Me Kombëtaren, nga Palermo në Elbasan

31 Mars 2017, 21:26Sport TEMA

Nga Ervin Baku

Kombëtarja është një dashuri shumë e madhe. Dhe dashuritë e mëdha nuk kanë kushte. Kam 37 vjet që e ndjek Kombëtaren, nga të cilët 26 si gazetar. Tani që është në vështirësi e dua edhe më shumë se kur ishte në Europianin e Francës. Nuk po bëj hartim patriotik, jo. E dua sepse na ka dhënë gjithçka. Na ka bërë krenarë. Na ka dhënë atë që politika duhej të na e jepte në këto 27 vjet të demokracisë së brishtë shqiptare. Na ka përfaqësuar denjësisht. Së bashku me Kadarenë, sot kemi në Europë dhe në Botë edhe Kombëtaren. Kombëtarja është markë tani.

Më e bukura e markave. Falë punës që Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me këtë Kombëtare. Falë trajnerit që përzgjodhi presidenti i FSHF-së. Dhe bëri gjënë më të mirë që përzgjodhi një të huaj. Nga rrumpalla kemi kaluar në seriozitetin absolut. Nga anarkia kemi kaluar në disiplinën e hekurt. Nga ata që nuk kishim fanela për të përfaqësuar Shqipërinë, sot kemi kostumet ndër më të bukurit në Europë. Sot nuk i takon dot futbollistët e Kombëtares, edhe po të udhëtosh në një avion me ta. Hotelet ku grumbullohej më parë Kombëtarja ktheheshin në pazare të vërteta, ku qindra njerëz zbarkonin dhe ndanin gjithçka me futbollistët. Edhe ditën e ndeshjes.

Sot nuk ka asnjë shans. Hotelet ku grumbullohet Kombëtarja ruhen nga policia e vendit pritës. Kombëtarja është kthyer dhe transformuar në një kombëtare europiane. Kjo është një fitore jo e vogël. Në Palermo, në tokën e mafias, ne humbëm ndeshjen e radhës së eliminatoreve të Botërorit Rusi 2018. Na mundi Italia, katër herë kampione e Botës. Tani nuk shkojmë dot më në Rusi dhe synojmë vendin e tretë në grup. Do të ishte një vazhdimësi llogjike pas shkuarjes në Europianin e Francës. Po edhe po nuk e arritëm vendin e tretë, sport është.

Sporti i njeh edhe fitoret, edhe humbjet. Mos ta bëjmë dramë dhe tragjedi humbjen e Palermos. Që kur u hodh shorti i ketyre eliminatoreve, Spanja dhe Italia ishin dy favoritët kryesorë të grupit tonë. Dhe të imagjinosh që njëra nga të dyja do të shkojë në play-off. Deri tani kemi gabuar vetëm në një ndeshje, atë kundër Izraelit në Tiranë. Kemi të gjitha mundësitë për ta rikuperuar këtë humbje më 11 qershor në Izrael. Katër ditë pas Palermos humbëm një ndeshje miqësore në Elbasan. Numri i humbjeve radhazi shkoi në katër. Të gjithë nxorrëm pushkët dhe topat për të shënjestruar vetëm një person: trajnerin Xhani De Biazi. Jemi shumë të çuditshëm. Po bëre mirë, të çojmë në qiell. Po bëre keq, të zhysim thellë në tokë. De Biazi është po ai i vitit të kaluar. Ai që së bashku me Dukën, Tramexanin dhe brezin e mrekullueshëm të futbollistëve që na qëlluan, të gjithë së bashku na çuan në Francë. Na hapën dhe na shtuan oreksin. Tani, të mos sillemi sikur Shqipëria të ishte Gjermani, Itali, Angli, Spanjë apo Holandë. Shqipëria është Shqipëri. Një vend i vogël, me mundësi të vogla. Me mundësi shumë më të mëdha për të shkuar në një Europian se sa në një Botëror. Holanda nuk ishte në Europian. Tani gjasat më të mëdha janë që nuk do të jetë as në Rusi. Bosnja na mundi të martën në Elbasan, por në Francë nuk ishte ama. Pra gjithçka është relative. Brazili u turpërua në gjysmëfinalen e Boterorit 2014. U turpërua brenda në shtëpi në humbjen 1-7 me Gjermaninë. Dhe brazilianët nuk bënë kështu siç po bëjmë ne këto ditë me kryqëzatat tona. Më ngadalë njerëz. Këto janë mundësitë tona.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje