Totti dhe 70 mijët e përlotur

31 Maj 2017, 16:41Sport TEMA

Nga Pëllumb Kulla

E dij, janë të paktë miqtë që qysh para 10-12 vjetësh më kanë dëgjuar t’i paracaktoja Françesco Tottit kryevendin në historinë e futbollit Italian të të gjitha kohërave. Por unë, më besoni, e kam bërë këtë vlerësim. Ky nuk ishte nga lartësia e një specialisti, apo njohësi të historisë 130 vjeçare të futbollit të atij vendi. E pranoj që ishte admirimi i artit të Tottit, që më shtynte të guxoja atë vlerësim, një vlerësim që edhe po të ishte i tepëruar, nuk do të më bënte të skuqem. Por entuziazmi im gjatë soditjes së marrëdhënies së atij lojtari me topin, të goditjeve të tij, të qarkullimit elegant, nuk më la ta ulja deri më sot stekën e vlerësimit. Dhe të djelën, në stadiumin olimpik të Romës, m’u duk se vlerësimi im kishte qënë lumturisht i qëlluar.

Një stadium i mbushur dingas me të mëdhenj edhe të vegjël, me burra dhe gra, që me lotë në sy, prisnin të rishikonin Tottin e tyre edhe pasi ndeshja e radhës pat mbaruar. Ajo kishte qenë ndeshja e fundit e kapitenit të skuadrës romane, lojtarit më të shquar të ekipit. Ai po ndahej nga fusha e tyre e futbollit, ai po i linte sprintet, driblimet, pasimet e befta që pat bërë mbi barin e Olimpikos, ai po “e shuante dritën që 25 vjet kishte rënë mbi veprën e tij.” Totti kishte qenë pra një lojtar i jashtëzakonshëm edhe për bashkëqytetarët e tij! Vlerësimit tim jetëgjatë sapo i gjeta me krenari një vend krah përcaktimit të të famshmit Maradona, i cili dy ditë më parë pat thënë se Totti kishte qenë “lojtari më i shquar që ai kishte parë në jetën e tij futbollistike”.

Pastaj nuk ishin të pakta mesazhet e dashurisë, falenderime të klubeve rivalë italianë, të mbretërve, të senatorëve, klubeve më të shquara të rruzullit si Bayerni i Mynihut… Urime vinin nga Bernabeu i Realit të Madridit, atij stadiumi, ku dy vjet më parë, traineri pat futur në mes të lojës Françesco Tottin dhe sapo mjeshtri u anunçua, i gjithë publiku i atij tempulli u ngrit më këmbë! Si me urdhër! Ishte urdhëri i admirimit, i jetëgjatësisë së rrallë futbollistike. Totti të djelën doli përpara një turme mbresëlënëse tifozësh dhe u nda me ta. Me lotë në sy, me zërin e këputur nga emocione të paprovuara, nga pamja e paimagjinuar se ikja e tij do shkaktonte këtë efekt që përjetohej rrallë nga ata që mbushnin shkallët dhe nga miliona teleshikues! Ishin të papërmbajtshëm lotët e shokëve të skuadrës, stafit të Romës, të rinjve dhe të rejave që kishin ndërtuar atë dekor njerëzor lamtumire. Françesco Totti do të mbahet mend si një lojtar i fuqishëm, me një teknikë të rrallë në administrimin e topit, me një fizik të jashtëzakonshëm, me një temperament përshkënditës. Do të mbetet shëmbull i regjimit sportiv.

Do të mbahet mend për golat e tij të rrallë që rivalizonin në bukuri me nxjerrjet që ai u bënte shokëve para portierëve kundërshtarë. Ai do mbahet mend për finalet gjermane të 2006, kur në Berlin Italia u kurrorëzua kampione e botës. Ai do mbahet mend për ndeshjet trupore me kundërshtarët, pakënaqësitë e pafshehura ndaj trainerëve, do të mbahet për dobësitë njerëzore si ajo e pështytjes së atij danezit që me sukses arriti ta kryejë detyrën për ta nervozuar. Do të mbahet mend shkelmimi nga prapa i një kundërshtari që e dribloi kapitenin e Romës dhe e la pas.

Nuk do të harrohen grindjet me arbitrat, kartelat e kuqe që e dëbonin nga qilimi i fushës dhe gjithçka e madhërishme dhe banale, që përmblidhen në një karakter të rrallë, në luftërat e tij të panumurta për triumfin e ekipit roman dhe atij kombëtar. Para ca vjetësh, kur një lojtar tjetër i jashtëzakonshëm me emrin Pavel Nedved, si admiruesi i palëkundur edhe i atij, – se zemra ime për të tilla figura ka vend plot! – në ditën që ai i tha lamtumirë futbollit, unë shkrova se ajo ishte një ditë e hidhur. Shkrova me emocion se ajo ditë kur lojtarë të një kalibri të tillë pushojnë së lozuri, është një ditëzie allasoj. Shkrova se në ngjarje të tilla flamurët e stadiumeve të gjithë botës duhet të ulen në gjysmështizë! Merret me mend se cfarë duhet të them tani për Tottin, kur kemi përpara shtatëdhjetë mijë palë sy të përmbytur nga lotët! Megjithatë shumë pyetje ngrejnë kokën në këtë rrëfim. Shumë përsera! Përse gjithë ai spektakël tronditës?! Për vlerat sportive? Edhe në shumë sporte të tjerë ka lojtarë virtuozë: në basketboll, në tenis, atletikë, not…

Por nuk besoj të ketë ndodhur e të ndodhë kështu në largimin e atyre lojtarëve nga aktiviteti sportiv. Bile edhe futbollistë si Totti ka pasur edhe do të ketë, me siguri edhe më të mirë se ai, por një pamje e tillë zor të arrihet. Përse?! Për vlera qytetare? Në një qytet e lenë shpesh aktivitetin plot njerëz të shquar, shkencëtarë, pedagogë, klerikë, artistë… Një pamje si ajo e djeshmja nuk mund të arrihet! Atëherë përse njerëzit grumbullojnë aq përjetime, kujtime, emocione dhe ofshama përballë një futbollisti në largim?!!! Unë e shpjegoj atë me arsyen se futbolli më shumë se çdo sport tjetër është copëz e një jete shoqërore që njerëzimi e shfaq në miniaturë. Është një jetë ku gjallojnë pritjet, shpresat, një jetë me luftë, me invalidë, me të plagosur, me të vdekur. Është një jetë në miniature, ku ka fitore, ku ka disfata, ka ngadhnjime pas shpresave të humbura, ku ka talente, ku ka lojtarë të futur në ekip me miqësi, ku ka intriga, korupsion, me miliona dhe miliarda që kalojnë nga bankat dhe nën duar, ku ka padrejtësi, ku ka dënime të padrejta, ku ka himne, ku ka flamurë, ku ka terrorizëm, ku ka britma shumë miljonëshe dhe ofshama dhimbjeje që lëshohen njëkohësisht në qindra mijëra të bashkuar në stadium tok me ato të milionave nëpër sheshe para ekranëve gjigandë.

Por përsëri në rastin e Françesco Tottit kjo nuk është një arsye e mjaftueshme. Totti na ofron diçka më shumë se të tjerët. Më shumë se Ronaldoja, më shumë se Ibrahimoviçi… Totti, sikurse ata, frymëzon të rinjtë dhe mrekullon turmat, por Totti i le pas ata me besnikërinë e tij ndaj fanelës. Ai, një djalë nga lagjet e Romës, u fut që akoma 15 vjeç në futbollin e madh dhe lozi në tërë stadiumet e botës për 25 vjet me radhë si një lojtar i ekipit të kryeytetit italian. Ai u rezistoi këngëve të sirenave, kërkesave të Realit, të Milanit, të Mançesterit. Ai qëndroi me Romën, ku nuk fitoi dot veçse një kampionat dhe ca kupa, teksa mund të fitonte shumë më tepër me skuadrat që thamë. Edhe unë mund të them se ishte e natyrshme dhe fare normale që ai t’i kishte dëgjuar sirenat, por ai u ndënji shurdh atyre. E ja, pikërisht, ata lotët e djeshëm përbënin një shpërblim qiellor. Por sikurse shokët e tij të këtyre kohërave moderne, mund të mos i përbuzte edhe ai ato shpërblimet ‘tokësore’ të Messit dhe Ronaldos. Vlera e Tottit edhe për mua (që nuk do të më hynte asgjë në xhep!), është se ai ruajti frymën e vjetër të futbollit të fillimeve të tij. Sot disa qytete të Europës krenohen me ekipet e tyre që i luten Zotit dhe presidentëve të klubeve dhe presin se mbase u vjen radha ta kenë edhe ata nja dy vjet në formacionin e tyre, Baggion ose Ronaldinjon dhe pas tyre një vit, – vetëm njëzë vit! – Ibrahimoviçin!

Fryma e vjetër, ajo me pak patriotizëm brenda, ajo që na thërret bulëzat e lotëve tanë, ka ende lojtarët e përgatitur në shkollat vendase, atje ku Maldini s’e ndan nga trupi fanelën e Milanit, sikurse Totti atë të Romës dhe çmohen pikërisht ngaqë ato fanela mbajnë ende aromën e lagjeve që i rritën. Këta dalin në fushë të përballin skuadra, në të cilat miliarderë rusë dhe kinezë, bashkë me sheikë arabë, stërpaguajnë dhe mbledhin tok njerëz që merren vesh me njëri tjetrin me shënja duarsh. Dhe kur të stërpaguarit fitojnë, harrojnë që fitoret e tyre nuk janë të shkollave të futbollit dhe të dashurive për vendlindjet, por të dollarëve të sheikëve. Fitoret e tyre janë të shumta, dhe në krahasim me ato, këto të futbollistëve si Totti janë më të rralla. Por vetëm këto mund të mbledhin shtatëdhjetë mijë vetë që qajnë dhe nuk lëvizin nga shkallët. Dhe ashtu, të përlotur i shprehin dashurinë dhe mirënjohjen një idhulli, që është besnik i asaj loje që solli mbi rruzull një Adam tjetër, diku, në një fushë të ishullit britanik. Flamurët e futbollit këtë javë duhet të ishin ulur në gjysmë shtizë!

5 komente në “Totti dhe 70 mijët e përlotur”

  1. realisti says:

    Koplimente per shkrimin Z.Kulla Nuk e mbaj veten per njohes te futbollit por shkrimi juaj nuk ka lidhje vetm me futbollin. Eshte nje thirrje per vlerat morale qe i shohim te bjerren cdo dite nen presioni e paperballueshem te se vetmes vlere te koherave moderrne, vleres se parase . Kundervlefta ne para pranohet si vlere reale e cdo gjeje pefshi ketu edhe aftesite sportive apo artistike te individeve. NJe futbollist p.sh. konsiderohet me i mire sa me te larte ta kete vleren ne merkaton futbollistike Vepra e nje shkrimtari quhet me vlera nese shitet shtrenjt. Vepra e nje piktori gjthashtu. NJe film nuk quhet i bukur nese nuk ka nxjerre fitimet e duhura. Por njeriu eshte me shume se sa vetem vlere leku. Kete na e tregon Totti me qendrimin e tije edhe Z.Kulla me shkrimin e tije

  2. fredi says:

    kete shkrim do ta vleresoja me noten 10

  3. Po të shohësh lamtumirën që tifozët i dhanë Altin Lalës në Gjermani… është goxha madhështore…

  4. Po të shohësh lamtumirën që tifozët i dhanë Altin Lalës në Gjermani… është goxha madhështore…

  5. Sportsdashesi says:

    Bravo zoti Kulla, me kete shkrim ju vrisni dy zogj. E para,, meqe jemi ne kohe fushate zgjedhore duket sikur thua::”Ej, milet, shikoni qejfin dhe bejini mutin partive, boll keni degjuar genjeshtra.” Sa per te dyten, thjesht bravo. Nuk ka lumturi me te madhe se vleresimi pa imponim dhe interes. Dhe Totit ja beri zoti kete dhurate qe ju me aq mjeshteri vini ne dukje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje