Atë që Basha nuk e thotë dot nën çadrën e lirisë

27 Shkurt 2017, 21:03Blog TEMA

Nga Carlo Bollino

Pasi kanë kaluar nëntë ditë nga fillimi i protestës së tij, duket tashmë qartë për të gjithë se kanë qenë dy frikat e mëdha që e kanë shtyrë Lulzim Bashën të hyjë në një tunel në të cilin humbi orjentimin dhe nga i cili nuk po gjen më rrugën e daljes. Frika që u kthye në panik i hoqi atij çdo grimë racionaliteti deri në atë pikë sa të organizonte një protestë, të cilën tani nuk di si ta mbyllë pa u turpëruar.

Frika e parë është ajo e humbjes së zgjedhjeve të ardhshme politike e për pasojë, edhe të mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike, duke mbyllur kështu pa ngjyra karrierën e tij të ardhshme, por pa arritur të rregullojë edhe historinë e tij politike të kaluar. Dhe është pikërisht e kaluara e tij që ngjall frikën tjetër të madhe, e cila prish ëndërrat e Bashës dhe, bashkë me të, edhe të familjes Berisha: rreziku i përfundimit në ditë të hallit me akuzën e korrupsionit nga një magjistraturë që vettingu do ta bënte më në fund të pavarur.

Kërkesat që shtron Basha si kusht për të ndërprerë protestën e tij dhe për të çmontuar çadrën e lirisë i konfirmojnë të dyja këto frika: krijimi i një qeverie teknike dhe bllokimi i procedurave të vettingut. Po të mos diheshin arsyet reale që sollën kërkesa të tilla, dy kushtet të duket se janë në një kontradiktë të qartë, pasi, nga njera anë, Basha akuzon qeverinë për korrupsion dhe, nga ana tjetër, refuzon që komuniteti ndërkombëtar të krijojë një Prokurori dhe një Gjykatë të pavarur, të gatshme që të procedonin jo vetëm të korruptuarit, por edhe këdo që do të mund të manipulonte zgjedhjet.

Basha duket se sillet si ata nxënësit e prapë, të cilët, duket e ditur se nuk i kanë bërë mirë detyrat e shtëpisë, shpikin çdo justifikim të mundshëm vetëm e vetëm që të shmangin pyetjet e mesueses. Më pak se katër muaj nga zgjedhjet, Lulzim Basha ka kuptuar që, në rast se Edi Rama dhe Ilir Meta vendosin të dalin sëbashku në zgjedhjet, për Partinë Demokratike nuk ka asnjë mundësi për fitore. Por, në vend që të pyesë veten për arsyet e kësaj dobësie, Basha tenton të përziejë kartat në lojë: e fton Metën të ikë nga Rama dhe të krijojnë bashkë një qeveri teknike dhe, në rast se kjo ftesë do të refuzohej (siç ka ndodhur deri tani), atëhere shpall se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Domethënë, duke e ditur që humb zgjedh të mos hyjë fare në lojë.

Në të vërtetë, Basha do të bënte më mirë sikur të arsyetonte mbi shkaqet e kësaj situate, e cila është shumë më ndryshe nga ajo e prillit 2013, kur, me role të përmbysura, Meta pranoi ftesën e Ramës dhe Partia Demokratike u dënua të kalonte në opozitë. Dallimi i parë i madh është klima politike në vend: në prillin e katër viteve më parë Partia Socialiste ishte në kulmin e popullaritetit, ndërkohë që Berisha, pas tetë vjet qeverisjeje, ndodhej në humbellën e mungesës së popullaritetit. Meta nuhati se gjendja politike kishte ndryshuar dhe bëri një zgjedhje të lehtë. Po tani gjendja politike ende nuk ka ndryshuar dhe kjo, jo vetëm për meritë të qeverisë dhe reformave të saj, por edhe për faj të opozitës. Politika e urrejtjes, e dhunës, e shpifjeve të vazhdueshme dhe kolektive që Sali Berisha ushqeu në këto katër vjet dhe me të cilën u bashkua tani me entusiazëm edhe Lulzim Basha, nuk e kanë ndihmuar kauzën e opozitës. Shqiptarët janë rritur dhe dëshira për normalitet i shtyn tanimë për të refuzuar bajraktarët që vijojnë të nxitin urrejtjen dhe luftën, një metodë efikase për vitet e para të demokracisë por jo më në ditët e sotme. Berisha u mund në qershor të vitit 2013 pikërisht për shkak të arrogancës që tregonte kur ishte në qeverisje dhe të cilën e ruajti edhe pasi kaloi në opozitë. Shqiptarët kanë ecur përpara dhe nuk i duan më politikanët arrogantë: po e kupton këtë edhe Edi Rama, ndërsa Ilir Meta e ka kuptuar me kohë. Berisha dhe Basha nuk e kanë kuptuar kurrë.

