Takaj thumbon Gjicin: Mos përziejë sportin me politikën. Presim një sulmues, nuk nxitohemi për Latifin

4 Korrik 2017, 18:22Sport TEMA

Në një moment kur gjithçka duket se është gati për ndeshjen e kthimit të turit të parë të Europa Ligës, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, në një prononcim për “Panorama Sport” ka komentuar disa nga çështjet më të nxehta të ditëve të fundit, si dhe ka theksuar objektivin e korçarëve për të shkuar sa më lart të jetë e mundur në Europë.

REPLIKA

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, që në zgjedhjet e fundit ishte edhe kandidat për deputet, ka deklaruar se Skënderbeut ju hoq me të drejtë titulli kampion. Dhe, në një situatë të tillë, nuk ka vonuar kundërpërgjigja e presidentit Takaj. “Nuk e di pse Gjici është duke i ngatërruar gjërat dhe nuk po mban një qëndrim?!

Kërkon të përziejë sportin me politikën, por janë dy gjëra shumë të ndryshme. Prandaj i them që të mbajë vetëm një drejtim: Ose të merret me sport, ose me politikë.

Gjici e di shumë mirë se kush është Skënderbeu. Nëse ka diçka për të thënë, la ta thotë hapur dhe ta marrim vesh të gjithë. Mendoj se ndoshta është ende në eufori nga fushata elektorale.

Bën mirë të mendojë për ekipin e tij dhe për ndeshjen që ka përpara, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme si për të edhe për futbollin shqiptar”, ishte përgjigjja e Takajt.

MERKATO

Më tej, numri një i klubit Skënderbeut u ndal edhe te merkato, ku foli për çështjen “Latifi” dhe, më pas, për zërat e dalë së fundmi për Danilo Alveshin. “Tani jemi në kohë merkatoje, por ne jemi të fokusuar tek Europa Ligë dhe nuk jemi duke bërë tratativa për largime lojtarësh.

Do të shohim me qetësi çdo të bëjmë pasi të mbarojë Europa. Latifi është një lojtar mjaft cilësor dhe ndaj tij ofertat janë të shumta, por ekipet që e kanë ndjekur me kohë shohin paraqitjet e tij në vazhdimësi dhe jo në një ndeshje. Për këtë duhet që ta lëmë të qetë të luajë pa presionin e merkatos.

Ndërsa për sa i përket Danilo Alveshit, në dijeninë time, ai është një lojtar që ka ende kontratë apo diçka pezull te Flamurtari. Ne nuk hyjmë në tratativa me lojtarë që kanë kontrata me ekipet e tyre, sepse respektojmë kontratat. Nëse Alvesh do të ishte lojtar i lirë, do të ishim jo vetëm ne, por edhe shumë ekipe do të ishim në garë me ofertat tona.

Por ai është lojtar i Flamurtarit dhe nuk ka asnjë mundësi që ne të bëjmë një ofertë për të. Jemi në kërkim për një sulmues dhe besoj se, brenda kësaj jave, do ta merrni vesh ermin e ri të sulmit korçar. Po mendojmë të zgjedhim një lojtar të denjë për këtë ekip dhe ndodhemi mes dy alternativash”, ka vijuar Takaj.

EUROPA

Së fundmi, Takaj bëri të qartë edhe objektivin e ekipit për Europa Ligën, ndonëse i mërzitur disi për ndeshjen e parë, ai shprehu besimin se Skënderbeu i tij do të shkojë larg. “Ndeshja e parë normalisht që do të ishte e vështirë, pasi ekipi kthehet nga një periudhë përgatitjesh intensive.

Nuk kemi luajtur në nivelin e duhur dhe kjo dihet. Por besoj se do të bëjmë më mirë në ndeshjet e tjera. Ekipi ynë i ka të qarta objektivat, duhet të shkojmë sa më larg në Europë dhe kjo është dëshira e të gjithëve.

Nga ana tjetër, mund të them se ne e kemi tashmë njësinë matëse, është prezantimi në grupet e Europa Ligës. Ai mbetet objektivi më i madh për ekipin tonë”, ka përfunduar Takaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje