Sot është dita e fundit e Republikës së Vjetër. Luli përballoi me guxim dhe trimëri tri orë bisedime që tentonin të shpëtonin Republikën e Vjetër nga Republika e re dhe ia doli me sukses.
Ne po prisnim në ankth në çadër, se çfarë kishte ndodhur, kur dëgjuam më në fund që foli Doktori, duke hedhur kushtrimin, se Shqipëria apo shkon në humnerë prej Edi Ramës. Aty e kuptuam që kjo ishte fitore dhe duartrokitëm.
Pas kësaj në çadër mbëritën deputetët qëndrestarë që mbrojtën vendimin e Lulit.
I pari ishte Strazua. Ai u ngrit i emocionuar mori mikrofonin dhe filloi të flasë.
“Kjo është thjesht një Çadër me konstruksion alumini, që bllokon rrugën mes godinave të pushtetit!
E çmueshme sa sakrifica për “Tokën e Premtuar”
E mundimshme si “Via Crucis”
E pashmangshme si “Hijrah”…
Sot 75 ditë është shenjtëruar si vend pelegrinazhi e mundësi purifikimi, për njerëzit që nuk e negociojnë LIRINË!!”
Shpërthyen duartoktijet.
Pas tij u ngrit deputeja seksi e Cërrikut.
“Partia Demokratike nuk ka vuajtur kurrë për gra luftëtare. Ne do të jemi në Kavajë, në vijën e pare të frontit, ashtu siç e meriton ai qytet. Kavaja dhe Elbasani janë sinonim i qëndresës femërore dhe të dielën keni për të më parë përballë burrave të Edi Ramës. Le të guxojë dikush të ndjehet burrë para meje”
Duartrokitje në çadër.
Pas saj e mori fjalën deputetja e Vlorës.
“Mallkuar qoftë Edi Rama dhe ju bëftë zeher buka e popullit, që na detyron të zihemi me njëra tjetrën. Dëgjova dje Jozin që thoshte duhet të hyjmë në zgjedhje dhe nuk e kuptoj se si mund të hyjmë ne në zgjedhje, me Edi Ramën Kryeministër. I zëntë sytë buka e PD dhe e Doktorit, se ne as sa një e qinda e saj s’kemi marrë dhe japim jetën për të”.
I fundit foli Flamuri.
“Ai burri ka dhënë kushtrimin dhe të djelë do jemi në Kavajë. Po qe nevoja do japim dhe jetën për të mbrojtur qendrat e votimit nga ata që duan të votojnë. Kam bërë një plan të hollësishëm operativ dhe të 15 bashkitë tona do nisin njerëzit për Kavajë me këmbë nga Tirana, dhe në orën 11.00 të bëhemi gardh para qendrave të votimit. Protesta do të jetë e dhunshme, por paqësore nga ana jonë”
-Çdo të thotë e dhunshme por paqësore nga ana jonë, e pyeta deputetin Ruli?
-Po ç’të të them unë vajzo,- tha Ruli. Ndoshta e ka fjalën po na rrahën të mos reagojmë.