Replikat LSI-PS, Kuvendi voton sot 7 ligjet e Drejtësisë. Mazhoranca para provës së 84 votave

30 Mars 2017, 10:56Politika TEMA

Koalicioni qeverisës do të vihet sot përpara provës. Shtatë nga 27 ligjet e paketës që rregullojnë funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, pas miratimit të reformës kushtetuese, janë parashikuar për diskutim në seancën plenare të Kuvendit, të ditës së sotme.

Këto ligje kërkojnë 84 vota dhe prania e të gjithë deputetëve në Kuvend është shumë e domosdoshme. Nëse deputetët e LSI dhe PDIU do të votojnë ligjet e reformës në drejtësi, do të jetë një ogur i mirë për vijimin e bashkëpunimit dhe shkuarjen së bashku në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Në mbledhjen e kaluar të grupit të PS, numri dy i forcës së parë politike në koalicionin qeverisës, Gramoz Ruçi, i porositi deputetët e tij që të mos mungojnë në Kuvend, pasi këto ligje kërkojnë shumicë të cilësuar.

Aktet ligjore kanë të bëjnë me thelbin e funksionimit të sistemit dhe me dhënien e drejtësisë për qytetarët.

Ndër pr/ligjet, për nga rëndësia, veçohen ndërhyrjet në kodet e procedurave, sidomos ato në kodin e procedurës penale dhe civile.

Rendi i ditës i Kuvendit të enjten parashikon diskutimin e këtyre pr/ligjeve:

1. Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë
2. Kodi i Procedurës Penale
3. Kodi Penal
4. Kodi i Drejtësisë për të Mitur
5. Kodi i Procedurës Civile
6. Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative
7. Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë

Paketa prej 27 ligjesh ështe e dyta që shoqëron reformën në drejtësi, e miratuar me konsensus më 22 korrik. Kjo reformë, u pasua me miratimin në tetor të 7 ligjeve prioritare, me të cilat u ndërtua arkitektura e re e sistemit. Ndërsa paketa prej 27 projektligjesh i jep mundësi sistemit gjyqësor që të funksionojë me efikasitet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje