Sytë nga Prishtina

5 Qershor 2017, 14:40Rajoni TEMA

Qershori i këtij viti është muaji i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri dhe Kosovë. Partitë politike në Shqipëri hyjnë në zgjedhje pas një lufte rraskapitëse politike që nisi me reformën në drejtësi e kulmoi me bojkotin disa-mujor të parlamentit nga opozita, e cila si armë të fundit përdori kërcënimin e mospjesëmarrjes në zgjedhje. U deshën ultimatume nga të dërguarit e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së që të gjendej një zgjidhje në minutën e fundit për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve.

Ndërkohë vendi qeveriset nga një kombinim i çuditshëm politik, që nuk është as qeveri e “shpëtimit kombëtar” e as qeveri teknike: pushtetin zyrtarisht e ka koalicioni PS-LSI, por realisht ministrat e LSI-ja u përjashtuan nga ofiqet, për t’i bërë vend ministrave e zv/ministrave të propozuar nga PD-ja, e cila është zyrtarisht në opozitë. Në planin e përgjithshëm ekonomik e shoqëror, zgjedhjet e 25 qershorit nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim të qenësishëm, pavarësisht prej rezultatit. Nuk duket se tri partitë kryesore të kenë dallime në programet qeverisëse, përveç premtimeve me shifra të fryra për punësim, të cilat nuk mund të realizohen po të kemi parasysh shifrat e rritjes ekonomike të vendit. Propaganda e tri partive pritet që të shënjestrojë votën klienteliste, përmes joshjes me punësim në administratë. Me një fjalë, asgjë e re nga Tirana.

Në Kosovë, mbahen zgjedhjet e parakohshme, pas një bashkëjetese të sforcuar midis PDK-së dhe LDK-së, e cila nuk arriti të shtyhej deri në fund të mandatit. E shpallur bujshëm si “koalicioni elefant” që do të ndërmerrte reforma themelore, qeverisja e kaluar krijoi më shumë probleme se sa gjeti. Fataliteti që krijoi ky soj koalicioni nxiti një eksodin më të madh të shqiptarëve që nga koha e luftës, të cilët braktisën vendin dhe ia mësynë kampeve të Gjermanisë e të vendeve të tjera evropiane. Korrupsioni galopant u shpërfaq në publik përmes skandaleve të privatizimeve klienteliste. Qeveria e Kosovës u përpoq që të sigurojë legjitimitet të jashtëm, përmes përpjekjeve për të zbatuar dy marrëveshje të mbrapshta, e ashtuquajtura “Zajednica”, të cilën gjykata kushtetuese e ka zhvlerësuar në pjesën thelbësore të saj, dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, i cili faktikisht vendos një kufi të ri disa kilometra në brendësi të territorit të Kosovës.

Zbatimi i këtyre marrëveshjeve u pengua nga mobilizimi qytetar dhe nga përpjekjet e paepura të opozitës në Kuvend, gjë që i ka kushtuar kësaj të fundit një persekutim të egër nga ana e qeverisë. Me dhjetëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar, përfshi edhe deputetë, disa mbahen padrejtësisht në arrest me akuza për terrorizëm, ndërkohë që nuk ka asnjë provë që i lidh ata me aktet e supozuara terroriste. Njëri prej të akuzuarve për terrorizëm, studenti i mjekësisë Astrit Dehari, humbi jetën dhunshëm në burgun e Prizrenit, në rrethana, të cilat institucionet e drejtësisë nuk kanë as pavarësinë e as interesin t’i sqarojnë. Duke parë rritjen e pakënaqësisë popullore, dy partitë qeverisëse në Kosovë janë krijuar koalicione me disa parti deri dje opozitare, por që tani i kanë “harruar” kritikat ndaj qeverisë.

Përballë koalicioneve të akronimeve qëndron Lëvizja Vetëvendosje! me Albin Kurtin si kandidat për kryeministër, e cila po përfaqëson me dinjitet alternativën reale në politikën dhe shoqërinë e Kosovës. Jo vetëm tani, por qysh me krijimin e saj si lëvizje qytetare për të kundërshtuar statusin neo-kolonial të Kosovës nën UNMIK-un. Lëvizja Vetëvendosje! i ka qëndruar besnike ideve të saj dhe i ka konkretizuar në veprimin konsekuent politik. Ajo ka adresuar drejt dhe në vazhdimësi problemet themelore të Kosovës dhe nuk është kursyer për mbrojtjen e integritetit territorial dhe në luftën kundër korrupsionit. Programi qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje!, i hartuar në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të Kosovës, është programi i duhur për mirëqeverisje, drejtësi e zhvillim për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia kombëtare e etnike. Komuna e Prishtinës sot është shembulli i përkushtimit në punë që do të ketë qeverisja e nesërme e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Përballë shterpësisë ideore e programatike të shumicës së partive politike në mbarë trevat shqiptare, Lëvizja Vetëvendosje! qëndron si alibia e kohës sonë. Në kohën e politikanizmit të përgjithshëm, një kolektiv shqiptar po bën politikë, sepse po vepron në përputhje me parimin që i ka vënë vetes, duke synuar që të zhvillojë një alternativë autentike kombëtare. Të ndrydhur nën peshën e varfërisë, bjerrjes së vlerave, humbjes së shpresës, arratisjes në dhe të huaj, shitjes së gjithçkaje për dy kacidhe, shkatërrimit të gjithanshëm të atdheut – tokë e nëntokë, ujë e ajër, – të gjendur në terrorin e kancerit dhe të dukurive të cilave kanceri u shërben si metaforë – kapja e shtetit, krimi i organizuar, korrupsioni, analfabetizmi, etj. – mund të themi zëshëm se jemi bashkëkohës së Vetëvendosjes!

Në Lëvizjen Vetëvendosje! janë tubuar shqiptarët që kanë vendosur të mos dorëzohen e të mos nënshtrohen, por të përpiqen për t’i dhënë Kosovës një qeverisje të re dhe sovranitet, pra një cak më të lartë të lirisë se sa ai që ia kanë caktuar. Në këtë kuptim, fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje! në Kosovë dhe qeverisja e kryesuar prej Albin Kurtit do të ndikojë për mirë edhe në Shqipëri. Do të jetë shembulli më i mirë se rezistenca në emër të parimeve dhe të përbashkëtës është ende e mundshme dhe rezultative. Prandaj, në këto ditë duhet t’i mbajmë sytë nga Prishtina.

Interesimi i qytetarëve të Shqipërisë për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje! vjen natyrshëm prej profilit të spikatur kombëtar që ka ky subjekt politik. Qeveria e kryesuar nga Albin Kurti do të shtyjë përpara realizimin e marrëveshjeve të mbetura pezull midis Shqipërisë dhe Kosovës. Me gjithë dukjen rozë të marrëdhënieve midis dy shteteve, nuk po realizohen projekte të nisura prej kohësh, si mospengimi i punësimit në Kosovë nga shtetas të Shqipërisë; zhvillimi infrastrukturor i Portit të Shëngjinit, menaxhimi i të cilit i është akorduar Kosovës, integrimi i rrjeteve energjetike, bashkëpunimi ekonomik etj. Në programin qeverisës së Lëvizjes Vetëvendosje! përmban një spektër më të gjerë të fushave të bashkëpunimit, që patjetër do nxisë edhe punën e qeverisë në Tiranë, pavarësisht se cila parti do të jetë në pushtet.

Interesi i qytetarëve të Shqipërisë për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje! vjen natyrshëm edhe prej profilit të spikatur emancipues të këtij subjekti politik. Klientelizmi në politikë ka stimuluar klanizmin në të gjitha sferat e jetës, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë e më gjerë. Nën maskën e siglave shumë-ngjyrëshe partiake dhe të koreografive spektakolare të fushatave zgjedhore, realisht gëlon neo-feudalizmi, lëshimi i domeneve publike në dorë të private, si këmbim për votën. Dukuria nuk mbetet e kufizuar vetëm në korrupsion dhe në favorizimet e emërimeve në postet zyrtare. Gjyqësori, sistemi arsimor, akademia e kërkimi shkencor, entet mbështetëse për artet, shëndeti publik, përkujdesja për kategoritë sociale në nevojë, si fusha të veprimit të shtetit kujdestar për shoqërinë, kanë humbur orientimin e tyre, arsyen e ekzistencës dhe trajtohen rëndom si institucione punësimi dhe tenderimi. Për rrjedhojë solidariteti shoqëror po thërrmohet gjithnjë e më shumë.

Dukuri që mbaheshin si të tejkaluara a të minimizuara – krahinarizmi, vetëgjyqësia, gjakmarrja, fanatizmi fetar, racizmi, rrugaçëria, analfabetizmi, epidemi të shkaktuara nga mungesa e higjienës publike, sëmundje mendore, dhuna ndaj grave, poligamia etj. – janë rifuqizuar ndjeshëm, edhe si pasojë e mosveprimit të ligjit dhe të humbjes së misionit që duhej të udhëhiqte qeverisjen. Ende shteti mbetet një ent i huaj për shumë shqiptarë, i përfaqësuar nga polici e taksambledhësi, sepse nuk po e ndjejnë rolin e tij të pazëvendësueshëm për një jetë me dinjitet. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje! kontrollin mbi territorin, vëmendjen ndaj më të varfërve, arsimi e shëndetësinë falas, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit etj. i sheh të integruara si pjesë të një filozofie të lirisë dhe të rimëkëmbjes së kombit shqiptar.

Me gjithë pozat e rënda, kostumet e shtrenjta, makinat luksoze dhe buzëqeshjet krenare nëpër takimet me homologë të huaj, midis qeveritarëve shqiptarë mbizotëron psikoza e përuljes e nënshtrimit, si brenda piramidës partiake, po ashtu edhe kur vjen puna për të mbrojtur apo avancuar interesin kombëtar. Ambasadokracia, “Gjykata Speciale”, “vetingu” etj. janë dëshmi e dorëzimit dhe të likuidimit të funksioneve sovrane të shtetit. Për dallim, Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti politik që legjitimitetin e jashtëm të pushtetit nuk e vë para legjitimitetit të brendshëm dhe as nuk e përdor atë si topuz për të shtypur aspiratat e natyrshme shoqërore e kombëtare. Albin Kurti nuk është thyer as në burgun serb, as në atë të UNMIK-ut, as në atë të EULEX-it, e aq më pak në të regjimit Thaçi-Mustafa. Albin Kurti kryeministër dhe Lëvizja Vetëvendosje! në drejtimin e qeverisë së Kosovës do t’u dëshmojnë shqiptarëve se edhe ata mund të jenë prodhues të publikes, se mund të kenë sovranitet në mendimin politik dhe se edhe ata e kanë të aktivizuar ndjeshmërinë ndaj së drejtës. Një shembull i tillë do t’i jepte besim për sjellje të reja politike shqiptarëve të Shqipërisë, besim shtet-formues shqiptarëve në IRJM, mbështetje më së pari shpirtërore shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe atyre të Çamërisë, mobilizim përfaqësimi shqiptarëve të Malit të Zi. Kur bëhemi bashkë dhe veprojmë me zemër, fitorja është e mundshme!

1 komente në “Sytë nga Prishtina”

  1. Baliu says:

    Populli ka qene dhe eshte me Vetvendosjen, por per habi miqet tane tere kohen i kan anashkaluar ata duke u zgerdhi me kriminela qe i mbrojne “vlerat perendimore” duke udhehequr nga burgu. Te shohim kesaj here sa “nuk” do te perzihen miqet tane ne keto zgjedhje, nese manaret e tyre duhet te shkojne ne opozite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje