Me rastin e 8-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ai i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilluan një bashkëbisedim me studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.
Të dy ministrat e vunë theksin te rëndësia që ky anëtarësim ka për vendin tonë, por edhe detyrimet që rrjedhin prej tij.
Në fjalën e saj ministrja Kodheli solli në vëmendje punën e Forcave të Armatosura, puna e përditshme e të cilave siç tha ajo, jo domosdoshmërisht ndihet siç ndihen shërbimet e tjera që shteti sjell. Ajo përmendi praninë e Forcave të Armatosura pranë qytetarëve brenda vendit, por theksin e vuri te pjesëmarrja e misionet ndërkombëtare që rrjedhin si detyrim i të qenit vend anëtar i NATO-s. “20% e Forcës sonë të Armatosur ka qenë në terren jashtë kufijve.
Shqipëria është prezent në të gjitha misionet NATO, ka dyfishuar prezencën e saj në Afganistan, ka dyfishuar prezencën e saj në KFOR në Kosovë, është prezent në misionin e NATO-s në detin Egje, ku për herë të parë Shqipëria merr pjesë në një mision detar dhe është prezent në të gjitha strukturat komandë të NATO-s, kudo ku NATO me strukturat e saj është prezent.”- tha ministrja Kodheli.
Edhe ministri Bushati vlerësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionet e NATO-s gjatë këtyre viteve, por edhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit.”Shqipëria është një vend që ka marrë vlerësime të larta për sa i përket jo thjesht disponimit politik, por edhe disponimit konkret, me kontribute konkrete në luftën kundër terrorizmit dhe pavarësisht se një gjë e tillë është bërë brenda apo jashtë kornizës së NATO-s, në çdo lloj rrethane është bërë me partnerë kryesorë që janë anëtarë kryesorë në Aleancë, çka në një farë mënyre apo në një tjetër, përllogaritet si kontribut që bën një vend në luftën kundër terrorizmit.”- u shpreh z. Bushati, i cili vlerësoi punën e Forcave tona të Armatosura edhe në operacione apo probleme që në vendet e tjera zgjidhen nga komuniteti.
Në këtë kuadër, ministrja Kodheli foli edhe për kontributin e vendit tonë në koalicionin global kundër Daesh, ose të ashtuquajturit Shtet Islamik, ku përmendi ndihmën konkrete të vendit tonë me armatim për luftëtarët kurdë, e cila sipas saj përcaktoi fatet e betejës për Mosulin.
Pjesë e bisedës ishte edhe buxheti i mbrojtjes, për të cilën ministrja Kodheli se Shqipëria është në nivelin mesatar të vendeve të tjera të NATO-s, por në rrugën e duhur për ta arritur detyrimin prej 2%.
Gjithashtu, ministrja Kodheli përfitoi nga rasti të ftojë studentët për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura, dhe bashkë me ministrin Bushati iu përgjigjën pyetjeve të tyre, që kishin të bënin kryesisht me rolin e Forcave tona të Armatosura përkrah vendeve të tjera të NATO-s dhe me politikën e jashtme të Shqipërisë.
Në takim morën pjesë edhe disa pjesëtarë të Forcave tona të Armatosura, pjesëmarrës në misione ndërkombëtare, të cilët treguan përvojën e tyre në këto misione dhe ndjesinë e të qenit pjesë e FA shqiptare.