100 ndeshje në Serie A, Eurosport elozhe Hysajt

3 Prill 2017, 15:47Sport TEMA

U duk sikur do të mungonte në ndeshjen ndaj Juventusit, për shkak të një tërheqje në ndeshjen miqësore ndaj Bosnjës, por Elseid Hysaj u pa në versionin e tij më të mirë të dielën në mbrëmbje me Napolin, jo vetëm falë sigurisë që dha në mbrojtje, por edhe për mbështetjen që i dha Callejon në fazën sulmuese, e cila zakonisht shihet si pika e dobët e mbrojtësit shqiptar. Për këtë paraqitje, “Eurosport” i vendosi Hysajt notën 6,5.

“Nuk vuan thuajse asnjëherë Mandzukiç, përkundrazi ka mundësinë të sulmojë me vazhdimësi duke vënë në vështirësi të mëdha Asamoah”, – shkruhet në përshkrimin për të në notat e ndeshjes. Kjo paraqitje e mbrojtësit shqiptar ka ndikuar direkt edhe te notat e bardhezinjve me Asamoah që është vlerësuar me 5 se “nuk arrinte të mbante hapin e Callejon dhe Hysajt”. Ndërsa kundërshtari i tij direkt në fushë, Mandzukiç, është vlerësuar me 5,5 pikërisht për sakrificën që bëri për t’u kthyer në mbrojtje.

“Është i detyruar të bëjë një detyrë më mbrojtëse se zakonisht dhe vuan në duelin me Hysajn. Nga pikëpamja sulmuese ishte inekzistent”, – shkruhet për sulmuesin kroat, fjalë të cilat tregojnë qartësisht atë që ka dhuruar Hysaj në këtë sfidë. Kështu, ka festuar në mënyrën më të mirë të mundshme paraqitjen e 100-të në Serie A dhe jo më kot Manchester United e kërkon me ngulm që tani, edhe pse klauzola e Hysajt ka shkuar në 50 milionë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje