Kreu i LIBRA-s Ben Blushi nga Kuvendi tha se çështja e Zharëzës nuk është mbyllur.
Ai debatoi me ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
Ky i fundit akuzoi Blushin se dëshiron “të bëjë pis mendjet e njerëzve”, teksa e quajti protestën e Zharrëzës të instrumentalizuar politikisht.
“Kur erdhe këtu (Blushit) në poezinë tënde të kishe gjetur një rresht të thoshe një fjalë të mirë për këtë qeveri. Na dole delirant i fjalës së lirë apo interesave popullore të Zharrëzës duke bërë lidhje falso e duke nxjerrë në pah se ajo protestë e atyre pak njerëzve e instrumentalizuar politikisht nuk ishte asgjë tjetër veçse për t’i hedhur hije asaj që po bënte qeveria shqiptare mbi dy muaj. Disa të vërteta duhen thënë”, tha ministri Gjiknuri.
Ai sqaroi se situata degradoi pasi nuk ka pasur sizmiologë për të matur tronditjet e tokës në zonë dhe për këtë u blenë sizmografë për të monitoruar zonën.
Më herët, kreu i LIBRA-s Ben Blushi deklaroi se situata e Zharrëzës nuk është mbyllur. “Nuk besoj se Zharrëza u mbyll. Zharrëza do të përsëritet prapë para se të shkojmë në zgjedhje”, tha Blushi.
Ai prezantoi në Kuvend dy amendamentet e tij dhe të deputetes Mimoza Hafizi për zgjedhjet e ardhshme. E para për numërimin elektronik, dhe tjetra për transparencën e financave të partive në fushatë.