Bashkëshortja e 60-vjeçarit Agim Arapi, pronarit të marketit që u vra pas një konflikti në dyqanin e tij muajin e kaluar në Durrës, deklaroi se është tallur nga një prej të akuzuarve fillimisht për vrasjen, Jurgen Kurti.
Vëllezërit Kujtim dhe Konstandin Ekonomi, të cilët akuzohen për vrasjen janë arrestuar nga policia dhe më pas janë lënë nën masën e “arrestit me burg” nga Gjykata e Durrësit.
Ndërsa Jurgen Kurti, që shoqëronte Kujtimin dhe Konstandin, është lënë i lirë pas shoqërimit në polici.
Sipas policisë, ai nuk ka gisht në krim, por bashkëshortja e viktimës thotë se ai është përgjegjës për vrasjen e burrit të saj dhe kërkon burgosjen e Kurtit.
“Kërkova ndihmë dhe nuk ma dha njeri.
Jurgeni më del mbrapa dhe më tall. Çfarë bëmë?! Ta vramë!“,-shprehet Vjollca Arapi për “Ora News”.
Ajo ka hedhur akuza, se Prokuroria nuk po i merr në shqyrtim provat filmike të fiksuara nga bizneset përreth.
“Unë dua drejtësi. Ata të tre e kanë vra. Unë hak nuk marr. Haku për mua është drejtësia dhe Zoti, sepse ma kanë vrarë të tre burrin, ma kanë masakruar”, shprehet Vjollca Arapi.
Prillin e vitit 2016 Jurgen Kurti u akuzua për vrasjen e babait të tij, Artur Kurti në banesë, por më pas u la i lirë, pasi përgjegjësinë e mori daja i tij, i cili mori dënim me burg.