Minoriteti grek në Shqipëri do të ketë gjithmonë vëmendjen e Partisë Socialiste, e cila ka treguar me vepra dhe jo me fjalë mbështetjen ndaj tij. Ky ishte mesazhi i dhënë gjatë takimit prezantues të kandidatit Andrea Marto në zonën e Finiqit. Në prezencën edhe të kryebashkiakut Leonidha Kristo, Drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri deklaroi se kjo zonë është pjesë e përspektivës së turizmit.
“Me mbështetjen e qeverisë gjermane po mendojmë edhe për një masterplan që të kombinojmë edhe agroturizmin. Të jetë pjesë e perspektivës së turizmit të Sarandës e lidhur edhe me këtë zonë. Saranda, pak nga pak po kthehet në një destinacion turistik”, u shpreh Gjiknuri.
Ai njoftoi se do të fillohet studimi për aeroportin turistik të Sarandës që do ti vlejë të gjithë kësaj zone. “Kjo do të sjellë më shumë të huaj. Kombinimi i turizmit detar me pjesën arkeologjike dhe historike, shtuar edhe me agroturizmin, do të sjellin një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik. Ne duhet të zgjidhim gjërat që janë të përditshme, dhe kjo qeveri ka treguar edhe me njerëzit që kemi këtu, se ne kemi mundësi të bëjmë sëbashku më shumë gjëra”, u shpreh Gjiknuri.
Kandidati Andrea Marto falenderoi Kryeministrin për vlerësimin që i bëri minoritetit duke e vendosur në zonën e sigurtë fituese.
“Partia Socialiste ka bërë në Qarkun e Vlorës një liste dinjitoze. Vendi i pestë në listën e Vlorës nuk është një nder që më bëhet mua, por është një nder që Partia Socialiste dhe Edi Rama po i bën minoritetit etnik grek në Shqipëri”, u shpreh Marto.
Sipas tij, minoriteti etnik grek ka qenë gjithmonë një pjesë e pandarë e vendit tonë, që ka dhënë kontributin e tij që në Luftën Nacional Çlirimtare për rindërtimin e Shqipërisë dhe vazhdon ta japë akoma dhe sot në çdo pozicion që ndodhet.
“Prandaj, ne do të votojmë Partinë Socialiste, do të votojmë Edi Ramën Kryeministër që nesër ballëhapur ti kërkojmë sa më shumë investime në zonën tonë. Të krijojmë kushte të tilla që të kthehen sa më shumë minoritarë dhe të jetojnë në vendet e tyre”, insistoi Marto.
Kryetari i Bashkisë së Finiqit i ka kërkuar banorëve që të mbështesin Partinë Socialiste pasi vetëm në këtë mënyrë minoriteti do të marrë vëmendjen që meriton.