Fushata zgjedhore ka nisur tashmë dhe bashkë me të edhe monitorimi për përfshirjen ose jo të administratës publike.
Për këtë arsye, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Edi Rama ka firmosur vendimin për ngritjen e një Task-Force të posaçme, detyra e së cilës do të jetë monitorimi, evidentimi dhe raportimi i çdo rasti të shkeljes së ligjit nga ana e administratës dhe përfshirjes së saj në fushatë.
Task-Forca drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:
– Ministrin e Punëve të Brendshme;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Financave;
– Ministrin e Arsimit dhe Sportit;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
– Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore;
– Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;
– Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave.
Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë:
– Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
– Avokati i Popullit;
– Një përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme;
– Një përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Task – Forca mbështetet nga një sekretariat teknik i përbërë, përkatësisht, nga një nëpunës i Kabinetit të Kryeministrit, Kabinetit të Zëvendëskryeministrit, aparatit të Këshillit të Ministrave. Çdo institucion i përfaqësuar me anëtarë në përbërje të Task-Forcës cakton një punonjës kontakti që asiston sekretariatin teknik gjatë veprimtarisë së tij. Sekretariati teknik përpunon të gjithë informacionin e mbledhur dhe ia referon Task-Forcës.
Kjo e fundit mblidhet me njoftim nga kryetari periodikisht të paktën një herë në javë ose sa herë që vlerësohet e nevojshme prej tij ose të paktën prej 2 anëtarëve. Në vendimin e marrë në mbledhje, janë saktësuar të gjitha funksionet dhe përgjegjësitë e Task-Forcës.
Konkretisht ajo do të merret:
a) Monitorimin e sjelljes dhe veprimtarisë së administratës shtetërore;
b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor;
c) Monitorimin e procesit zgjedhor me qëllim konstatimin dhe raportimin e përdorimit gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të mjeteve financiare nga burime të paligjshme apo të krijuara nga veprimtari të paligjshme;
ç) Monitorimin e procesit zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore;
d) Monitorimin e përditësimit dhe ndjekjen e problematikave me listat e zgjedhësve;
dh) Monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor;
e) Monitorimin e përditësimit të akteve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
ë) Njoftimin apo kryerjen e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e veprave penale në fushën zgjedhore;
f) Njoftimin e Avokatit të Popullit kur merr apo vihet në dijeni për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor;
g) Njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur merr dijeni apo vihet në dijeni për problematika të procesit zgjedhor;