Në katër vjet opozitë, Partia Demokratike mbeti në mëshirë të të njejtëve njerëz që në vitin 2013 ishin shkaku i humbjes së saj. Përse duhet menduar që sot rezultati i votës do të ishte ndryshe, ndërkohë që PD nuk ka ndryshuar në asgjë? Para votimeve të vitit 2005, Sali Berisha, për të dalë nga ferri i opozitës në të cilin ishte rrokullisur si pasojë e ngjarjeve të vitit 1997 dhe marrëzive të ’98-ës, u përpoq të ndryshonte imazh: krijimi i KOP-it dhe përfshirja e figurave të reja dhe ende të pakonsumuara politike e ndihmoi Partinë Demokratike të paraqitej para zgjedhësve si një forcë politike e rinovuar. Po çfarë bëri Basha në këto vite për të kryer të njejtin rinovim, duke bashkuar nën çadër një ish-ministër të dënuar si Spiro Ksera, një ish-ministër të inkriminuar si Fatmir Mediu, apo një ish-populist të dështuar si Kreshnik Shpahiu?

Çfarë propozimi të ri politik përpunoi për t’ua kundërvënë reformave që solli mazhoranca? I verbuar nga dëshira për të gjetur provën e korrupsionit të qeveritarëve në detyrë, Basha harroi se në votime shkohet me plane për reformat e veta dhe jo vetëm duke kundërshtuar reformat e të tjerëve. Rezultati i kësaj harrese është ai që, pa e dobësuar kundërshtarin duke i hequr një copë nga koalicioni, Basha nuk ka asnjë shpresë t’i fitojë zgjedhjet. Dhe vetëm për këtë, ende para se të zhvillohen zgjedhjet, thërret që tani në kupë të qiellit për vjedhje të votës.

Dje Basha prezantoi MAGA-n (një akronim i shëmtuar, i kopjuar nga fushata elektorale e Donald Trumpit), por sërish kemi një tjetër gafë pasi, duke shpallur se do ta kthejë Shqipërinë mbrapsht “si kur ishte e madhe”, shqiptarët shohin premtimin kërcënues të kthimit në të njejtin model qeverisjeje të cilin vetëm katër vjet më parë e përzunë. Kush është Shqipëria e Madhe që Basha premton të ringjallë? Ajo e Gazidedes? Ajo e firmave piramidale mashtruese? Ajo e tentativave për puç? Ajo e Lazaratit? Ajo e Gërdecit apo ajo e 21 janarit?

Pra, Basha kërkon qeverinë teknike vetëm sepse nuk do që të shkohet në votime, duke e ditur që pa Metën do t’i humbasë zgjedhjet. Dhe, pasi e di mirë që nuk do ta ketë kurrë pas vetes, bën lidhjen midis qeverisë teknike dhe zhbllokimit të procedurave të vettingut. Një tjetër truk për të bllokuar procesin e reformës, që do të hiqte nga kontrolli i tij dhe, mbi të gjitha, nga kontrolli i familjes së Berishës, gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë. Sepse frika e tij e dytë e madhe, pas asaj të humbjes elektorale dhe daljes së tij nga skena, është procedimi penal personal.

