Oferta nga Goztepe e LASK Linz për Merveille

6 Korrik 2017, 15:39Sport TEMA

Merveille Ndockyt drejt Turqisë. Mesfushori i talentuar nga Kongo, që prej muajsh është në qendër të interesimit të disa klubeve, mbetet një prej elementëve më të kërkuar të Tiranës në merkato. Interesimi është konkret, madje në zyrat e klubit bardheblu janë paraqitur edhe ofertat zyrtare.

Goztepe në Ligën e Parë turke dorëzoi kërkesën te Tirana, sipas të cilës janë të gatshëm të paguajnë 350 mijë euro për kartonin e Merveille. Klubi nga Izmiri është i predispozuar që pagesën ta realizojë në formë paradhënie, ndërsa në rast se Tirana pranon, janë shprehur të gatshëm të nisin menjëherë procedurat ligjore për transferimin.

Sipas burimeve pranë 24-herë kampionëve, Göztepe i ka shtuar ofertës edhe një klauzolë, sipas të cilës Tirana do të përfitonte edhe 10 për qind nga shitja e futbollistit në të ardhmen.

Shifrat janë të rëndësishme dhe oferta përqehet nga bardheblutë, ndërsa nuk përjashtohet që marrëveshja të mbyllet prej kësaj të premteje. Një tjetër ofertë konkrete për Merveille ishte edhe ajo nga LASK Linz, skuadër që sapo u rikthye në Bundesligën austriake të futbollit.

Klubi nga Linza ofronte 300 mijë euro për kartonin, me disa klauzola që e rrisin shifrën në bazë të paraqitjeve të futbollistit, por edhe arritjeve të skuadrës.

Menjëherë pas ndeshjes së kthimit në kualifikueset e Europa League ndaj Maçabi Tel Aviv, te Tirana janë orë të nxehta për merkaton.

Merveille Ndockyt do të jetë xhehaviri i parë që do të shitet jashtë vendit, për ti bërë një dhuratë kongolezit që pas dy javësh feston 19-vjetorin e lindjes, por edhe për të mbushur arkat e klubit dhe siguruar financat për rikthimin e bardhebluve te lavdia./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje