Partizani arriti që me një paraqitje jo të mirë të fitonte derbin. Mbrojtësi Renato Malota direkt pas derbit, në një intervistë për “Panorama Sport”, e pranon që loja nuk ishte e mirë, por rëndë- si kanë pikët. Ai shprehu besim se “demat” do të dinë që ta fitojnë edhe finalen e madhe me Kukësin.
Si ish-kapiten i verilindorëve, Malota e njeh mirë pikën referuese të Kukësit, Pero Pejiç. Lezhjani e vlerëson shumë kroatin, pasi ia di sekretet dhe ka besim se do ta lërë në hije sulmuesin në sfidën e së premtes.
Malota, Partizani fitoi derbin, por loja e ekipit pati shumë probleme…
Në këtë fazë ku ndodhet kampionati, rëndësi thelbësore kanë pikët maksimale dhe jo loja sesi arrihet fitorja. Duke parë sesi shkoi ndeshja, jam shumë i kënaqur me rezultatin përfundimtar të derbit. Ishte një fitore e vuajtur.
Mbrojtja, por thuajse i gjithë ekipi, u duk në tension ndaj Tiranës duke bërë edhe gabime elementare. Cili ishte shkaku i asaj pasigurie?
Këto ndeshje kanë brenda tensionin, si dhe përgjegjësia është e madhe. Nganjëherë ato bëhen të gjitha bashkë, por rëndësi ka që morëm trepikëshin. Duhet të bënim më mirë te goli i pësuar, por faktet tregojnë se mbrojtja e Partizanit mbetet një nga repartet më të mira në Kategorinë Superiore.
Kishit parë më parë një Tiranë kaq të karikuar sa në derbi?
Kjo më bën shumë përshtypje, pasi në takime të tjera nuk i kam parë të luajnë kështu. Gjithsesi, derbi ka specifikën e tij, të karikon edhe kur nuk kalon momente të mira. Më bëhet qejfi që Tirana luajti fort ndaj Partizanit, por neve ua kthyem dyfish duke e fituar derbin.
Mos ndoshta te bardheblutë ka ndikuar edhe premio e vendosur nga të tretët, që luajtën shumë të motivuar ndaj jush?
E vërteta nuk është thënë, por me sa di ata kanë pasur premio edhe nga ekipe të tjera. Gjithsesi, më vjen mirë që u mundën. Me bindje të plotë them se pathyeshmëria e Partizanit në derbi do të vijojë gjatë. Atyre do t’u duhen shumë vite për të fituar ndaj Partizanit.
Suksesi në derbi mund të quhet fitore me aromë titulli, ndonëse vendimtare mbetet ndeshja e radhës me Kukësin?
Nuk dua të them kështu, fitore me aromë titulli. Ekipi është me këmbë në tokë dhe tani presim finalen e madhe me Kukësin. Mendoj se kjo ndeshje do t’i ndajë të gjitha gjërat, ndonëse pas derbit kemi besim se nuk ndalemi deri në fund.
Kukësi duket si i varur nga forma e Pejiçit. Ju e njihni mirë sulmuesin, pasi e keni pasur shokë skuadre te verilindorët. A e dini sekretin për ta ndalur Pejiçin të shtunën ndaj Kukësit?
Pejiçin e respektoj shumë si njeri dhe si lojtar, pasi është shumë profesionist. Çdo lojtar ka pikat e tij të forta dhe të dobëta. Do të mundohem të jap më të mirën në këtë takim dhe të bëj maksimumin që Pero të jetë në hije në këtë përballje.
Duke ditur që Krasniqi është i pezulluar për Kukësin, kam besim se së bashku me Atandën do të dimë që ta mbulojmë më së miri Pejiçin. Gjithsesi, është e kotë të flasësh para kohe, pasi do të jetë fusha e lojës ajo që do të tregojë çdo gjë. Shpresoj që si ekip ta kalojmë me sukses këtë finale të madhe dhe të ecim të sigurt drejt realizimit të objektivit.