Skenarët e mundshëm, mbijetesa dhe vendi i katërt ende në lojë

21 Maj 2017, 14:23Sport TEMA

Dy ishin pikëpyetjet e mëdha që u hoqën në javën e parafundit të Kategrisë Superiore, Kukësi kampion dhe Teuta matematikisht jashtë betejës për mbijetesën. Kategoria Superiore mbetet ende e hapur në dy fronte kryesore me pjesën më të madhe të skuadrave që do të japin gjithçka në 90 minutëshin e fundit për të arritur objektivat. Sigurisht që pikëpyetjet më të mëdha lidhen me emrin e skuadrës së dytë që do të shoqërojë Korabin drejt Kategorisë së Parë.

Gara mbetet e hapur me 4 skuadra në lojë, Laçin, Tiranën, Vllazninë dhe Flamurtarin. Vlonjatët duhet thjesht të bëjnë detyrën në javën e fundit përballë Korabit tashmë të dorëzuar për të siguruar mbijetesën dhe në këtë aspekt, ata janë skuadra më e avantazhuar. Dueli i vërtetë dhe ndoshta më i rëndësisishmi i këtij sezoni në garën e mbijetesës do të luhet në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Tiranës. 39 pikë numërojnë shkodranët dhe 1 më pak bardheblutë që lënë pas Laçin dhe Flamurtarin me 37 por dueli direkt mes dy prej skuadrave më të titulluara të Shqipërisë, mund të thyejë kokën e njërës prej tyre.

Asnjëherë më parë në të njëtëën ndeshje dy nskuadrat nuk kanë qenë në këto pozita pasi në vitin 2009 Vllaznia dhe Tirana përplasën brirët në ndeshjen e fundit që vendosi titullin për bardheblutë, ndërsa në sezonin 2013-2014 ishte sërish Tirana që fitoi ndaj kuqebluve duke siguruar mbijetesën vetëm në javën e fundit të kampionatit. Ndeshjet do të luhen të gjitha në një orë por në Shkodër do të qëndrojnë me njërin vesh nga Laçi, aty ku skuadra e Nicës pret Teutën.

Thriller i vërtetë për 90 minutat e fundit pasi nëse kurbinasit fitojnë atëherë mbijetesa do të luhet e gjitha në Shkodër me Vllazninë që ka në dispozicion dy nga tre rezultatet e mundshme, fitoren dhe barazimin, ndërsa Tirana duhet të fitojë me çdo kusht pasi çdo rezultat tjetër në rast të fitores së Laçit e rrëzon për herë të parë një kategori më poshtë.

Gjithsesi, ndoshta ky nuk është një skenar i gjithi i realizueshëm, pasi Teuta edhe pse tashmë e shpëtuar, me një fitore të mundshme do të pretendonte vendin e katërt që le të hapur mundësinë e një bilete europiane. Në kampin durrsak ndoshta do të jenë të kënaqur nëse e arrijnë këtë objektiv duke diktur vështirësitë që ka kaluar ekipi këtë sezon, por edhe në këtë rast gjithçka do të varej nga rezultati i sfidës Luftëtari-Kukësi pasi një fitore e vendasve do të zhvlerësonte çdo përfundim nga transferta e Laçit për Teutën.

Situata bëhet më ironike nëse llogarive u shkojmë deri në fund pasi matematikisht edhe Vllaznia e Tirana janë në lojë për vendin e katërt. Fitorja e njërës prej skuadrave e kombinuar me hapat falsë të Teutës dhe Luftëtarit do t’i katapultonte në këtë pozicion por gjithsesi ky është skenari më pak i mundshëm pasi i gjithë fokusi është përqëndruar te mbijetesa. Java e 35 do të vendosë pikat mbi “I” pas një sezoni të gjatë dhe emocionues./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje