Derbi Partizani-Tirana, si vijnë skuadrat në këtë përballje dhe një fitore që do të vlente shumë

13 Shkurt 2017, 17:59Sociale TEMA

Përgatiti Fatjon Baze

Sfida kryesore e javës së 22-të të Kategorisë Superiore do të jetë padyshim derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës.

Burime për TemA konfirmuan se ky takim do të luhet ditën e hënë në orën 18:00 në stadiumin “Selman Stermasi”.

Një sfidë e cila pritet që të dhurojë mjaft emocione si në fushën e lojës, ku do të zhvillohet një ndeshje shumë e luftuar, ashtu dhe në shkallët e stadiumit ku atmosfera do të jetë elektrizuese.

Në këtë takim të dyja ekipet vijnë jo në një situatë shumë të mirë, pasi ashtu si Tirana edhe Partizani nuk kanë pasur një nisje positive të fazës së tretë.

Të kuqtë në tre ndeshjet e para kanë marrë një humbje me Luftëtarin, një fitore me shumë vështirësi me Vllazninë, dhe një barazim në ndeshjen e kësaj jave në transfertë me Teutën.

Ndërsa Tirana është e zhytur në një krizë të thellë, pasi në tre ndeshjet e para nuk ka arritur dot që të marrë asnjë pike, ku është mundur në të treja ndeshjet, me  Teutën, Laçin dhe me Kukësin.

Por, përveç krizës së rezultateve 24-herë kampionët e vendit janë braktisur dhe nga ana e tifozerisë së tyre, që pas arritjes së marrveshjes që Partizani t’i luajë ndeshjet në stadiumin e vetëm të kryeqytetit “Selman Stermasi”.

Humbja e fundit me Kukësin ka rënduar dhe më shumë situatën në kampin bardheblu të cilët akuzohen për tolerim të ndeshjes, ku dhe komentet e tifozave të tyre në rrjetet sociale ishte rebeluese ndaj skuadrës dhe drejtuesve të klubit.

Ndërkohë, dhe tek Partizani situata nuk është dhe aq e mirë sa mund të mendohet, pasi të kuqtë synojnë që këtë sezon të shpallen kampion të Kategorisë Superiore.

Por, performanca në tre ndeshjet e para nuk ka qenë ajo që pritej, çka ka bërë që Partizani të humbasë vendin e dytë në tabelën e renditjes dhe ta shohë veten gjashtë pikë larg Kukësit që është ne vendin e parë, dhe pse duhet theksuar se gara është ende e hapur.

Megjithatë, një fitore në derbin e së hënës që pritet të jetë mjaft i fortë për të dyja ekipet, do të ngrete së tepërmi moralin e skuadrës dhe do të largonte shijen e hidhur për nisjen jo të duhur të fazës së tretë.

Kjo sepse një fitore në derbi ka një tjetër shije.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje