Edmond Spaho nxjerr bllof Bashën për largimin e ministrave teknikë

10 Gusht 2017, 11:32Politika TEMA

Kanë kaluar 35 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme dhe ministrat teknikë nuk e kanë përfunduar ende raportin për parregullsitë. Dorëzimi i gjetjeve të tyre do të shënonte edhe fundin e mandatit, siç deklaronte Lulzim Basha më 26 korrik, i pyetur nga gazetarët, pas një takimi me deputetët e rinj.

Gazetarët: Kur do ti tërhiqni ministrat?

Basha: Ministrat po përfundojnë raportin dhe menjëherë pas kësaj më kanë informuar se kanë bërë gati doreheqjen e tyre.”

Por a është realisht raporti për zgjedhjet që i mban në detyrë ministrat e PD –së? Apo qëndrimi i tyre në postet ministrore, ndërkohë që PD është deklaruar në opozitë, është pjesë e paktit të fshehtë të 18 majit mes Ramës dhe Bashës?

Nënkryetari i PD –së Edmond Spaho, në një reagim pasi Fatmir Mediu i Partisë Republikane deklaroi se me mbajtjen e ministrave Basha po e kompromentonte opzitën dhe po e bënte qesharake, tha disa të vërteta të tjera nga ajo e Bashës.

Edhe pse reagimi ka doza naiviteti mbi kërkesën e aleatit që “Basha të shkëpusë lidhjet me Ramën”, në reagimin e tij Spaho pranoi se ministrat nuk mund të tërhiqeshin para emërimit të ministrave të tjerë, pra para shtatorit.

“Spaho: Te them te drejten nuk arrij te kuptoj insistimin e shume veteve qe ministrat teknike duhet te ikin sot ose duhet te kishin ikur dhe se kjo eshte kauza e opozites. Argumenti qe duhet te pergatisin raportin per parregullsite ne zgjedhje mund te ishte i mjaftueshem por edhe ne se jo, ministrat jane te detyruar te rrine ne detyre deri sa te vije ministri pasardhes qe do te thote deri ne fillim te shtatorit 2017.”

Në këtë mënyrë Edmond Spaho pranon se edhe sikur raporti të kishte përfunduar, ministrat e Bashës do të vazhdonin të qëndronin në qeverinë e Ramës, derisa të betohej qeveria Rama 2. Do të mjaftonte që këtë qëndrim Lulzim Basha ta kishte shprehur që ditën kur e ngjizi bashkëqeverisjen me Edi Ramën për të mos krijuar keqkuptime me aleatët dhe për të mos prodhuar reagime si ky i Spahos, i cili jo vetëm e nxjerr bllof kryetarin që kërkon ta “mbrojë” nga Mediu dhe aleatët e tjerë që e mendojnë si kryetari i PR, por edhe e relativizion çështjen deri në banalitet.

“Nuk me duket ndonje sakrilegj kaq i madh ne se ata do te rrine deri ne fillim te Shtatorit. Ne se kauza e opozites dhe aksioni i saj ne kater vitet e ardheshem varet nga fakti qe ministrat teknike ikin ne 1 Gusht, 15 Gusht apo 1 Shtator kjo me shume duket si paaftesi e atyre qe shkruajne per te sugjeruar nje aksion opozitar se sa paaftesi e PD apo e Lulzim Bashes per tu orientuar ne kushtet aktuale duke mos terhequr ministrat teknike. Cfare do ndryshoje nese ministrat teknike do kishin ikur ne fund te Korrikut, ne Gusht apo ne fillim te Shtatorit? Cfare bonusi do perfitonte opozita nga kjo? Arsyetime te tilla duken si lodra fjalesh te atyre qe nuk kane cfare te sugjerojne ose qe nguten dhe mendojne se ne fund te Shtatorit qeveria e Rames do bjere.”

Aleatët i kërkojnë Bashës të sqarojë sa më parë qëndrimin e tij ndaj Ramës, ta bëjë të qartë pozicionin e tij si udhëheqës i një opozite, që Edi Ramën e ka parë për 4 vjet me radhë si njeriun e lidhur me bandat e drogë dhe të krimit, kryeministrin e një prej qeverive më të korruptuara në vend, mbrojtjësin e koncesioneve miliona euroshe të Ilir Beqes dhe të Sajmir Tahirit që PD e konsideronte deri para zgjedhjeve si njeriun që mbante të lidhura fijet e Ramës me narkotrafikantët.

Nuk ka qenë pjesë e shqetësimit të aleatëve apo kritikëve të Lulzim Bashës në kampin e djathtë kalkulimi i ditëve të qëndrimit të ministrave të PD në qeverinë Rama, por fakti se duke qenë pjesë e qeverisë, opozita do të vazhdojë të mbetet pa zë si gjatë ditës së zgjedhjeve dhe se po e humbet seriozitetin dhe besueshmërinë. Justifikimet se koha e largimit ka të bëjë vetëm me një raport për zgjedhjet bëhet akoma më i pabesueshëm kur edhe vetë Edi Rama, që publikisht ka kërkuar dy – tre herë largimin e “teknikëve” e ka kyçur gojën javët e fundit, duke e bërë më të besueshëm versionin se qeverisja me PD –në deri në shtator, ka qenë pjesë e marrëveshjes së fshehtë që ai bëri  me Bashën natën e 18 majit.(Lapsi.al)

2 komente në “Edmond Spaho nxjerr bllof Bashën për largimin e ministrave teknikë”

  1. Bushi says:

    Ne te semes vafshin ministrat teknik bashke me gjithe Bashen e Spahomutin.

  2. Peço says:

    Fatmir Mediu rri tërë kohën me gjak të ngrirë, për bëmat e tij në lidhje me shitjen e armatimeve me Divrolin dhe tmerrohet nëse amerikanët kërkojnë qëndrimin e ministrit të brëndshëm në detyrë. Tërë shqetësimi i tij ka lidhje vetëm me ministrin e brëndshëm. Ka edhe frikën tjetër lumëmadhi, se mos ndoshta Berisha merr garanci për vehte dhe djalin duke ja futur sa krahu Mediut. Ky duhet të jetë shkaku, besoj, i Fatmir Mediut në lidhje me qëndrimin e ministrave në detyrë, nuk i beson fare lumëmadhi Bashës dhe Berishës. Sa për arsyet që paraqet Spaho, ato duken më se logjike. Asgjë nuk ndodh nëse ministrat qëndrojnë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Kjo në fund të fundit tregon seriozitet dhe asgjë tjetër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje