Jeta dhe vdekja në qytetin e ndaluar të Apple

18 Qershor 2017, 18:39Bota TEMA
Jeta dhe vdekja në qytetin e ndaluar të Apple

Nga Brian Merchant

Në librin e tij, Brian Merchant tregon se si arriti të hynte brenda kompleksit Longhua, ku prodhohet iPhone, në vitin 2010, ku punëtorë në depresion nisën të vrisnin veten.

Kompleksi gjigand i fabrikës, fjetoret gri dhe magazinat e gërryera nga shiu, shkrihen njëtrajtësisht në periferitë e qytetit Shenzhen. Impianti i Foxconn në Longhua është një nga prodhuesit më të mëdhenj të produkteve Apple. Është një nga fabrikat më të njohura në botë, si edhe me siguri, ndoshta një nga më të fshehtat. Roje sigurie qëndrojnë në secilën prej pikave hyrëse. Punonjësit nuk mund të hyjnë pa kartat e tyre identifikuese; shoferët e kamioneve duhet të skanojnë gjithmonë gjurmët e gishtave. Një gazetar i Reuters, u nxorr një herë me dhunë nga makina dhe u dhunua, pasi po bëntë fotografi jashtë mureve rrethuese të fabrikës. Tabelat me mbishkrimet “Kjo fabrikë është ndërtuar ligjërisht me aprovim shtetëror. Ndalohet hyrja e paautorizuar. Shkelësit do të dërgohen në polici për hetim!” janë madje më agresive se ato jashtë zonave ushtarake kineze.

Por, duket se ekziston një mënyrë e fshehtë për të hyrë brenda saj: nëpërmjet tualetit. Nuk arrija ta besoja. Falë një ndryshimi të fatit dhe këmbënguljes së një miku, e gjeta veten brenda të ashtuquajturit “Qyteti Foxconn.”

Një sërë fabrikash, të cilat prodhojnë pjesë për iPhone dhe realizojnë montimin përfundimtar të pajisjes, gjenden këtu, në Republikën Popullore, ku kostot e ulëta të punës dhe një numër i madh punëtorësh të kualifikuar, e kanë shndërruar vendin në ideal për prodhimin e iPhone-ëve (dhe thuajse çdo pajisjeje tjetër).

Foxconn është punëdhënësi më i madh në Kinë, me 1.3 milionë punëtorë në regjistrin e pagave.  Në rang botëror, midis korporatave, vetëm Walmart dhe McDonalds punësojnë më tepër njerëz. E thënë thjesht, për Foxconn punojnë aq persona, sa ç’është popullsia aktuale e Estonisë.

Sot, iPhonë prodhohet në disa fabrika të ndryshme në Kinë, por për vite me radhë, ndërsa shndërrohej në produktin më të shitur në botë, është montuar kryesisht në ambientet gjigande të Foxconn, në rrethinat e Shenzhen. Megjithatë, nëse keni dëgjuar për të, me shumë gjasa ka ndodhur, pasi keni dëgjuar për vetëvrasjet. Në vitin 2010, një numër punëtorësh të fabrikës në Longhua, nisën të vrisnin veten. Njëri pas tjetrit, ata u hodhën nga ndërtesat e fjetoreve, shpesh në mes të ditës, në një shfaqje tragjike dëshpërimi dhe në shenjë proteste ndaj kushteve të punës. Tetëmbëdhjetë tentative vetëvrasjeje u raportuan atë vit dhe 14 vdekje u konfirmuan. Në 20 raste të tjera, punëtorët u bindën nga zyrtarët e Foxconn që të mos vetëvriteshin.

Lajmi bëri bujë në mediat ndërkombëtare. Përgjigjia e CEO të Foxconn, Terry Gou, ishte edhe më shqetësuese. Ai vendosi rrjeta gjigande jashtë ndërtesave, për të pritur trupat e atyre që hidheshin. Këshilltarët dhe punëtorët e punësuar nga kompania, u detyruan të firmosnin kontrata, në të cilat thoshin se nuk do të tentonin të vrisnin veten.

