Gra të politikës shqiptare – është radha juaj!

27 Prill 2017, 12:50Blog TEMA

Nga Mimoza Kelmendi, Këln

Shqipëria po përjeton një krizë të thellë politike, ndoshta më të rëndën pas viti 1997. Vendi është zhytur në konfliktualitet politik dhe zgjedhjet kombëtare politike që janë shpallur se do të mbahen më 18 qershor, do të jenë më të kontestuarat në historinë e pluralizmit shqiptar, sepse, për herë të parë, në këto zgjedhje PD-ja dhe aleatët e saj në opozitë, kanë shpallur se nuk do të marrin pjesë në to. Opozita ka mbi dy muaj që proteston në një çadër të ngritur në Bulevardin e Madh në krah të Kryeministrisë dhe ka shpallur si kusht të panegociueshëm heqjen e Edi Ramës si kryeministër dhe krijimin e një qeverie teknike që të krijojë besueshmëri për zgjedhje të ndershme e të lira. Partnerët ndërkombëtarë, duke filluar me ambasadorët e rëndësishëm të akredituar në Tiranë, si ajo e BE-së Romana Vlahutin, ai i SHBA-së Donlad Lu dhe të tjerë pëfaqësues të lartë të vendeve europiane, dështuan në gjetjen e një zgjidhjeje politike për të dalë nga kriza.

As ministri i Jashtëm gjerman Gabriel nuk arriti të bindë palët që të negociojnë dhe të arrijnë një marrëveshje për daljen nga kriza. Ndërsa dështimi i të dërguarve të posaçëm të BE-së, z. McAllister dhe Flakenshtein duket se e vulosi krizën dhe mbylli çdo shteg për gjetjen e një kompromisi.

Në shtypin shqiptar, disa herë ishte hedhur ideja që për menaxhimin e kësaj krize mund të krijohej një grup negociator i përbërë nga femrat e angazhuara në politikë dhe ato që kanë një profil të spikatur. Parlamenti shqiptar ka hapur procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe një pjesë e mirë e opinionit shqiptar, kishte shprehur idenë se ka ardhur koha që në krye të këtij institucioni mund të zgjidhej një femër, një grua e përkushtuar në politikë dhe me profil të spikatur. Kryetari i një partie shqiptare, z. Shpëtim Idrizi në një koment të tij e mbështeti idenë e shfaqur më herët prej nesh që kriza në të cilën është futur politika shqiptare mund të menaxhohet nga një grup zonjash që u përkasin të gjitha krahëve të politikës. Por edhe ky opsion nuk arriti të bëhej pjesë e axhendës për zgjidhjen e krizës së rëndë ku është futur politika shqiptare.

Mirëpo sa herë që konfliktet politike acarohen, zëri i femrave në menaxhimin e krizave të tilla shuhet. Është krijuar përshtypja se në vendet ballkanike ku konfliktet e të gjitha llojeve janë të ashpra, vendi i femrës dhe roli i saj zvogëlohet. Mirëpo sot më shumë se kurrë, sidomos në Shqipëri iniciativat politike që do të ndërmerreshin nga gratë e angazhuara në politikë dhe me profil të spikatur, do të ishin të mirëseardhura. Për fat të keq këto kohë të krizës politike të gjitha stacionet televizive kombëtare dhe rajonale, në panelet e tyre kanë pasur kryesisht politikanë meshkuj dhe analistë po ashtu meshkuj. Unë e kam përmendur edhe njëherë më parë në këtë seri shkrimesh për rritjen e rolit të femrës në politikën shqiptare se media duhet t’i kishte kërkuar dhe t’i kishte lënë vend më të madh opinionit të zonjës Jozefina Topalli apo të zonjave Valentina Leskaj e Arta Dade apo Majlinda Bregu.

Para disa kohësh u mbajt në Bruksel një takim i Bordit Drejtues të Forumit të Grave të partive Popullore Europiane. Në këtë takim, ish-eurodeputetja Pack, e njohur për qëndrimet e saj të ashpra kundër qeverisë Rama, u shfaq në krah të deputetes shqiptare të PD-së, zj. Albana Vokshi dhe artikuloi një tekst të rëndë kundër qeverisë dhe kritikoi qëndrimin e ministrit të jashtëm gjerman për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Natyrisht që këto qëndrime janë politike dhe të identifikuara si të një grupi të caktuar politik që është në opozitë në rang europian me grupimin e partive eurosocialiste. Mirëpo në klimën e rënduar shqiptare, kur nga të gjithë po kërkohet vetëpërmbajtje dhe tejkalim i krizës, deklarata të tilla si ato të zj. Pack dhe aq më tepër në një forum të grave europiane nuk i shërbejnë tejkalimit të konfliktit politik. Ndoshta edhe ky forum i lartë i PPE-së mund të kërkonte instrumente të tjera që të paktën gratë të bëheshin nismëtare të tejkalimit të krizës përmes bashkëpunimit dhe grupeve të përbashkëta me koleget e tyre të krahut tjetër politik. Mirëpo duket se klima e rëndë politike ka infektuar thellë jetën politike jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, duke e çuar vendin drejt një rruge pa asnjë drejtim.

Po çfarë pritet të ndodhë në politikën shqiptare dhe a ka ndonjë mundësi që në instancë të fundit, të jenë gratë e angazhuara në politikë që të shfaqen me një profil ndryshe? Janë të gjitha mundësitë sepse Shqipëria po i tejkalon të gjitha parashikimet dhe po futet në një ngërç politik të padëgjuar më parë. Gratë e angazhuara në politikën shqiptare kanë rastin që të ngrejnë zërin e tyre, të dëgjohen dhe të propozojnë zgjidhje që e tejkalojnë konfliktin e egër politik. Ato duhet t’i tregojnë politikës shqiptare se si nëna dhe si gra do të përballen me një kosto të rëndë nëse kriza do të përshkallëzohet. Të mos harrojmë se të gjitha krizat e rënda që ndodhin në një shoqëri përplasen në familje dhe përkthehen aty me papunësi, dëshpërim, depresion, mungesë shprese, dëshirë për t’u larguar nga ky vend etj. Të gjitha këto plagë që mund të hapen në shoqërinë shqiptare do të prekin në radhë të parë familjet tona dhe kur themi familje kemi thënë nëna, sepse të gjithë e dimë se çfarë peshe mban nëna shqiptare në familje.
Nuk është vonë asnjëherë për të lëshuar kushtrimin, gra shqiptare të politikës, mos rrini, po dukuni! Shfaquni! Tregojini burrave të politikës shqiptare se gjuha e urrejtjes dhe konflikti nuk të çon askund. Është radha juaj!

5 komente në “Gra të politikës shqiptare – është radha juaj!”

  1. Devolliu says:

    Me kujtohet Jozefina me urtesine e saj kur i kerkonte Sali Berishes t’u fuste ndonje plumb ballit socialisteve.
    Zonja Kelmendi , hesht !

  2. spartak says:

    Z. Mimoza .
    Nuk më takon me fol , se jam burrë , por do shkruaj vetëm dy vargje të Shyhrete Behlulit :
    Gra , moj gra , jem shtylla e shpisë .
    Pa ne dita , qysh me u nisë .

  3. Asus says:

    Mire e ke ti moj zonje po femrat ketu ose Jane si burrat ose nuk kane ze, ose fladin me zerin e burrave. Sepse keto femra nuk I kane fituar te drejtat me lufte po i kane dhurate.

  4. Andi Kananaj says:

    Eja o Majlinda Kelmendi, mos ri me ne Koln, po martohu me Ed Ramen, se ke me shume hapesire?!

  5. Adriana Jaupaj says:

    Aman te lutem ato qe jane , me te shpifura nuk ka , kuni kane gjetur o zot i madh njera eshte me PD njera me PS kur eshte ne Pushtet PD eshte drejtoresh e vogla , eshte ne pushtet Ps drejtoresh e madhja e vogla nendrejtoresh bejne ndere zonjat ne fjale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje