Në kërkim të një kuptimi të mirëfilltë për reformën administrative

24 Korrik 2017, 18:13Blog TEMA
Në kërkim të një kuptimi të mirëfilltë

Nga Elvis Zaimi

Qeveria ka shpallur reformën e sektorit të administratës publike në një kontekst politiko-administrativ në lëvizje, ku pas zgjedhjeve të fundit që shënuan triumfin e Partisë Socialiste, sfida e qeverisjes do të jetë më e fortë, ndërkohë që opinioni publik dhe partnerët ndërkombëtarë priten të jenë më kërkues në rezultatet e pritshme të qeverisjes së ardhshme, vecanërisht në cilësinë e zbatimit të reformave.

Këto reforma kanë dimensione të shumëfishta praktike, dhe për të qenë të suksesshme duhet të tejkalojnë objektivat e deklaruar të vënies nën kontroll të korrupsionit galopant dhe të disiplinimit nëpërmjet sanksioneve shtrënguese të nëpunësve të papërgjegjshëm të administratës publike. Shprehja e preferuar dhe e shumëpredikuar në ligjërimin politik shqiptar është se “problemet zgjidhen në institucione”, duke nënkuptuar me këtë tezën iluministe se janë “institucionet ato që ndërmjetësojnë dhe zgjidhin në mënyrën më të mirë konfliktet sociale dhe politike”, pra se institucionet janë vendi i përshtatshëm ku strukturohen jo vetëm marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve, por edhe marrëdhëniet ndërmjet faktorëve të pushtetit politik dhe ekonomik, thënë ndryshe e vetmja sjellje legjitime në demokraci është sjellja institucionale.

Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe, sepse sistemi ynë ligjor nuk është ai një demokracie të organizuar por i shpërndarjes informale të pushtetit në mekanizmat e aparatit shtetëror, ngrehina institucionale dhe vecanërisht pushteti gjyqësor i të cilit nuk janë të ndërtuar mbi parimin që predikon barazinë thelbësore para ligjit. Pra sistemi ynë ligjor nuk është i paanshëm dhe si i tillë është i pabesueshëm, pra jolegjitim. Përfaqësimi i dobët që i bëhet interesit qytetar brenda institucioneve e ka shkurajuar qytetarin e thjeshtë, I cili për të aksesuar të mirat dhe shërbimet publike ndjehet i detyruar të përdorë mjete informale, përfshi edhe korrupsionin, ndonëse nuk e miraton fenomenin.Pabarazia ligjore dhe sociale e perceptuar gjerësisht në shoqërinë shqiptare, dhe e pasqyruar në shprehjen se “pas cdo të pasuri fshihet një shkelës i ligjit dhe përvetësues i pasurisë publike”, vazhdon të jetë terreni pjellor mbi të cilin lulëzon psikologjia që e favorizon korrupsionin, ndërkohë që gjykatat dhe prokuroria janë të paafta për të ndërhyrë dhe ndaluar kapjen e shtetit nga pushtetet informale.

Institucionet administrative, sëbashku me pushtetin gjyqësor, janë pjesë e sistemit ligjor të vendit, dhe në këtë drejtim ndërtimi i një sistemi ligjor të paanshëm është pa mëdyshje një faktor përcaktues për mirëqeverisjen e vendit dhe për të garantuar suksesin e reformave. Por në terrenin praktik të jetës, për pjesën më të madhe të popullit shqiptar është mëse e qartë se ligjet e shkruara, rregullat, dhe strukturat formale të institucioneve të shtetit shqiptar nuk e shpjegojnë sjelljen e agjentëve socialë dhe të aktorëve politikë, d.m.th institucioneve u ka munguar besueshmëria, dhe në mjaft raste edhe serioziteti, duke u shfaqur   të paafta dhe të pamotivuara që të sjellin vetë ndryshimet që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Nga ana tjetër hapja e vendit ndaj Evropës i ka bërë shqiptarët të besojnë se meritojnë standarte jetese të krahasueshme me ato të vendeve te zhvilluara. Vetë reforma në drejtësi është dëshmi e faktit se nëse konsensusi mbi mungesën e besueshmërisë së institucioneve rritet, shoqëria dhe shteti i nënshtrohet një procesi të de-institucionalizimit dhe ri-institucionalizimit, d..m.th organet e vjetra të qeverisjes së magjistratëve tashmë do të zëvendësohen me institucione të themeluara ex novo, me një identitet të ri.

Nevojitet të kapërcehet “hendeku” që ka ekzistuar historikisht ndërmjet politikave formale dhe sjelljes reale të institucioneve, sepse brenda këtyre të fundit kanë munguar strukturat realisht të interesuara për të kuptuar dhe përfaqësuar interesat e kategorive të gjera të qytetarëve.Nga kjo perspektivë historike, në kërkim të një kuptimi autentik për platformën e reformës në administratë, duket e përshtatshme që në rastin e Shqipërisë të mbështetemi te koncepti  i sociologjisë historike i quajtur “institucionalizimi historik”, i cili në mënyrë të thjeshtëzuar nënkupton se trashëgimia historike jo vetëm i ka dhënë formën aktuale administratës publike që kemi, por përcakton edhe shtegun e suksesit të reformave që dëshirojmë të ndjekim, d.m.th se “e shkuara ka rëndësi sepse influencon ngjarjet e të ardhmes”.

Në këtë kuptim, nëse përpjekjet për reformim do t’i kqyrnim nga këndvështrimi i trajektores historike të institucioneve të administratës shqiptare, që na i ofron shpjegimet shkakësore të fenomeneve administrative në tërësi dhe për periudha të gjata kohe, dhe jo sipas prioriteteve të ditës, më duket se, përvec zbatimit të paanshëm të ligjit nga institucionet shtetërore, objektivat e vërtetë të reformës janë kthimi i legjitimitetit dhe krijimi brenda institucioneve i një kulture organizative të modelit perëndimor.

Duhet gjithashtu të lihet pas modeli i vjetër i institucionalizmit, i hedhur poshtë që në vitet 50-60 të shekullit të kaluar nga “revolucioni beheavour-ist”, që argumentonte se për të kuptuar dhe shpjeguar rezultatet që synon sjellja e aktorëve politikë, analiza duhet fokusuar në shpërndarjen informale të pushtetit dhe jo vetëm në atributet formalo-ligjore të institucioneve. Në rastin e Shqipërisë shpërndarja informale e pushtetit ka rrënuar konceptin organik të shtetit dhe e ka vendosur këtë të fundit në një pozicion të pafavorshëm për të mbrojtur interesin publik. Dialogu racional politik që karakterizon dialektikën demokratike, i aftë të prodhojë ndryshimin e dobishëm në interes të qytetarëve thuajse mungon, ndërkohë që   brenda institucioneve ajo që ka rëndësi për të mbijetuar është luajaliteti ndaj titullarit, dhe i vetmi parim i vlefshëm kushtetues me rëndësi praktike është “negocimi” nën trysninë e ndërkombëtarëve.

Korrupsioni në administratë nuk është thjesht shfaqja e tij e dukshme e mitëmarrjes nga nëpunësi i pandershëm dhe abuziv që plotëson rrogën “e pamjaftueshme” që i jep shteti, por tipari i tij më i rrezikshëm është kur ai shfaqet në formën e “klientelizmit politik”. Ky klientelizëm ka atrofizuar frymëmarrjen demokratike të kulturës së brendshme organizative të institucioneve, ku në krye të tyre janë kooptuar persona me kredenciale të dyshimta profesionale dhe etike, por, të emëruar si “political proxy”, dhe të gjendur nën varësinë dhe trysninë e atyre që i kanë emëruar,  përfundojnë më pas në komisionerë dhe përmbarues të aferave korruptive. Organet kolegjiale të këtyre institucioneve veprojnë në mjaft raste me mentalitetin e një “klubi”, i cili vë në zbatim me përparësi marrëveshjet e bazuara te lidhjet personale informale, dhe jo te procedurat transparente që sigurojnë përfaqësimin e interesit qytetar.

Sipas një studiuesi të njohur Scott “Një pjesë e madhe e fenomenit të quajtur korrupsion nuk është gjë tjetër vecse ndikimi jashtëinstitucional i njerëzve me pushtet ekonomik mbi sistemin politik”. Kjo shprehje i shkon fort për shtat dinamikës së stërzgjatur të “tranzicionit shqiptar”, i cili më shumë sesa një tranzicion politik drejt një demokracie të bazuar në ekonominë e tregut, është shfaqur si një ‘tranzicion ekonomik” i mënyrës së shpërndarjes së privilegjeve ekonomike nën kontrollin shtetëror, duke vënë në rrezik kohezionin dhe paqen sociale. Kushtetuta shqiptare, por edhe përvoja e zbatimit të saj pas ndryshimeve të vitit 2016, dëshmon se janë forcat politike ato që projektuan dhe i njohën vetes titullin juridik të ndërtojnë institucionet që do të zbatojnë reformën në drejtësi, dhe reformat e tjera që kushtëzojnë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Për rrjedhojë, është edhe logjike që këto forca të kenë edhe mundësinë të ndërtojnë për veten e tyre avantazhet që u nevojiten për betejat e ardhshme politike, duke interpretuar reformën jo sipas kahjes së interesit kombëtar, por që rezultatet e reformës të jenë të favorshme për ta, dhe ku “lojtarët me të drejtë vetoje” do të përpiqen ta mbajnë pushtetin me cdo mënyrë të mundshme. Nëse kjo do të ndodhte,sic është vërtetuar në vende të tjera të rajonit, si p.sh. Rumania, rezultatet e reformës do të conin drejt një “stabiliteti të ri” që riciklon “të pushtetshmit e vjetër”, ndërkohë që ajo që pritet nga reformat institucionale është korrigjimi cilësor i tipareve negative të trashëguara nga eksperienca historike e funksionimit të tyre. Ndryshe nga vendet me një demokraci normale, ku beteja e mirëfilltë politike zhvillohet para miratimit të një ligji, reforma në drejtësi u miratua me unanimitet në parlamentin shqiptar nën trysninë e ndërkombëtarëve, por sic duket, beteja reale do të jetë ajo e vënies të saj në zbatim, ku përjashtimet invididuale nga parimi i barazisë para ligjit dhe trajtimet preferenciale, si pjesë e traditës tonë politiko- administrative, ka rrezik të tolerohen përsëri, në varësi të pushtetit informal që zotëron cdo aktor i përfshirë.

1 komente në “Në kërkim të një kuptimi të mirëfilltë për reformën administrative”

  1. Pal Gjoka says:

    Bukur eshte trajtuar per reformen ne administrate,por vetem te jeshe pjese e saj apo te keshe pune me administraten poltike atehere e kupton kush eshte ajo.Eshte mbushur me njerez partiak pa arsimin e duhur apo pa arsimin e larte dhe vetem se eshte i LSI eshte ne drejtor,shef apo specialist.Si e kupton ai hallin e qytetarit se ai eshte mesuar u befte pa punuar .Sorollatjet tona per te kryer pune ne zyrat e shtetit jane pa fund.Me kishte vdeke babai para 2 muajsh dhe shkoj per tu interesuar per shpenzimin e varrimit jo vetem qe nuk kishte kaluar por nuk gjendeshin dekumentat.Une rri jashte dhe nuk jam mesuar me te tilla sorollatje po keta te shkretet qe rrine ne shqiperi qa heqin nga keta gjak pires.Por kur shikoje nje person qe eshte pushuar nga puna ne tatimet per shperdorim detyre dhe korrupsion dhe ishte punesuar nga lsi si prurje e re ,gjithe jeten drejtor i pd tani prurje e re e lsi.turp,turp.Jemi lodhur shume sa e mendojme shume kur nisem per shqiperi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje