Bonuçi-Milan është një marrëveshje në prag konkretizimi. Përveçse nga klubet, kërkimi i një akordi është pranuar edhe prej agjentit të lojtarit, Alesandro Luçi, i cili dje ka konfirmuar nisjen e bisedimeve. Kur dolën zërat e parë mbi këtë transferim u përfol për një shkëmbim kokë më kokë të mbrojtësit bardhezi me dyshen Romanjoli-De Shiljo.
Me këtë të fundit që i skadon kontrata vitin e ardhshëm dhe pa asnjë dëshirë për të qëndruar te kuqezinjtë, “Djalli” po përpiqet të arkëtojë në maksimum nga shitja e tij. Për sa i përket Romanjolit, orët e fundit drejtuesit e Milanit kanë bërë të ditur se nuk kanë në plan ta shesin.
Sipas mediave italiane, oferta e papritur e Milanit ka të bëjë me 30 milionë euro, plus De Shiljon, i cili mezi pret të largohet, teksa në Torino pretendojnë 40 milionë kesh pa asnjë futbollist si kundërpeshë. Sido që të përfundojë kjo çështje, palët kanë rënë dakord se në rast se Bonuçi i drejtohet Milanos, bardhezinjtë do të duhet të blejnë Matia De Shiljon.
Për sa i përket 31-vjeçarit bardhezi, mësohet t’i jetë propozuar edhe shiriti i kapitenit, plus 6 milionë euro në sezon. Në ambientin e menaxherëve të futbollistë qarkullojnë zëra se afrimi i Bonuçit ka qenë një nga arsyet e rinovimit të Donarumës, si një premtim i drejtuesve që pas firmës së 18 vjeçarit me kuqezinjtë.
BASHKËSHORTJA KËRKON SHTËPI
Martina Makari, bashkëshortja e mbrojtësit bardhezi, me një vizitë në Milano u ka shtuar detaje më pikante lajmeve në lidhje me transferimin e bujshëm. Zonja Bonuçi, siç thamë, është parë në Milano, ku duket se kërkon shtëpi. Pikërisht banesa e re shton edhe më shumë mundësitë për një akord në prag arritje mes palëve.
Krerët bardhezi po mendohen, jo vetëm sepse Bonuçi ka shfaqur gatishmërinë për t’u larguar, por edhe sepse në Torino nuk kanë në plan të mbajnë askënd kundër dëshirës. Bardhezinjtë kanë të gatshëm zëvendësuesin. Bëhet fjalë për Matia Kaldarën, i cili u ble nga Atalanta, ku duhej të qëndronte edhe për sezonin e ardhshëm, por me largimin e “Bonit” ardhja e tij duket në horizont si një domosdoshmëri.
Orët e ardhshme do të vendosin fatin e mbrojtësit të kombëtares italiane me Milanin që do ta priste krahëhapur një regjisor për repartin e tërhequr, pas akordit me Biljan, regjizorin e vërtetë në skemat e Montelës.