LUP-JAVA/ Katagoria Superiore, java e 32-të

8 Maj 2017, 15:40Sport TEMA

Emocione dhe “hesape”. Kujdes “lapsin”!

Nga Ervin Baku

Tashmë janë tri skuadra me potenciale thuajse të barabarta për të përfunduar garën e para. Britma nga fundi për t’i shpëtuar rrëzimit. Gola dhe hamendësime për lëshime në ndonjë takim. Gjyqtarë, që këtë radhë tregohen striktë me rregulloren duke ia lënë vendin e të diskutuarit pikërisht sllovenit i cili gjykoi Partizani – Kukësi. Sfida kryesore e javës nisi të premten, teksa dy skuadrat kryesuese u vunë përballë njëra-tjetrës në “Selman Stermasi”.

Si rrallëherë këto sezone të fundit, ka mbipopullim në shkallë. Matej Jug dha drejtësi. Në stilin e tij, sepse nga zhvillimet në fushë rezultoi shumë ndryshe. Partizani, i nisur favorit, befasohet nga Kukësi, ndërsa kalon i pari në epërsi. Me fat të kuqtë të cilët me startin e fraksionit të dytë gjejnë barazimin, por dhe pse dominuan nuk ia dolën t’i shkaktonin humbjen e parë sezonale verilindorëve.

Rekord më vete ky i këtij Kukësi dhe i Ernest Gjokës. Nga ana tjetër, Skënderbeu duket se ka “duartrokitur” barazimin. Më mirë, “prishej”. Veçse në takimin e tij, ekipi korçar gati sa nuk e menderosi ndaj një Vllaznie gjithnjë të paparashikueshme. Gola të shumtë, gabime, gafa dhe akuza nga vetë tekniku Cungu. Kësaj radhe për gjyqtarin dhe për një lojtar nga të tijtë. Të cilin e përjashton nga skuadra. Gjithësesi, Skënderbeu besoi deri në fund. Kampionët marrin atë që kishte në plan, tri pikët dhe më në fund, sërish një pikë pas dy “simotrave” të kreut.

Nëse në takimin Korabi – Teuta s’ka histori (Teuta shpartallon 4-0 dibranët), në duelin e Laçit, mes vendasve dhe Luftëtarit, u pa një ndër betejat më të flakta të javës. Juxhin Xhaja duket se bëri gjyqtarin e “huaj”! Jo vetëm tregoi personalitet dhe aftësi përgjatë tërë takimit, por pati kurajon të akordojë një penallti dhe një karton të kuq kundër të zotëve të shtëpisë. Serxhio Zhunior i Laçit (i huazuar nga kampionët) shënon të vetmin gol me këtë fanëllë në minutën e 92-të duke i dhënë bardhezinjve tri pikë shprese. Gjoni dhe Lushkja dëmtohen rëndë, me kavajsin që përfundoi në spital. Sakaq, në Vlorë e kanë mësuar “melodinë”.

Duro në pak muaj ka arritur të kthejë në optimale vlerat e futbollistëve të Flamurtarit. “Shkund” Shkodra në çastet e fundit me një gol magjik, ndërkohë që për ta “vrarë” Tiranën mendon Bushiç, cili finalizon një aksion model të Alvesh. Kryeqytetasit notojnë në fund dhe këtë radhë ndihen vërtetë të rrezikuar. Mesjava ndaj Korbait në shtëpi pritet të ofrojë fitoren e parë për vitin 2017.

Nëse Korabi nuk do të bëjë ndonjë të “pabërë”, siç bëri dy javë më parë në Shkodër me vendasit. Kështu pra! Katër javë nga fundi, skuadrat shfaqen më të pa-profilizuara se kurrë. Sentenca e mëparshme “dal kampion, nuk rrëzohem” ngjan më së shumti me vetë-inkurajimin e drejtuesve të klubeve.

Të mërkurën, edhe njëherë në terren. Duele, emocione…tundime. I tillë është futbolli, që këtë edicion po mban në ankth nëntë nga dhjetë skuadrat pjesëmarrëse në garë.

Lup-Java ka një sugjerim: pastër dhe kujdes “lapsin”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje