Skuadra e Kukësit ka nisur punën me stërvitjet me ekipin. Njëkohësisht është punuar edhe me merkato në afrimin e lojtarëve cilësorë. Dy afrimet e para të ekipit verilindor janë mesfushori Hair Zeqiri dhe mbrojtësi Rustem Hoxha. Nga dita e sotme, të dy futbollistët do të jenë pjesë e e verilindorëve dhe do t’i bashkohen skuadrës edhe do të vihen nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka dhe stafit teknik.
Zeqiri – Mesfushori Hair Zeqiri u prezantu zyrtarisht ditën e sotme me fanellën e Kukësit. 28-vjeçari është një ndër lojtarët më të dalluar të kampionatit shqiptar në vitet e fundit. Ky do të jetë sezoni i dytë me Kukësin pas atij të vitit 2014-2015.
Zeqiri ka nënshkruar një kontratë 1+1 me ekipin kampion të Shqipërisë. Mesfushori do të mbajë fanellën me numrin 7-të. Futbollisti ka folur për sajtin e klubit, pas arritjes së marrëveshjes me skuadrën verilindore.
“Jam shumë i lumtur që kam firmosur me Kukësin. Kam arritur marrëveshjen dhe e kam pranuar me kënaqësi këtë mundësi që mu ofrua. Përfaqësimi i skuadrës verilindore është një nder për mua dhe jam shumë i kënaqur që arrita të bashkëpunoj sërish me kampionët e vendit. Kam ardhur me qëllime të mirëpërcaktuara. Përfaqësimi dinjitoz në Champions League, por edhe ruajtja e titullit kampion. I premtoj tifozëve kuksianë që do të jap maksimunin tim. Jam i kënaqur nga ky rikthim i imi pas sezonit 2014-2015”, – përfundon Zeqiri për sajtin e klubit.
Hoxha – Mbrojtësi Rustem Hoxha është zyrtarisht lojtari më i ri i ekipit të Kukësit. 25-vjeçari ka qenë kapiten dhe lider te ish-skuadra e tij e Teutës. Futbollisti ka arritur një marrëveshje 1+1 me klubin dhe ka hedhur zyrtarisht të zezën mbi të bardhë.
Lojtari është prezantuar ditën e sotme në zyrat e klubit nga menaxherët e tij të EFA company dhe menaxherit të klubit Naim Halili. Hoxha ka folur për sajtin e klubit pas këtij transferimi. “Jam shumë i lumtur që kam arritur marrëveshjen me skuadrën e Kukësit. Falenderoj të gjithë personat që më ndihmuan të trasferohem në këtë klub dhe besoj se do të jap më të mirën për ekipin tim të ri. Jam i sigurt se do të arrijmë suksese të tjera dhe mendoj se do të shkojmë lart edhe në Champions League. Një përshëndetje edhe për tifozët kuksianë dhe i them se do të bëj maksimumin për Kukësin”, – shprehet Hoxha.