Skëndërbeu, Daja: Ndeshje e vështirë, por do luajmë për “bonusin”

12 Korrik 2017, 20:01Sport TEMA

Transferta përballë Kairat Almati është një nga ndeshjet më të vështira që ka përgatitur Skënderbeu në vite te fundit në Europë. Sikur të mos mjaftonte cilësia në përbërjen e kundërshtarëve, apo edhe ndryshimi i orës mes Kazakistanit dhe Shqipërisë, ekipi që do të luajë me korçarët në turin e dytë të Ligës së Europës, është në një formë të shkëlqyer pasi gjendet në mes të kampionatit lokal.

“Kemi udhëtuar gjithë natën për të ardhur në Almati dhe kemi mbërritur në mëngjes. Sigurisht që një problem është diferenca prej katër orësh që ka Kazakistani me Shqipërinë. I gjithë grupi gëzon një gjendje të mirë shëndetësore.

Kemi një ndeshje të vështirë, sepse përveç kualiteteve që ka kundërshtari, mes të cilëve Arshavin, kanë një bonus më shumë se ne sepse janë në ritmin e duhur, pasi janë në mes të kampionatit që zhvillohet këtu, pra nuk kanë ndërprerje”, shpjegoi Daja për “SuperSport”.

Sipas tij, kjo e bën ndeshjen shumë më të vështirë, por edhe ekipi korçar do të ketë mundësi të përfitojë diçka nga ndeshja e kthimit.

“Natyrshëm që këtë vështirësi do ta kenë edhe kundërshtarët tonë kur të vijnë në sfidën e kthimit në Korçë. Është shumë e rëndësishme mënyra se si do të luajmë dhe rezultati i kësaj ndeshje, pasi përveç që të mposhtim sulmet e tyre, duhet të bëjmë sulme edhe në nga ana jonë, Në këtë mënyrë, nëse rezultati i ndeshjes së parë të jetë pozitiv, qoftë edhe barazimi, mendoj se do të kemi ne kushtet lehtësuese në Korçë falë kësaj diference prej katër orësh”, vijoi ai.

Sigurisht që Kairat shihet si favorit për t’u kualifikuar më tej, por Daja është optimist sa i përket mundësive që ka skuadra e tij dhe ka bindjen se me një lojë të vëmendshme, mund të arrihet “bonusi” që të ndihmon për të kaluar turin.

“Specifika e ndeshjeve me sistem eliminimi është që duhet të mbrohemi mirë, por kjo nuk do të thotë që të mbrohesh duke lëshuar territor. Ajo që do të kërkojmë ne është që të jemi në administrim sa më shumë të jetë e mundur në mbajtjen e topit, për të qenë sa më të sigurt në mbrojtje, por duke përdorur në të gjitha format edhe kundërsulmin sepse një gol i shënuar në fushën kundërshtare është një bonus shumë i mirë në ndeshjet me sistem eliminimi”, deklaroi Daja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje