Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ia dha meritën eksperiencës së fituar nga skuadra gjatë pjesëmarrjes në grupe para dy sezoneve për performancën mjaft të mirë të zhvilluar në Almati përballë Kairatit.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai përmendi gjithashtu ndikimin e ndryshimit të orarit, i cili tashmë sipas tij do të jetë një problem për skuadrën kazake.
“Siç e thashë dhe dje, e dinim që përballeshim me një kundërshtar të fortë. Ishim përgatitur mirë për ndeshjen dhe bëmë zgjedhjet e duhura taktike. Kemi luajtur më parë në grupet e Ligës së Europës dhe e dimë që jemi aq të fortë sa të bëjmë atë që duam në fushë. Eksperienca që kemi fituar nga grupet nga ndihmoi shumë sot.
Bëmë një lojë sipas planit, me pasa të shkurtra, dhe nuk i lejuam Kairatit hapësirë. Rezultati që morëm është i favorshëm. Dua të përsëris që ndryshimi i orës ndikoi në lojë, por tashmë kjo kthehet në avantazh për ne pasi këto kushte do t’i vuajë Kairati. Gjithashtu do të kemi mbështetjen e tifozëve dhe kemi në favor një gol të shënuar në fushë kundërshtare”, u shpreh Ilir Daja.