Pas zyrtarizemeve të marrëveshjeve me Hair Zeqirin dhe Rustem Hoxhën, Kukësi ka prezantuar zyrtarisht përpara mediave blerjen e tretë të kësaj merkatoje. Mbrojtësi spanjoll Albert Serran i shoqëruar nga menaxheri i klubit verilindor Naim Halili, pasi hodhi firmën mbi kontratë tha edhe fjalët e para si futbollisti më i ri i Kukësit. 32-vjecari i cili në të kaluarën e tij ka luajtur me klube të njohura si Espanyoli në Spanjë, por edhe Swansea në Angli, ndërsa në vitet e fundit ka qenë pjesë e disa skuadrave të njohura në Qipro, shpjegoi edhe arsyet se përse zgjodhi Kukësin për të vazhduar karrierën.
” Kukësi më dha mundësinë për të luajtur në Champions League. Që kur kam qenë fëmijë kam ëndërruar të luaj në këtë kompeticion dhe kjo është një arsyet se përse unë jam këtu. E njoh historinë e klubit dhe e di që jam bërë pjesë e një skuadre që ka kaluar tre ture në Europë përpara disa sezonesh. Prej vitesh Kukësi është në majat e futbollit shqiptar dhe këtë vit ja doli të fitonte edhe titullin kampion, jam i lumtur për këtë fakt sepse jam bërë pjesë e një prej skuadrave më të mira të kampionatit shqiptar”.
Serran beson se skuadra e Gjokës mund ta kalojë ruandin e dytë në Champions duke eliminuar Sherifin e Tiraspolit, ndërsa në prezantimin e tij mbrojtësi zbuloi edhe detajet e kontratës që ka firmosur me kampionët e Shqipërisë.
” Në Champions League nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të jemi shumë kompetitv dhe të japëm më të mirën tonë në këtë kompeticion. Shorti deri diku ka qenë i favorshëm për ne dhe mendoj se i kemi shanset për ta kaluar raundin e 2-të. Megjithatë para së gjithash unë dua të njoh shokët e mi të skuadrës dhe të shoh nga afër gjëndjen e ekipit. Me Kukësin kam firmosur një kontratë 1-vjecare me opsioni rinovimi edhe për një tjetër sezon”.
Më pas fjalën e mori menaxheri Naim Halili i cili premtoi se te Kukësi në ditët e ardhshme do të afrohen të tjerë futbollistë cilësorë dhe njëri prej tyre do të jetë mesfushori izraelit Siraj Naser.
Edhe pse presidenti Safet Gjici i ka hyrë edhe rrugës së politikës, menaxheri Halili konfirmoi mbështetjen e pakushtëzuar të numrit 1 në drejtim të klubit, ndërkohë që kishte mesazh për Albi Allën të cilën ai e konsideron një futbollist të skuadrës verilindore./SS/