Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me artistët dhe punonjësit e Teatrit të Operas dhe Baletit, i cili do të zhvendoset për tre vitet e ardhshme në Kinostudio për shkak të projektit për restaurimin e godinës aktuale.
Kumbaro prezantoi projektin e godinës provizore, në të cilën do të akomodohen artistët dhe punonjësit e TKOBAP gjatë periudhës së rikonstruksionit të TKOB, ku theksoi se artistët dhe trupa e këtij institucioni do të kenë të gjitha kushtet e nevojshme për të nisur punën.
“Artistët dhe punonjësit do të kenë kushte me standardin e nevojshëm, siç e meriton trupa e TKOBAP”. Pas shumë bisedave edhe të nxehta, në negociatat e bëra ne vendosëm për të sistemuar të gjitha trupat bashkë në kushtet më optimale të mundshme. Bëhet fjalë për tu vendosur në dy godina kryesore, në kampusin e Kinostudios, në dy godina krejtësisht të rinovuara”,- tha ajo në takimin e mbajtur ku theksoi se publiku, brezat dhe shteti i detyrohen një mirënjohje të madhe gjithë atyre që kanë punuar me vite të tëra në TKOBAP për t’i dhënë kënaqësi publikut në kushte shpesh të vështria.
“Është momenti t’i ndajmë këto vështirësi. Vet plani i Operas dhe Baletit punimet për të cilin kanë nisur në vitin 1960 dhe kanë mbaruar në 1966, pra rreth 6 vite punë dhe qysh atëherë nuk njihet ndonjë lloj ndërhyrje në këto përmasa.
Është guxim shumë i madh ky hap, por ishte zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë që Teatri i Operas dhe Baletit të rinovohet krejtësisht edhe për vet dinjitetin e skenës shqiptare dhe për vet dinjitetin e artistëve që kanë performuar përgjatë gjithë këtyre viteve. Në këtë kuptim ky proces ishte shumë delikat”, tha më tej Kumbaro.
Ajo theksoi se nuk ka patur ekspertizë në projektim të artit skenik, të skenave, të teatrove në Shqipëri sa u takon studiove të projektimit, ndaj procesi i përzgjedhjes dhe ndërtimit të projektit ishte shumë i vështirë dhe u arrit vetëm falë një kombinimi të tre studiove, dy studiot e huaja të akutistikës dhe skenës dhe studio shqiptare.
“Të gjithë ekspertët e këtyre bashkë, arritën pas një viti punë të detajuar ( një pjesë e madhe e asaj pune është bërë këtu mes jush duke u konsultuar me ju) që pas një viti të kemi vërtetë një projekt që vinte deri në fazën e zbatimit, një ndërmarrje edhe me përgjegjësi shumë të lartë dhe delikate. Në këtë kontekst mbërritëm tek ky projekt që shkon në rreth 1 miliardë lekë, fatmirësisht kemi edhe mbështetjen e qeverisë, por edhe partnerëve të tjerë ( kemi po ashtu angazhimin e qeverisë kineze për të asistuar me një grant të posaçëm).
Ministrja gjithashtu bëri të ditur punën e madhe që është bërë për inventarizimin e objekteve të ndodhura në godinë të vjetër, ku për 60 vite nuk është ndërhyrë, i cili është një proces që ka një vit e gjysmë që ka nisur.
E pranishmë në këtë takim, Drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP Znj. Zana Çela prezantoi për artistët dhe median tematikën e programit të sezonit të ri artistik, i cili veç shfaqeve tradicionale në skenat e Tiranës, këtë sezon do te proçedojë edhe me një strukturë të re:
Opera on-tour ( shtaqje të TKOBAP në qytete të ndryshme të vendit si Shkodër, Vlorë, Elbasan, Fier, Durrës, etj)
Opera – Histori ( cikël koncertesh të cilat do të celebrojnë kulminacione ngjarjesh dhe artistësh të këtij teatri.)
Opera open-air (shfaqje të TKOBAP në sheshe të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të vendit)
Gjithashtu Drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP informoi se data 22 shkurt është dita kur TKOBAP do të prezantojë titujt e shfaqeve të këtij sezoni, meqënëse procesi i ZHVENDOSJES së institucionit është objektivi primar për momentin, proces i cili është edhe eksperienca e parë e tillë në gjithë historinë 61-vjeçare të këtij teatri.