Nga ana e tij, Steve Jobs deklaroi: “Po merremi me problemin,” kur u pyet për numrin në rritje të vetëvrasjeve dhe shtoi se ato që kishin ndodhur në Foxconn, ishin brenda mesatares kombëtare. Kritikët e cilësuan komentin si mizor, ndonëse tekniksht ai nuk e kishte gabim. Foxconn Longhua ishte kaq gjigande, saqë mund të konsiderohej si një shtet-komb më vete dhe shkalla e vetëvrasjeve, ishte e krahasueshme me atë të shtetit pritës. Ndryshimi i vetëm qëndron në faktin se, “Foxconn City” është një shtet-komb i qeverisur plotësisht nga një korporatë dhe prodhon një nga produktet më fitimprurëse në planet.

Shoferi i taksisë na lë në hyrje te frabrikës; shkronja të mëdha ngjyrë blu formojnë emrin “Foxconn” pranë hyrjes.  Rojat e sigurisë na vështrojnë gjysmë të mërzitur e gjysmë me dyshim. Organizuesi, një gazetar nga Shanghai, të cilin do ta quaj Wang Yang dhe unë vendosim ta përshkojmë në këmbë fabrikën, për të parë nëse mund të flasim me ndonjë nga punëtorët.

Njerëzit e parë që ndalojmë, del se janë dy ish-punëtorë të Foxconn.

“Nuk është vendi i duhur për një qenie njerëzore,” thotë njëri prej të rinjve, i cili thotë se quhet Xu. Ai ka punuar në fabrikë për thuajse një vit, deri përpara disa muaj dhe shprehet se kushtet brenda saj janë po aq të këqija sa kanë qenë.  Manaxhimi, sipas tij, është sa agresiv aq edhe keqdashës, duke i ndëshkuar publikisht punëtorët, nëse janë të ngadaltë. Miku i tij, i cili ka punuar në fabrikë për dy vite, thotë se iu premtua dyfishi i pagës për orët ekstra, por mori vetëm pagën e zakonshme.

“Nuk do të ishte Foxconn, nëse s’do të kishte njerëz që vdesing,” thotë Xu. “Çdo vit njerëzit vrasin veten. Tanimë është kthyer në diçka normale.”

Imazhi i krijuar mbi jetën brenda fabrikës së iPhone, varion. Disa e quajnë punën të tolerueshme; të tjerë thonë se është e padurueshme; disa se kanë përjetuar dëshpërimin, për të cilin Foxconn është i njohur, ndërsa të tjerë se e kishin gjetur atë punë me shpresën se do të mund të gjenin një të dashur. “Shumica e punëtorëve zgjasin vetëm një vit,” duket se është refreni i zakonshëm këtu.

Duke qenë se iPhonë është një pajisje kompakte dhe komplekse, ndërtimi i tij kërkon disa linja montimi prej qindra punëtorësh, të cilët ndërtojnë, inspektojnë, testojnë dhe paketojnë çdo pajisje. Një prej punëtoreve tha se rreth 1 700 iPhonë kalonin në duart e saj çdo ditë; ajo ishte përgjegjëse për veshjen me një lustër të veçantë të ekraneve. Kjo do të thotë se ajo kalonte në duar rreth tri ekrane në minutë për 12 orë në ditë.

Xu dhe miku i tij ishin të dy rekrutë fillimisht, ndonëse jo me dëshirë. “Foxnn e quajnë edhe kurthi i dhelprave,” thotë ai. “Sepse mashtron shumë njerëz.” Ai shprehet se kompania premton strehim falas, por më pas i detyron punëtorët të paguajnë fatura të mëdha për elektricitetin dhe ujin. Në fjetore jetojnë tetë persona në një dhomë dhe ai thotë se dikur ishin 12 në çdo dhomë. Ndërkaq, Foxconn shmang sigurimet shoqërore, ose vonohet apo nuk paguan fare bonuse. Dhe, shumë punëtorë firmosin kontrata, të cilat iu marrin një sasi të konsiderueshme parash nga rroga, nëse heqin dorë përpara periudhës prezantuese tri-mujore.

Xu thotë se punëtorët ndëshkohen publikisht dhe nuk iu bëhen me dije mënjanë problemet dhe defektet. “Është ofenduese dhe poshtëruese,” shton miku i tij. “Ndëshko dikë për ta bërë shembull për të tjerët. Kjo është sistematike.  Sipas Xu, pak muaj më parë ka ndodhur një tjetër vetëvrasje. Ishte një student, i cili punonte në linjën e montimit të iPhone. “Dikush, të cilin e njihja dhe e kisha parë në mensë,” thotë ai. Pasi u kritikua publikisht nga manaxheri, ai bëri sherr me të. Zyrtarët e kompanisë thirrën policinë, ndonëse punëtori nuk shfaqi shenja dhune, tjesht ishte i inatosur.”

“Ai e mori shumë personalisht dhe nuk mundi ta kapërcente.” Tri ditë më pas, ai u hodh nga dritarja e katit të nëntë.

Por, përse nuk u raportua incidenti në media? Xu dhe miku i tij shohin njëri tjetrin në sy dhe ngrenë supet. “Këtu, dikush vdes dhe të nesërmen është sikur s’ka nodhur asgjë,” thotë miku  i tij. “Thjesht e harron.”

Në vitin 2012, 150 punëtorë u mblodhën në një nga tarracat, duke kërcënuar se do të hidheshin. Atyre iu premtuan përmirësime dhe u bindën nga manaxherët që të zbrisnin; në thelb, ata përdorën kërcënimin për vetëvrasje si një mjet negociimi. Në 2016, një grup më i vogël e bëri sërish. Xu thotë se punëtorët kërkuan pagat që iu ishin vonuar dhe rrjedhimisht, Foxconn pranoi dhe ata zbritën.

Sipas dijenisë time, asnjë gazetar amerikan nuk ka qenë brenda impiantit të Foxconn pa leje dhe pa një guidë zyrtare, apo pa një vizitë të kuruar me kujdes, për të vizituar vetëm ato pjesë te frabrikës që tregojnë se gjithçka është mirë.

Ajo ç’ka bie më tepër në sy, përveç madhësisë – do të na duhej një orë për të përshkuar të gjithë Longhua-në – është ndryshimi nga njëri skaj tek tjetri. Është me të vërtetë si një qytet. Në rrethinat, nëse mund t’i quajmë kështu, ka kimikate të derdhura, pajisje të ndryshkura dhe puna është e pambikëqyrur. Por, sa më tepër i afrohesh qendrës, aq më tepër cilësia e jetës, ose të paktën kushtet dhe infrastruktura, përmirësohen.

Por, askund nuk na zënë sytë ndonjë shenjë të iPhone. Vazhdojmë të ecim midis grumbujve me pajisje elektronike të mbështjella me plastmas. Afrohemi për t’i parë më mirë, por jo, as këto nuk janë iPhone. Duken më tepër si “Apple TV,” por pa logon e kompanisë.

Nëse ky është me të vërtetë vendi ku prodhihen iPhone dhe Apple TV, është sinqerisht një vend m… për të kaluar orë të tëra çdo ditë, nëse nuk keni një preferencë të veçantë për beton të lagësht dhe ndryshk. Longhua nis t’i përngjajë mesit të mërzitshëm të një romani distopian, ku monotonia ecën, por jo përmbajtja.

Ne mund të vazhdojmë të ecim, por në të majtë na zënë sytë diçka, që duket si një kompleks i madh shtëpish, ndoshta fjetoret, të plota me gardhet metalike rreth tarracave dhe dritaret, kështu që nisemi në drejtim të tyre. Dhe, po, rrjetat për pritjen e trupave janë ende aty.

Jemi duke tërhequr shikime të ngulura. Ndoshta, larg fabrikave, njerëzit kanë më tepër kohë dhe arsye për t’i lejuar vetes kureshtjen. Nuk e di nëse roja njoftoi ndonjë alarm kur ne nuk dolëm më nga tualeti, apo nëse dikush është duke na kërkuar. Por, ndjesia se bëjmë mirë të mos e ekzagjerojmë, triumfon, ndonëse ende nuk kemi parë një linjë montimi.

Drejtohemi andej nga erdhëm. Nuk na duhet shumë kohë, derisa gjejmë një dalje. Mbrëmja është duke rënë, teksa i bashkohemi një lumi prej mijëra personash dhe kokëulur, rrëshqasim jashtë pikës së kontrollit. Askush nuk thotë gjë. Dalja nga fabrika e tmerrshme është një çlirim. Nuk pamë punëtorë minorenë me duar të përgjakura. Kishte një numër gjërash, që do të shkelnin kodin e punës dhe sigurisë shëndetësore në SHBA, por me siguri edhe atje ka fabrika që i shkelin këto kode. Apple mund të ketë të drejtë kur argumenton se këto ambiente  janë më të mira se shumë të tjera në Kinë. Foxconn nuk ishte imazhi stereotip i shfrytëzimit. Por, aty ekzistonte një tjetër lloj shëmtie. Për çfarëdo arsyeje, rregullat që detyrojnë mbajtjen e qetësisë në korridore, reputacioni i rëndë i tragjedive, apo ndjesia e përgjithshme e pakënaqësisë që vetë fabrika të shkakton, bëjnë që Longhua të të japë një ndjesi të rëndë, madje edhe shtypëse.

Ndërsa shoh fotot që kam shkrepur brenda ambienteve të fabrikës, nuk gjej dot asnjë person duke buzëqeshur. Nuk duket e habitshme, që njerëz, të cilët duhet të punojnë me orë të stërzgjatura në një punë vetëpërsëritëse dhe nën një manaxhim të ashpër, zhvillojnë probleme psikologjike.

Ai shqetësim është i prekshëm, pasi ka arritur të shkrihet në vetë ambientin. Siç thotë Xu: “Nuk është vendi i duhur për një qenie njerëzore.” /Përgatiti: Bjorn Runa, Toronto

Marrë me shkurtime nga “The Guardian.” Shkrimi është shkëputur nga libri i Brian Merchant dhe edituar nga “The Guardian.”

3 komente në “Jeta dhe vdekja në qytetin e ndaluar të Apple”

  1. melina says:

    Bravo Bjorni. Shume mire e ke sjelle ne shqip shkrimin. Ce do qe ata qe mbajne gjithe diten IPhone ne duar dhe shkruajne brockulla nuk do ta lexojne se jane analfabete funksionale. Skane per ta ditur kurre se lodra e tyre eshte e gatuar me gjakun e duarve te plagosura te moshatareve te tyre diku tjeter.Kjo qenka jeta. Jete kurve.

  2. gino says:

    Ky eshte kapitalizmi i multinacionaleve.Pse shkoni aq larg.Dilni rreth e rreth tiranes shifni fasonet qe punojne per 150 mije leke dhe prodhojne rroba e kepuce qe i blejme sa frengu pulen ne Rome apo ne Paris. Dhe te mendosh qe ato paguhen aq sa sju del as per te ushqyer deri ne fund te muajit

  3. Elvin says:

    Bravo Bjorn Runa qe gjithmone del jashte kuadrit dhe nuk merresh me mediokritetet e perditshme te shtypit. Tani duam nje reportazh prej teje. ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje