Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm ditën e sotme në fshatin Manëz në kryeqytet, në një takim me fermerët e zonës.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka folur edhe për votimin e vettingut.
Ai tha se reforma në drejtësi është operacioni më i rëndë që është bërë në trupin e shtetit shqiptar.
Sipas tij, ky operacione çon thikën deri në palcë dhe do pastrojë të gjithë metastazat e kancerit në sistem.
“Njerëzit nga televizori shohin lajmet e këqija dhe nuk kanë faj që e mendojnë Shqipërinë ashtu.
Më vjen mirë që vij këtu pas një dite pas zhbllokimit të Vetting-ut.
Në një vend si ky, prapë do të fillojnë muhabetet e rakisë nëpër tavolina.
PD me 50 % e vet kishte bllokuar procesin e Vetting-ut.
Ka juristë me eksperiencë 15-vjeçare që kanë konkurruar tek Avokati i Popullit që presin të fillojnë e të bëjnë pastrimin e pallatit të Drejtësisë.
Njerëzit nuk kanë faj sepse kanë parë shumë momente krizash që kanë ngelur bllof.
Reforma në drejtësi është një reformë që duhej rregulluar që në momentin e parë.
Ne nuk erdhëm në qeveri në 2013 për të arnuar.
Ne kemi ardhur për të operuar dhe për të shëruar.
D.m.th reforma në drejtësi është operacioni më i rëndë që është bërë në trupin e Shqipërisë në këto 27 vite.
Sepse e çon thikën deri në palcë për të operuar. Sigurisht që duhej bërë më parë. Ajo që duhej bërë në çerek shekulli u bë në 3 vite”, tha Rama, që ka ironizuar edhe analistët.
“Sot Shqipëria është më mirë se ç’ishte dje në mëngjes.
Pse? Sepse morëm guximin për zhbllokimin e Vetting-ut.
Këta të tepsisë që dalin nëpër televizione dhe ca quhen analistë, ca përplasin duart mbi tavolinë, flasin për ju, por mendjen e kanë tek tepsia për veten e tyre.
Uleni zërin e TV dhe shihjuni fytyrat, e nëse do ju mbushin mendjen se ndonjë fytyrë nga ata atje ka lidhje me ndonjë fshatar, atëherë shkojini e votojini, por asnjë fytyrë aty s’ka lidhje me ju”, tha Rama.