Ditari i Megi Pjeshkës: Sherri për këngët dhe rrahja e DJ

27 Shkurt 2017, 18:52Antena TEMA

Dita e djeshme u mbyll me rrahje. DJ që kishin vendosur në çadër, rezultoi që ishte agjent i Edi Ramës.

Ndërkohë që Luli mbaroi fjalimin dhe njerëzit po relaksoheshin, shoku im nga Laçi i tha:

-Po vërë një këngë lufte, ja q.. nënën, se ngele duke vënë këngë kot.

DJ filloi të kërkojë dhe për një minutë tha “e gjeta”!

Në çadër jehuan tingujt e këngës “Xhaketën e kuqe, jo nuk e harroj baba” të Vaçe Zelës.

-Ça o kjo këngë mor burrë, ulëriti Flamuri?

-Këngë lufte thotë këtu në Youtube, tha DJ. E këndon Vaçe Zela.

Kaq mjaftoi që dy laçianë t’i lëshoheshin sipër DJ-it me grushte e shqelma dhe ta nxirrnin jashtë.

Ai mbrohej duke bërtitur, “vetë deshët këngë lufte, vetë deshët këngë lufte”, por ata nuk ndalnin.

Pasi e shtynë jashtë çadrës me shqelma dhe grushte, dy laçianët hynë prapë brenda dhe u drejtuan nga tavolina e DJ-it.

-E kapmë dhe një spiun komunist, tha një prej tyre, dhe po kontrollonte kompjuterin e tij.

-Çfarë ka në kompjuter, pyeti tjetri?

-S’di gjë vëlla, ka shkrujt këtu në search “këngë lufte” dhe i paska dal përnjëmend kjo kënga, me “Xhaketë të kuqe”.

-Lene mor burrë se këta quajnë këngë lufte këngët komuniste. Këngë lufte është kënga për Sali Berishën:

“Djalë i rrit lart në pisha

O prite o se po vjen

O Sali Berisha.

Djalë i rritur në majë mali

O prite o se po vjen

O Azem Hajdari…”

DJ i ri që e zëvendësoi nuk po e gjente dot.

-A të vë një këngë për Che Guevarën, tha, se më tha Abi vë këngë të huaja, se na shajnë katunarë?

-Jo mor burrë se dhe ai komunist ka qenë. Krejt spiuna të komunistëve qekeni, i tha, dhe ja futi dhe atij një shpullë.

-Kërko ç’aty mos gjen ndonjë këngë për republikën e re që tha Luli.

-Është një këngë për Kreshnik Spahiun, tha DJ.

Ja ta lexoj tekstin:

Patriot kudo që jeni

Republikë të re do keni

Kundërshtarët kudo janë

Xhama e goma më s’kanë

Boll një fjalë të thotë Luli.

Gjilpërën në gomë ta nguli

Tradhtarët porsi miu

I dënon Kreshnik Spahiu”

-A, kjo na kënaqi shpritin, tha laçiani. Shpëtove pa u rraf për atë Che Guevarën

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje