Skena e Gones duke vrapuar në korridor me marrëveshjen sekrete në dorë, i ndjekur pas nga sekretarja e Kuvendit, ka bërë sot xhiron e ditës. Madje ka eklipsuar edhe arrestimin e rivalit të Mulit, kuksianit me qeleshe që mban megafonin e protestës.
– Ky Gonia na e prishi skenarin sot, – i tha Muli Lelos. – Ne donim ta bënim serioz debatin për kredinë amerikane për armët. Ky e bëri qesharak. E vodhi letrën dhe ia futi vrapit.
– Është edhe më keq, – tha Lelo. – Ai mendon se, po ia vodhi Nikos, amerikanët do mërziten me Nikon, jo me atë. Pastaj do t'i akuzojë këta se nuk ruajnë dot as marrëveshjet sekrete. Nuk e di ky që Niko shkon në ambasadën amerikane dhe u thotë: "Atij Gones le t'i vijë rëndë për atë që bëri, se na turpëroi të gjithëve." Dhe ata e qetësojnë: "Lëre, Niko, se e rregullojmë ne."
– Unë mendoj se Gonia ka kujtuar se aty shënohet edhe firma që ka fituar tenderin, – tha Muli. – Prandaj e mori. Ka dashur të bëjë sikur e zbuloi ai, ose t'i vërë ndonjë gjobë, siç bën me këto bizneset e tjera.
– Po të jetë kaq largpamës e ambicioz, qenka mirë, – tha Lelo. – Po mua më duket se ka dashur vetëm t'ia tregojë sekretares së vet në zyrë, asaj vajzës që e pyet çdo ditë në protestë: "A do te bëhem unë kryeministër?" dhe ajo i thotë: "Po." Ka dashur t'i thotë: "Shiko, SHBA-ja ma ka besuar mua marrëveshjen sekrete. Si thua, ta votoj?" E ajo i ka thënë: "Po."
– Nuk e di, – tha Muli, – po vrapime të tilla në kohë protestash vetëm Sahiti ynë ka bërë. Po atëherë ishte koha e Lulit. Në kohën e Flamingove, vetëm ky paska vrapuar kaq shpejt.
Lini një Përgjigje