Basha e di mirë që ishte ministër i Brendshëm kur Policia qëlloi mbi turmën e paarmatosur më 21 janar dhe ishte ministri i Transportit që manaxhoi tenderin skandaloz për ndërtimin e Rrugës së Kombit. Basha ka qenë ministër për tetë vjet rresht në qeverinë Berisha dhe i njeh shumë mirë abuzimet e tjera që ka bërë dhe që Prokuroria pas vettingut mund t’i zbulojë. Abuzime të tij dhe të Berishës & Familjes. Por, në rast se doktori do të shpresojë gjithnjë në një lloj amnistie “nderi” si babai shpirtëror i opozitës, për Bashën, pas humbjes elektorale, nuk do të ketë më asnjë parashutë. Rrezikon të kthehet në kokën e turkut që do të paguajë edhe për gjynahet e të tjerëve.

Ajo që po luhet tani në çadrën e lirisë për Lulzim Bashën është ndeshja finale, beteja për luftë a vdekje. Nuk do të heqë dorë kollaj, edhe pse ai vetë nuk di nga çfarë dhe kur të heqë dorë. Do të qendrojë i ngujuar deri në fund në atë çadër të bardhë, edhe sikur të mbetej vetëm fillikat, duke u kapur me dëshpërim mbas flamurit shqiptar, pasi flamurin e partisë së tij e quan tanimë tepër të vockël për ta mbrojtur nga fajet që ka bërë. Faje aq të mëdha në mënyrën se si e ka drejtuar opozitën për katër vjet, sa që bëjnë të duken të vogla fajet te shumta me të cilat të majtet kanë drejtuar për katër vjet qeverinë.

14 komente në “Atë që Basha nuk e thotë dot nën çadrën e lirisë”

  1. lavdosh says:

    Harrove Mareveshjen per Detin dhe faktin qe ka nje akuze qe eshte akoma ne Prokurori per kete. Te tjerat te sakta

    1. Une... ti... ne te gjithe... says:

      Nuk e kam haberin se kush eshte ky tipi qe ka shkruar artikullin por duhet thene se kjo ishte analiza me e perpiket, me bindesja dhe me e qendrueshmja per situaten aktuale te opozites shqiptare dhe udheheqesve te saj.

      Ose ky eshte gjeni i formulimit dhe shprehjes se mendimeve ose analistet rane jane thjesht anale te derdhur

      Nese dikush do provonte ta permiresonte kete analize ai nuk do kishte se si pasi autori nuk ka lene as vend per presje dhe asnje presje teper!

      Bravo!

      Le te shpresojme qe ata qe do e lexojne kete artikull do kene kapacitet per ta perrtypur.

    2. Une... ti... ne te gjithe... says:

      Nuk e kam haberin se kush eshte ky tipi qe ka shkruar artikullin por duhet thene se kjo ishte analiza me e perpiket, me bindesja dhe me e qendrueshmja per situaten aktuale te opozites shqiptare dhe udheheqesve te saj.

      Ose ky eshte gjeni i formulimit dhe shprehjes se mendimeve ose analistet rane jane thjesht anale te derdhur

      Nese dikush do provonte ta permiresonte kete analize ai nuk do kishte se si pasi autori nuk ka lene as vend per presje dhe asnje presje teper!

      Bravo!

      Le te shpresojme qe ata qe do e lexojne kete artikull do kene kapacitet per ta perrtypur.

