pritshmëri.
Një reagim individual dhe jo si BE, erdhi nga Gjermania, në nivel ministri edhe pse në formën e një vlerësimi të përgjithëshëm, ku parashikohen „marëdhënie të trazuara“ amerikano – gjermane. Megjithatë, ministri i jashtëm gjerman Shtainmajer, ishte shumë i bindur, kur nënvizon se „Bota e vjetër e shekullit të 20 tani ka marrë fund përfundimisht“. Çdo ndryshim, përvec normalitetit, duke prishur apo ndryshuar ekuilibra të caktuar, shkakton pikëpyetje, shqetësim, por përmban edhe reziqe të mundshme. Në këto, kushte Shtainmajer evidentoi qartë dy elementë: Nevojën për dialog, ku të shpjegohen dhe të diskutohen si diferencat dhe ndarjet, ashtu dhe të përbashkëtat dhe elementët bashkues, duke e shoqëruar me nevojën e një partneriteti të ri mes të barabartësh dhe të bazuar në vlerat e përbashkëta. Në një farë mënyre, përmes ministrit të jashtëm, Gjermania ka përcaktuar kushtet, apo cilësinë e sjelles së saj, ndaj zhvillimeve më të fundit dhe atyre të pritshme në marëdhëniet me SHBA.
Nisur nga teza e presidentit amerikan Trump „Amerika First“, por dhe nga kritika e adresuar ndaj kancelares Merkel, për mënyrën e trajtimit të krizës së refugjatëve, por dhe mendimi i tij për peshën dhe rolin e Gjermanisë në BE, pritet që vendosja e partneritetit mes të barabartëve dhe vlerave të përbashkëta, siç definoi Shajnmaier, të jetë njëherësh edhe i lehtë, por dhe tepër i vështirë në konkretizim. Që të kuptohet vështirësia e dakortësisë, nevojitet të mbahet parasysh se ku qëndrojnë diferencat në këndvështrime dhe interesa. Dhe këtu nuk mund të anashkalohet deklarimi i ministres së mbrojtjes gjermane se, „NATO nuk është marëdhënie biznesi dhe se ju nuk mund ta blini besimin“. Është ky një qëndrim i drejtpërdrejtë gjerman, i qartë e domethënës. Është një qëndrim kritik, por dhe shprehje e vendosmërisë për të mbrojtur vlerat dhe arritjet evropiane e perëndimore, për tu orientuar nga principet e njohura dhe jo thjesht nga biznes – politika.
Varshavë, më 23 janar 2017
Atdheu mbi te gjitha ,shqip!