Krushqit teknikë kanë "ngrirë"

1 Gusht 2017, 19:41Politika TEMA

Nga Astrit Patozi

Shumica e demokratëve janë të mërzitur me mbijetesën e sforcuar e ministrave teknikë në qeverinë e Edi Ramës, ndonëse zgjedhjet kanë më shumë se një muaj që kanë mbaruar. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë se për çfarë shërben kjo bashkëjetesë paqësore nën të njëtën çati me Noriegën e shtetit të narkotrafikut, ndërkohë që po u thuhet se duhet të përgatiten për një dimër të fortë në opozitë.

Ka pasur shumë justifikime deri tani për ta përligjur “qëndresën” e tyre në shtëpinë e kundërshtarit, por asnjëri prej tyre nuk bind kërkënd. 

Më i “qëlluari” ngjan të jetë ai i Lulzim Bashës, sipas të cilit ata do të largohen, kur të mbarojnë së përpiluari raportet. Ndonëse asnjëherë nuk është thënë se për çfarë gjetjesh apo raportimesh bëhet fjalë. Dhe se çfarë zbulimesh për të demaskuar zgjedhjet e vjedhura dhe të blera mund të priten, ndërkohë që vetë Partia Demokratike, në dirigjimim e personalizuar të Bashës, nuk ka bërë asnjë denoncim, si gjatë fushatës, ashtu edhe ditën e votimeve.

Përgjigjen më të mirë atij ia kishte dhënë Artan Fuga, në një analizë ironike, ku e vërteta dhe groteskja rrinin shumë mirë bashkë. Ndaj edhe nuk po i shtoj gjë, sepse kam frikë se e prish.

Por ka edhe një pretendim tjetër, sipas të cilit, edhe ministrat e LSI-së nuk po ikin, ndaj nuk ka arsye përse të nxitojnë këta tanët.

Pyetja e parë që të vjen ndërmend është se kur na qenka shndërruar LSI-ja në një model, që duhet ndjekur për Partinë Demokratike?

Por më e rendësishmja, duam apo nuk duam ne, ministrat e Ilir Metës në qeverinë e Edi Ramës kanë status tjetër. Jo thjesht se nuk janë teknikë, si këta tanët. Por se janë në vijim të një marrëveshjeje 4-vjeçare, e cila skadon në shtator.

Të mos harrojmë se vetëm një muaj e gjysëm më parë LSI ishte ende mazhorancë.

Në opozitë e nxori marrëveshja e 18 majit, kur ajo u zbatua përpikmërisht më 25 qershor. 

Natyrisht, edhe ata mund të dorëhiqeshin, sepse ka ndryshuar shumë konteksti politik pas zgjedhjeve. Por nëse ikja apo qëndrimi i tyre mund të hajë debat, kjo rezistenca e teknikëve tanë në qeverinë e Partisë Socialiste nuk ka ku mbahet gjëkundi.

Në këtë pisk vape të gushtit, ajo i rrit më shumë temperaturat, edhe pa këtë të ndezura, në çadrën e Partisë Demokratike.

Dhe kam bindjen e plotë, se pas asaj humbjeje dërrmuese në zgjedhjet e 25 qershorit, dhe sidomos pas farsës së demaskuar tashmë të 22 korrikut, “ngrirja” i ministrave teknikë në kabinetin e Edi Ramës, do të jetë një tjetër rekord negativ në CV-në e sfilitur politike të Lulzim Bashës.

3 komente në “Krushqit teknikë kanë “ngrirë””

  1. Populli says:

    Mire Rama na qenka Noriega i narkotrafikut sipas teje o Patos fatosi, po Noriega i Republikes se Lazaratit kush ishte? Kete pse nuk e thua o Ish Nenkryetar i PD?

  2. Peço says:

    Ore lumëmadh, nuk ke me çfarë merresh ti? Mirë ne që jemi pensionist dhe e kemi për të kaluar kohën marrjen me politikë, po ti çfarë ke? Apo je politikan ti!!!! A pika në bythë thuaj…

  3. timo says:

    Eh mor Patoz. Të kujtojshim për as por na paske qen pras nga ato të Lushnjës tip Tritani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje