Trajneri i Kukësit Ernest Gjoka tregon momentin e ndalimit nga policia austriake

13 Korrik 2017, 16:15Sport TEMA

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka treguar momentin e ndalimit nga ana e policisë Austriake, ku ai dhe disa futbollistë u morën në pyetje pasi ndaj kampionëve të shqipërisë është hapur një procedim për shitje ndeshjesh.

Gjoka shprehet se gjithcka u mbyll shpejt, dhe se disa lojtarë nuk kishin pranuar që të dorëzonin telefonat.

“Kur kemi ardhur në hotel në Vjenë, jemi përballur me policinë austriake, e cila kërkonte të merrte një deklaratë nga ne, pasi ndaj Kukësit është hapur një procedim për shitje ndeshjesh. Unë, së bashku me shefin e klubit dhe tetë lojtarë shkuam në rajonin e policisë, sepse na kërkuan të bëjmë një deklarim në lidhje me çështjen.

Pasi ne nisëm të thoshim secili atë që mendonim, autoritetet austriake kërkuan të na merrnin edhe telefonat. Në këtë moment natyrisht që pati një reagim nga lojtarët, pasi ata nuk pranonin të dorëzonin celularët e tyre, me idenë që kishte një humbje dinjiteti dhe privatësie.

Menjëherë pas kësaj kërkese, unë lajmërova presidentin Gjici, i cili ndodhej në Shqipëri. Me këtë rast e falënderoj shumë, pasi mori masa direkte dhe në 23:30 u lidh me ambasadorin tonë në Vjenë. Gjithashtu na vendosi menjëherë një avokat në dispozicion dhe aty u qetësuan gjakrat, pasi asnjë nga futbollistët nuk donte të jepte telefonat.

Dukej sikur po humbnin dinjitetin e tyre dhe sikur kjo gjë nuk ishte normale. Megjithatë, unë mendoj se ishte një sjellje jo fort korrekte nga policia austriake, edhe pse duhet të kuptojmë që këto janë rregullat e këtij shteti. Ishte një moment që nuk duhet të ishte ndodhur, pavarësisht se çdo gjë u sqarua dhe shkoi në vendin e vet”, u shpreh Gjoka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje