Një ditë pas arrestimit të autorit të dyshuar të vrasjes së komisarit Artan Cuku në prill të këtij viti, ‘News24’ ka udhëtuar në fshatin Dikatër të Kuçovës, aty ku është edhe vendlindja e Mikel Shallarit.
Fqinjët dhe miqtë e 24-vjecarit shprehen se Mikeli është larguar rreth një vit më parë për të jetuar në Tiranë së bashku më motrën e tij që ishte studente, konkretisht në zonën e ‘Qytetit Studenti’.
Edhe miqtë e tij shprehen se Mikeli ishte djalë që nuk kishte shfaqur probleme në zonë. Ai ishte kthyer në fshat para 3 javësh.
“Mikelin e njihnim për djalë të mirë dhe nuk kishte probleme në zonë. Ai emigroi për disa vite jashtë vendit dhe kthehej herë pas herë për të parë shtëpinë. Hera e fundit që erdhi në fshat ishte para 3 javësh me një mjet tip ‘Golf’ dhe u furnizua me karburant në qendër të fshatit- kanë thënë shokët e tij për mikrofonin e ‘News24’.
Më tej miqtë shprehen se prindërit e Mikel Shallarit janë larguar 3 muaj më parë dhe nuk janë kthyer më.