Dhuna në Maqedoni, 102 persona u plagosën. 3 deputetë dhe 22 policë viktima të sulmit

28 Prill 2017, 08:48Rajoni TEMA

Pas një situate dramatike, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se është normalizuar gjendja në Kuvend dhe rreth tij, duke u rivendosur rendi dhe qetësia, njoftoi TV SHENJA.

Nga MPB njoftojnë se pas trazirave të shkaktuara, do të ndërmarrin masa dhe aktivitete shtesë me qëllim të mbrojtjes së sigurisë së qytetarëve, pronave dhe sigurimin e gjendjes stabile të sigurisë.

Sipas komunikates së MPB-së, gjithsej 102 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Në Spitalin e Qytetit që ndodhet përballë Kuvendit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë.

Gjithashtu, në kazermën në Gjorqe Petrov, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 7 qytetarë të tjerë.

MPB bën të ditur se tanimë të gjithë janë larguar nga hapësirat e Kuvendit, ndërsa protestuesit akoma po vazhdojnë të qëndrojnë jashtë tij.

Video/ Situata alarmante në Maqedoni, policia ndërhyn me “bomba” për të larguar turmën

Situata para Kuvendit të Maqedonisw vazhdon të jetë e tensionuar. Turma e protestuesve sa vjen e shtohet. Raportohet se protestues po vijnë nga të gjitha anët e kryeqendrës por edhe qyteteve tjera të vendit.

Raportohet se për momentin njësiti special po bën përpjekje për të evakuuar deputetët dhe gazetarët e ngujuar. Po dëgjohen edhe krisma nga shok-bombat. Megjithatë nuk ka informata nëse bombat i ka hedhur policia apo protestuesit.

Forcat policore të Maqedonisë kanë ndërhyrë në Kuvend, të cilët raportohet se kanë përdorur gaz lotsjellës, ndërsa në këto momente nuk po mund të kontaktohet asnjë deputetë që gjendet brenda Kuvendit të Maqedonisë.

Edhe pse Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu deklaroi më parë se gjendja po vjen drejt kontrollit, mediat lokale raportojnë, se kaosi brenda Kuvendit të Maqedonisë është duke vazhduar, kurse drejt Shkupit janë nisur qytetarë nga qytete tjera të Maqedonisë.

KosovaPress ka tentuar të flas me disa nga deputetët që ndodhen brenda Kuvendit të Maqedonisë, por një gjë ë tillë ka qenë e pamundur, nuk dihet nëse valët telefonike janë bllokuar për arsye sigurie, apo telefonat e tyre nuk janë funksional për arsye tjera teknike.

Ndryshe situata ka dal jashtë kontrollit, pas zgjedhjes së kryetarit të Maqedonisë dhe protestuesit të udhëhequr nga lëvizja “Për Maqedoni të përbashkët” kanë pushtuar Kuvendin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje