Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, i ka bërë thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit që titullin mos ta vendosin arbitrat.
Numri një i stolit të 15-herë kampionëve të vendit ka thumbuar edhe kreun e FSHF-së, Armand Duka
“Më vjen mirë që presidenti i FSHF –së gjeti mënyrën të reagonte për arbitrat, pasi mori vesh nëpërmjet gazetës qëndrimin që kishin presidentët e Superiores. Eshtë e drejtë dhe përgjegjësi e tij që kjo garë të mos ndikohet nga gjyqtarët , sikundër ka ndodhur deri tani”
Megjithatë Duka është kontradiktor në ato që thotë…
“Po, është kontradiktor sepse nuk e di se cilin Dukë të besoj: atë të fillimit të deklaratës ku thotë se ‘Partizani qahet kot’ , apo Dukën e fundit të deklaratës kur thotë se ‘mes gabimeve njerëzore fshihen arbitrat që fiksojnë rezultatin’ ?.
Tani një pyetje kam për presidentin e FSHF-së , meqenëse Kridenc Meta e kish të shkruar në ballë të mos lejonte Partizanin të fitonte: Duka ku e klasifikon Metën, tek ata që kanë marrë para, apo tek ata që kanë marrë urdhër…?.
PENALIZIMET
“Së pari , dua të saktësoj se nuk kam asgjë me individin Duka, por me Presidentin e FSHF-së, si një njeri me përgjegjësi të mëdha morale dhe institucionale për mbarëvajtjen e garës . I bëj thirrje të shikojë me vemendje sjelljen e gjyqtarëve karshi Partizanit. Nuk flas vetëm si trainer i skuadrës , por i referohem edhe analizës që kish bërë gazeta (Panorama Sport) në lidhje me ekipet më të penalizuara dhe më të favorizuara. Ndër tre pretendentët , Partizani ishte më i penalizuari, ndërkohë që dy të tjerët kishin diferenca të frikshme. Jam dakord që është e vështirë të kemi një arbitrim perfekt, por situate të jetë e balancuar. Shpesh thuhet që në fund të sezonit situate mes favorizimeve dhe penalizimeve është e përafërt , por faktet e publikuara edhe në media treguan diferenca të mëdha. Eshtë për të ardhur keq sepse miliona shpenzojnë të 3 klubet, jo vetëm njëri. Njerëzit të mos harrojnë se janë qindra, mijra tifozë të Partizanit brenda dhe jasht vendit që shohin dhe ndjekin me interes çdo gjë që ndodh.” tha Starova.