Vetting-u, një ekzorcizëm i shoqërisë sonë

11 Prill 2017, 21:57Blog TEMA
Vetting-u, një ekzorcizëm i shoqërisë sonë

Nga Islam Spahiu

Ish i burgosur politik

“Djajtë” është një nga krijimet më të fuqishme të penës dostojevskjane. Në këtë roman të shkruar 145 vjet më parë, ai parashihte se ku mund të katandisej një shoqëri ku mbretëron liberalizmi i shthurur nën moton “Çdo gjë lejohet”. Kjo dukuri ngjante me një njeri të pushtuar nga djalli, e për ilustrim, në ballë të tekstit në këtë episode biblik, nxjerrë nga “Shkrimet e Shenjta”:

“Na ishte aty në mal për të kullotur një tufë e madhe derrash; djajtë që kishin pushtuar bariun, iu lutën që t’i lejonte që të hynin në kope. Ai i lejoi. Pasi dolën djajtë nga ai njeri, ata hynë të derrat; e tufa u hodh nëpër rrëpirë në liqen dhe aty u mbyt. Barinjtë e tjerë porsa e panë këtë, ikën për të çuar lajmin në qytet e nëpër fusha. Doli njerëzia për të parë se ç’ndodhi; dhe kur arritën te Jezui gjetën njeriun nga i cili kishin dalë djajtë, i veshur dhe i ardhur në vete, i ulur ndër këmbët e tij; e u frikësuan. Dhe spektatorët treguan se si i pushtuari nga djalli; u çlirua.”

                                                                                                                Luka 8 (26 – 39)

 Sipas Biblës, çlirimi i të pushtuarit nga djalli, quhet “Ekzorcizëm”. Ky në shumë fe është një rit i përgjithshëm, magjik, përmes të cilit dëbohen shpirtërat e këqij; në katolicizëm dhe në kishën ortodokse, është riti me të cilin nxirret jashtë djalli nga trupi i një të pushtuari.

Pas këtij citimi të përdorur si parabolë, do të ishte me shumë interes për subjektin që po trajtojmë, një përqasje mes përshkrimit të një dialogu në romanin “Djajtë” me realitetin tonë demoniak që ka pllakosur shoqërinë e sotme shqiptare:

“Pjetër Verhovienski, i cili si një djall i vërtetë i ngjitet pas Stavroginit thotë:

“Dëgjoni Stavrogin: ne së pari do të organizojmë një kryengritje; duhet të hyjmë brenda fshatarësisë. Ne po shohim gjithandej një zbrazësi të kotë, të fryrë jashtmase, brutale, ka dëshira dhe pretendime të përbindshme… A e dini ju se sa shumë jemi rrëmbyer nga idetë e parapërgatitura? Oh, kjo gjeneratë duhet shtuar. Tani gjenden një apo dy gjenerata vesesh që janë më të rëndësishmet: vese të përbindshëm dhe të pështirë të cilët i kthejnë njerëzit në zvarranikë. Këta na duhen neve. Përveç kësaj, na duhet pak gjak i freskët me të cilin do të mësohemi të rrimë aty. Ne do të përballojmë shkatërrimin… do të ndezim zjarre… do të vëmë në qarkullim legjenda… Rusinë do ta përlajë errësira, toka do të thërrasë me të madhe perënditë e lashtë. Të rrafshosh malet, është një mendim i mirë, aspak absurd. Poshtë kultura! Etja për kulturë është aristokratike… Ne do të ushtrojmë dehjen, shpifjen gjurmimin; do t’i zëmë frymën çdo gjenie. Ne do të reduktojmë gjithçka në një emërues të përbashkët. Barazi e plotë. Vetëm më e domosdoshmja është e domosdoshme. Kjo është motoja e mbarë botës këtej e tutje.”

Pas këtij citimi të përdorur si parabolë, është shumë me interes përqasja e atmosferës shoqërore në Rusi, e parathënë nga Dostojevski 35 vjet para se të vdiste, me realitetin tonë demoniak e brutal që ka pllakosur shoqërinë e sotme shqiptare. Mendojmë që ky realitet, për analogji, nuk i lë asgjë mangut penës gjeniale të Dostojevskit. Le të marrim para këtë dialog të nxjerrë nga romani “Djajtë”: të shohim analogjinë e shfaqur në realitetin tonë sfilitës të ditëve të sotme.

Shikoni zhurmën shurdhuese të opozitës: Njëri kërkon “revolucion demokratik”, tjetri bën thirrje për luftë, shpurje gomash, heqje zvarrë pushtetarësh. Ja në romanin “Djajtë”, Verhovjenski i drejtohet Stavroginit: “Ne së pari do të organizojmë një kryengritje; duhet të hymë brenda fshatarësisë. Ne po shohim gjithandej një zbrazësi të kotë, të fryrë jashtë mase, brutale, ka dëshira dhe pretendime të përbindshme […] oh kjo gjeneratë duhet shtuar. Tani gjenden një apo dy gjenerata vesesh që janë më të rendësishmet: vese të përbindshëm dhe të pështirë të cilët i kthejnë njerëzit në zvarranikë. Këta na duhen neve”.

E kështu, a nuk është kjo zhurmë me të njëjtën logjikë që ka pushtuar sot vendin, rrugët, sheshet e vendit tonë? A nuk është një gjeneratë e tillë vesesh të cilët i kthejnë njerëzit në zvarranikë? A nuk po i dëgjojmë ditë e natë thirrjet për shkatërrim, për zjarre, legjenda? … Rusinë do ta përlajë errësira, toka do të thërrasë me të madhe perënditë e lashtë.

Kështu u pat thirrur ai ogur atje. E ja ku e kemi tani këtu te ne; dukuri historike kjo që mund të ngjasë kudo në botë. E në qoftë se do ta zbërthejmë parabolën biblike të zgjedhur nga Dostojevski, do të shohim që njerëzit e mbrapshtë janë të pushtuar nga djalli: Për t’u çliruar, duhet gjetur një shpat mali ku kullosin tufa derrash, e djajtë, duke dalë nga njeriu që ka pushtuar, duhet të hyjë në tufë, e ajo do të gremiset e të mbytet në ndonjë liqen. Ky është “ekzorcizëm” që, sipas shkrimit të shenjtë i çliron njerëzit e pushtuar. E “ekzorcizmi” për shoqërinë tonë fatkeqe do të zbatohet nga Vettingu, zbatimi i të cilit po vjen me hapa të sigurt.

 

1 komente në “Vetting-u, një ekzorcizëm i shoqërisë sonë”

  1. BESIM, QETESI E DASHURI says:

    Nuk jam kundra ketij shkrimi si permbajtje por:

    E po kjo ska …..ku te ri..Islami ( kjo mbetje sunite) citon Biblen per frymezim , jo vetem kaq por perdor fjale greke dhe jo shqipe per te na bindur. Po flisni shqip qe mos tju marrim per idjoter o milet anadollak qe flisni me mire gjuhen e huaj se shqipen. Late nam por me shume ata qe ju lejojne dhe ju bejne jehone.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje