Për ata tashmë, “kalvari i vuajtjeve” në zgjedhje kishte përfunduar… por prapëseprapë, sapo i’u jepej mundësia, humbësit mundoheshin të na habisnin! Ata ende nuk e kuptonin se ishin vite dritë larg fitores dhe të “përgjumur” por me sy hapur, vazhdonin ëndrrën që i’a shiti me të “lirë” kryetari… ndaj u duhej një e “shkundur” që të zgjoheshin! Mirëpo, nuk mu desh shumë të kuptoja, se budallai këtu paskam qenë unë, sepse ata kishin qenë zgjuar me kohë dhe e kishin realizuar ëndrrën e tyre: Humbjen e radhës… me çdo kusht!
Sipas gjykimit tim, çdo sfidant, hynë në fushën e betejës për të ngadhënjyer, për të fituar, por me sa duket, ata as që e paskan menduar “gomarllëkun” që mendoja unë! Për ata, të fitosh qenka me të vërtetë “blasfemi”! Këtë, jo se e them unë, por e daklarojnë vetë me euforinë që i ka kapur, duke shtruar bankete për sfilitjen, që kishin pësuar nga të bërit fushatë për të humbur.
Aq të lumtur ishin, sa që nuk pritën as të thahej boja e vendimit të humbjes, por nxitimthi vrapuan të zgjidhnin udhëheqësin. Askush nuk do ta çonte nëpërmend, se ata do zgjidhnin “kompetentin” e humbjeve, atë që ka dhënë prova të pakundërshtueshme, se është mjeshtër për t’i dërguar në dështim, madje është aq i talentuar sa nuk e ka për gjë t’i drejtoi deri në gremisje, të gjithë ata që kërkojnë ta kenë si udhërrëfyes.
Respekt për ata që nuk e votuan dhe keqardhje po për ata që e votuan dhe që u tradhëtuan “ndër vedi”… nga “demohumbësit”. Nuk njoh asnjë rast në politikën e kohës që jetojmë, që një politikan “llotarie”, siç është “kompetenti” i humbjeve, të udhëheqë një forcë politike nga një humbje në tjetrën dhe të rikonfirmohet udhëheqës, si ata të viteve të diktaturës…unanimisht!
Retorika dhe fjalimet e tij shabllone, pa asnjë lidhje me realitetin, e bëjnë edhe më qesharake situatën politike në partinë e “kompetentit” të përgjumur. Akoma pa e ditur se ku është dhe çfarë ka ndodhur, i gëzohet fitores së rreme, si fëmija tullumbaces, që e kujton për top! Iniciativat e tij çadriste për revolta, pa asnjë motiv dhe të dala boje, e bëjnë edhe më të zymtë të ardhmen e “kompetentit” dhe ndjekësve të tij.
Protesta “uragan” me bidona uji, ku më shumë ishin pjesëmarrës nga mediat se sa protestues, treguan qartazi për ata që kanë sy e shohin, se Partia Demokratike tashmë është kthyer në një relike. Nuk besoj se ka ndokush ndonjë dyshim apo paqartësi, që nuk e bind, se Partia e qeverisjes popullore, demokratike (demos-popull dhe kratos-shtet, qeverisje), është zëvëndësuar nga partia e “demohumbësve”.
Askush nuk u ka faj atyre që duan vetëm të humbasin, por sa faj kanë bërë ata që duan të fitojnë?! Për të qenë korrekt, të dy palët kanë bërë faje dhe dëme. “Demohumbësit” zgjodhën atë që kanë pëlqyer dhe u shijon gjithmonë, ajo që për çdo njeri është e hidhur, por për ata e ëmbël mjalt, sepse kanë humbur nuhatjen dhe perceptimin e gjërave dhe këto janë fajet e tyre. Ndërsa të dytët, pra ata që duan të fitojnë, i përkasin një grupi tjetër, atij të “demokomunistëve”, që kanë shkaktuar aq shumë dëme sa nuk i’a shlyen dot koha.
Të ardhur nga zyrat e rendit të përmbysur, nxituan të ndërronin xhaketat, por ndërruan mëngët e jakat dhe kurrë nuk u bënë demokratë, por mbetën ato që ishin, demokomunist… komunist për “popullin”. Të drejtuar nga një prej figurave më të dyshimta të sistemit komunist dhe sipas shumë gjasave dhe provave, i vendosur në krye të partisë së ëndrrave për demokraci me një mision të errët, kryetari demokomunistë, në pak vite e ktheu vendin në një diktaturë të re dhe gati sa nuk e shkatërroi atë nga provokimet për nisjen e një luftë civile, “klasore” të ngritur mbi patologjinë e një përplasje të retorikës raciste lokale, Jugu do pushtoi Veriun, e Veriu do të shkrumboi Jugun. Në fakt, armatosja e popullsisë, ishte një luftë civile e pa deklaruar.
Pasojat e saj, kanë lënë mijëra të vrarë dhe po ndjehen edhe sot. Kjo është arsyeja, që njerëz të friksuar apo të kërcënuar nga ata që mund kenë një pistoletë, mbajnë armë të ftohta që mund të sigurohen me lehtësi, me justifikimin për t’u vetmbrojtur, por që shpesh herë përfundojnë në tragjedi. Misionin që u ishte ngarkuar “demokomunistëve”, tashmë po përfundon, e ndaj janë të shqetësuar. Partia në dorë të “kompetentit” dhe “demohumbësve”, është kthyer në një OJQ, që në vendin tonë, si ajo ka me “lopata”. Ndaj Partia Demokratike, tashmë duhet të lind, sepse po të kthesh sikur vetëm pak kokën prapa, e kupton që ajo… as që ka ekzistuar!
Përrallat e ish-drejtuesve dhe drejtuesve të kastës së vjetër të “demokomunistëve”, që ishin “persekutuar” duke studiuar, diplomuar, lauruar në auditoret e unversitetit të Hoxhës, janë vetëm anekdota mashtruesësh. Ata janë vetëm persekutor, që kryen një krim tjetër, duke vjedhur statusin e atyre… vuajtësve të vërtetë. Por pa hezitim duhet të pranojmë, se jemi vendi i çudirave, e me një popull të çuditshëm.
Vendi ka nevojë për një të djathtë, që të mbroi interesat e të djathtëve dhe jo një grupim politik, që i’a kalon partive komuniste me ato që deklaron dhe kërkon ashtu siç e kishim. Ndaj nuk ka kohë për të humbur! Të ndalohet promovimi i bijëve të etërve “demokomunistë” pagator, që uzurpojnë karrige parlamenti, duke i bërë “demohumbësit” më qesharak dhe fyes për demokratët. Brezi i ri demokrat apo ai i djathtë, nuk duhet të hesht, por duhet të lëviz… për një udhëheqësi të vërtetë, që do të ishte pjesë e domosdoshme si opozitë apo pozitë në strukturën e një shtet demokratik, për të realizuar atë që duam prej vitesh : Një Shqipëri si gjithë Europa.
Nuk i heq nji pike Anri!
Na recito dhe nje vjershe tjeter, o kokoroshi Rames ..