  2. Njeri i thjeshtë. says:

    TURP të kemi o Shqipëtarë,që një i huaj të lexoj dhe të shkruaj më mirë situatën sesa ne.!
    Disa s’dimë dhe disa s’duam.Të turullosur shkojmë me fanatizëm majtas e djathtas,pa menduar me kokën tonë.
    Mendojnë kryetarët për ne.
    Erdhi dita të pranojmë që kryetarët mendojnë për vehten e tyre.Na bëjnë vegla të realizimit të qëllimit të tyre.
    Fatkeqësi që s’kanë ideale sublime,por qëllime banale e meskine.
    LERINI NË FRIKËN DHE DELIRIN E MOMENTIT.!
    BASHKOHUNI DHE MBËSHTETNI VETINGUN TI
    PASTROJË.!
    TREGOHUNI TË MËNÇUR DHE ATDHETARË.
    O SOT,O KURRË.!
    NË TË KUNDËRT,DO TË TURPËROHI PARA FËMIJËVE TUAJ.!

    1. Para Laci says:

      Kjo eshte diferenca midis diplomave te kristalit dhe diplomave te universiteteve perendimore.
      Me menyren se si e shpreh veten, Bollino e ben shqipen te tingelloje bukur. C’do presje qe e ven, e ven aty ku duhet.

  3. Normalishte si serb,nuk kam nderhy asnjiher ,keshtu hapur,
    ne politiken Shqiptare ,por desha te sqaroj dy gjera persa i perket ´bashes´ dhe mikut tem te gjakit ´´berisha´´.
    Kam fol argin,mbasi pashe gjendjen e bashovicit, pasi me colli,ne 2- mbas mesnate e me kerkoj,
    si ta quj Slloganin e ri,duke qare nen qurre. I neveritur nga ai,i thashe quje si ta ndjej butha Maga-rac i thash .
    Ai e kuptoj se magarac ne shqip perkthet bythe,e me tha se po tallesha ,sepse ne shqip,ajo tingellonte rrace-bythe,
    bej cte duash i thashe,quaje si te pelqej,por ti maga-rac,ke qene e ashtu do pirdhesh e ja mylla Telefonin.
    Ndersa per berishen i thashe argit, ta heqi qafe bashen,te nxjeri per gjuheti,se na dhjeu planet pederi hollandes

  4. alphade says:

    Hidh nje pare,hyn ne valle dhe hidh nje qind e s’del dot !
    Keshtu e ka pesuar edhe Lulezim mavria ! I ka mbetur
    dopjo gjashta ne dore ! Vec shqyhet para e mbrapa me
    fjale bombastike dhe vete flet e vete degjon dhe asnje s’ja
    perton duke undiskretituar cdo ore qe kalon te ” CADRA e
    LIRISE ” ! E ka shndrruar cadren ne hale ….! Lulush nuk
    i shpeton dot ” Ligjit te Vettingut” ,do japish llogari nje per
    nje per zullumet ,sebashku me bacen e Vicidolit ! ,

  5. NjeQytetarOptimist says:

    Analize e kthjellet..

  6. Ejon says:

    Cadren e keni bere te madhe po krimet tuaja jane akoma me te medhaja se aji strofka ku jeni futur per t’i SHPETUAR VETINGUT.

  7. Drejtësia says:

    Shumë sakt,thjesht ka thënë të gjitha të vërtetet.
    Një analizë e hollësishme që mund ta kuptojnë të gjith.

  8. Vesi says:

    Sakte. I paafte si lider, eshte futur ne nje rruge qe s’di si te dale. Me ate cader jo qe nuk fiton, por do i leje te gjitha, postin e kryetarit dhe endrren per kryeminister.

  9. uskania says:

    Si një Don Kishot, që luftonte me mullinjtë e erës, Luli i ka hypur Rosinantit të Kreshnik Spahiut dhe bën njërën marrëzi pas tjetrës, sepse jeton në botën e “Ali Babës me 40 hajdutë”.

  10. Xhelua says:

    Edhe sikur,sikur, Meta ta bej ate gabim te kaloje prap me PDne, prap nuk fiton. Po Meta nuk eshte koqe kanari si l. basha e se ha ate koqe ulliri. Ndersa ky koqja basha te shkoj vete e te fusi koken ne bide se i ben mire. Nje artikull perfekt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje