Kodheli dhe Gjici, takim me banorët e Lagjes së Re në Kukës: Me votat tuaja, PS do të qeverisë e vetme Shqipërinë, të besojmë fort te Edi Rama

2 Qershor 2017, 20:04Politika TEMA

Kryesuesja e listës së PS në qarkun e Kukësit për zgjedhjet e 25 Qershorit, Mimi Kodheli e shoqëruar nga kandidati për deputet, Safet Gjici zhvilluan një takim elektoral me banorët e Lagjes së Re në qytetin e Kukësit.

Në fjalën e saj Kodheli u shpreh se në këto katër vite qeverisja e Ramës ia kushtoi vëmendjen reformave, diku të mëdha, diku më pak më të mëdha, diku të dhimbshme, diku më pak të dhimbshme. Një ndër këto reforma ishte Rilindja Urbane.

Ne duhet ta rilindim atdheun tonë, qytetet tona, qendrat tona, rrugët tona, fshatrat tona, sepse vetëm kështu mund të demonstrojmë që dimë ta ndërtojmë vendin tonë dhe dimë ta bëjmë shtetin. Që të bëhet shteti duhet të ketë institucione të forta dhe qëndrueshme që reagojnë ndaj gjithë padrejtësive, reagojnë ndaj çdo pabarazie dhe i japin të drejtën atij që të drejtën e ka me ligj dhe me moral. A ka qenë e thjeshtë ta bëjmë këtë gjë? Aspak! Madje në një moment të caktuar në politikën shqiptare kjo gjë është dukur e pamundur, por unë ju siguroj ashtu siç bëmë shtetin me reformat që ndërmorëm, atë administrative, atë të arsimit, atë të shëndetësisë, atë të rilindjes, atë të energjisë e shumë të tjera, do dimë ta ngremë shtetin në këmbë për ta bërë atë të ngjashëm me çdo shtet europian të së drejtës”, tha Kodheli.

Në vijim, Kodheli u bëri thirrje kuksianëve që të votojnë Partinë Socialiste për ta shpëtuar vendin nga makthi dhe ngërçi në të cilin kishte hyrë dhe prej të cilit nuk dilte dot, nëse marrëveshja jonë politike nuk do të ishte ajo që ju të gjithë dini.

“Shqipërinë e kishin futur vite më parë në një ngërç politik, financiar, në një ngërç pa perspektivë europiane sepse kishin qeverisur shumë keq. Ne kemi vendosur ta zhvillojmë shoqërinë tonë në një ekonomi tregu, por shteti social ekziston për të mbështetur të pamundurit, për t’i mbështetur ata që e fillojnë biznesin në fillim, për të pasur nxitës më të mirë për bizneset e jo vetëm”, theksoi Kodheli.

Duke u ndalur tek rëndësia e reformës në drejtësi dhe Vettingut, Kodheli u shpreh: “Ne i kemi thënë me Vettingun stop korrupsionit në gjyqësor. Pastrim të shoqërisë shqiptare që kishte lënë në baltë, ngërç dhe llucë shumëçka që ndodhte në këtë vend. Pas kësaj do duhet dhe do të dimë të bëjmë shumë gjëra të tjera, siç ditëm të bëjmë këtë gjë të cilës i shkuam në fund me një kosto shumë të lartë, por jo të pamundur. E bëmë këtë me fuqinë e një mendjeje dhe forcën e një zemre të një grushti njerëzish që qeverisin të mbështetur nga 1 milion shqiptarët që na besuan qeverisjen katër vjeçare të këtij vendi dhe që do të na besojnë qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare të PS që do të qeverisë e vetme Shqipërinë në 4 vitet që vijnë. E them e vetme, sepse ne duam t’i dalim përballë njerëzve të vetëm dhe t’i japim llogari”.

Në përfundim të fjalës së saj Kodheli u shpreh se: “Nëse duam që Shqipërinë ta bëjmë më të bukur, më të pastër, më dinjitare, më me punë duhet të besojmë fort tek udha që ka nisur Edi Rama dhe Partia Socialiste”.

Në fjalën e tij, kandidati për deputet, Safet Gjici u shpreh se qeveria ka investuar në Kukës për sheshin, për shkolla të reja, për rrugën e Shishtavecit, për rrugën Kukës-Has, me gjithë investimet në Has, Tropojë, Valbonë dhe kështu me radhë.

Gjici ka nënvizuar se: “Në Kukës do të vijnë investime madhore, do të lidhen të gjitha njësitë administrative me qendrat urbane me asfalt, sepse zhvillimi vjen nga infrastruktura moderne. Ne kërkojmë votën tuaj pikërisht për këto investime, për të zgjidhur hallet dhe problemet që janë të shumta në Kukës, Has dhe Tropojë”.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje