Veliaj: Suksesi i sheshit përtej pritshmërive, fatlum që kam Edin Kryeministër

21 Qershor 2017, 12:00Sociale TEMA

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehet i befasuar me suksesin dhe pritjen që i është bërë sheshit “Skënderbej”, nga publiku, qofshin ata vendas, apo vizitorë të huaj. Gjatë intervistës për emisionin “Top Story”, Veliaj deklaroi se nga bisedat që ka pasur edhe me Edi Ramën, ka rezultuar se interesi i qytetarëve ka qenë përtej pritshmërive.

“Ka qenë përtej pritshmërive të mia dhe në një bisedë me Edi Ramën rezulton të jetë jashtë pritshmërisë edhe të tij. Mendonim se sheshi do të ishte popullor, por jo me këtë frekuentim kaq të madh dhe në orët e vona. Ka qenë edhe një lloj shpagimi e të gjithë atij helmi që me sportivitet ballkanik derdhet për çdo projekt publik. E vetmja garanci që kisha është se po ashtu si këndi i lodrave që u parapri me një histeri të jashtëzakonshme, isha i bindur që do të ishte sukses. Në këto përmasa ishte habi edhe për mua dhe më rezulton edhe për Edin”, u shpreh kreu i Bashkisë Tiranë.

 Veliaj, vlerësoi edhe cilësinë e ajrit në sheshin “Skënderbej”. Sipas tij, përmirësimi i cilësisë së ajrit në këtë pjesë të Tiranës, duke u ulur niveli i ndotjes, nën mesataren e Bashkimit Europian, është një tjetër arritje e bërë me këtë shesh.  “Kjo ka qenë hera e parë që brenda këtyre 2 viteve, por ndoshta edhe brenda 27 viteve që cilësia e ajrit matet me pajisje teknologjike, që ndotja e ajrit në Tiranë ka qenë nën kufirin e Bashkimit Europian. Pra, në qoftë se mund të kemi një hapësirë të Bashkimit Europian në Tiranë, është sheshi “Skënderbej”, ku ajri është më i pastër se mesatarja e Bashkimit Europian”, tha Veliaj.

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, vlerësoi edhe përkrahjen e madhe që i ka dhënë kryeministri Edi Rama, në realizimin e projekteve të bashkisë. “Unë isha më fatlum pasi e kisha Edin Kryeministër, ndërsa Edi kishte Saliun. Në këtë sens, unë e kisha vetëm një telefonatë larg, kur vinte puna për disa projekte të rëndësishme siç është unaza e vogël”, tha Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës, iu drejtua qytetarëve të Tiranës edhe me mesazhin për votën ndaj Partisë Socialiste. “E vetmja lutje që kam për njerëzit është, nëse ka mirënjohje për këtë punë, të më bëjnë vetëm një nder. Duke votuar PS-në dhe Edi Ramën, më kanë bërë me krahë, që të ecim më shpejt në punët që kemi bërë”, u shpreh Erjon Veliaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje