Edhe shqiptar, edhe normal: Mediat zvicerane zbulojnë një komunitet simpatik

15 Gusht 2017, 16:41Sociale TEMA
Edhe shqiptar, edhe normal: Mediat zvicerane zbulojnë një komunitet

Të urryer me dekada, shpesh të stigmatizuar nga mediat, shqiptarët në Zvicër kanë qenë komuniteti më i panjohur dhe me i izoluar. Gjatë kësaj vere disa media zvicerane kanë zbuluar anët simpatike të komunitetit shqiptar.

Nga Enver Robelli

Shoferë të rrezikshëm, tregtarë droge, vrasës për një vendparkim, keqpërdorues të ndihmave sociale, mashtrues: me këto epitete kanë (mbi)jetuar me dekada shumë shqiptarë në Zvicër. Fjalët «Albaner», «Kosovo-Albaner», «Kosovare» kanë pasur dhe aty-këtu ende kanë konotacion negativ. Nganjëherë mediat zvicerane mund ta kenë tepruar me dramatizim dhe alarmim të opinionit, por e vërteta e hidhur qëndron: një pakicë agresive e shqiptarëve të Zvicrës vërtet janë kujdesur të japin një kontribut të çmendur për të prishur imazhin e tërë komunitetit.

Me gjasë nuk ka fushë të krimit ku shqiptarët s’kanë luajtur një rol – herë prominent, herë ndihmës. Kjo situatë është shfrytëzuar sidomos nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP) për fushata të orkestruara kundër shqiptarëve, të cilët janë portretuar si njerëz që problemet i zgjidhin vetëm me dhunë.

Duket se edhe mediat zvicerane janë lodhur nga ky diskurs. Rrjedhimisht, sidomos sivjet gazeta bulevardeske «Blick», e cila dikur i ka prirë fushatës antishqiptare, dhe portali «Watson» kanë dërguar gazetarë në Kosovë për të përshkruar vendin dhe njerëzit. Vera është stina e duhur për storje të tilla, sepse gjatë korrikut dhe gushtit Kosova vlon nga diaspora. Në rrugë mund të shihen veturat me targa të të gjitha kantoneve zvicerane, në restorante shtohet numri i mysafirëve, pronarët e salloneve të dasmave fërkojnë duart nga gëzimi, shitësit e benzinës po ashtu.

«Blick» dhe «Watson» janë përpjekur të sjellin para lexuesit zviceran një Kosovë normale, një Kosovë, ku shqiptarët e Zvicrës kthehen, hapin vende të punës, sjellin një etikë tjetër të punës. Shumica e rrëfimeve nuk janë të reja, disa madje janë botuar aq shpesh në mediat zvicerane viteve të shkuara, saqë përsëritja nuk i bën më origjinale.

Sidoqoftë, seria e shkrimeve të fundit në mediat zvicerane tregon se shqiptarët po depërtojnë në jetën publike të Zvicrës. Në shkallët sociale ata po ngjiten më shpejt se ç’është pritur, siç e konfirmon edhe eksperti i çështjeve të integrimit, Thomas Kessler, në një intervistë me portalin «Watson». Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për futbollistët që popullojnë kombëtaren e Zvicrës. Kessler e krahason procesin e integrimit të shqiptarëve në Zvicër me atë të italianëve. Edhe ata në vitet 60-të dhe 70-të të shekullit të kaluar vuanin nga imazhi i keq. «Sicilianët konsideroheshin si djem me thika, të cilët s’mund të kontrollojnë veten, u fishkëllejnë grave, janë dembelë dhe vjedhin. Ekzistonte frika se ata do të infiltronin Zvicrën me katolicizmin e tyre – ose madje do të sillnin këtu komunizmin. Sepse shumica e punëtorëve të ndërtimtarisë nga Italia ishin të majtë».

Tani për italianët në Zvicër flitet vetëm me tone pozitive. Kjo fazë ka filluar ndërkohë edhe për shqiptarët. Përfundimi i luftës në Kosovë, shtendosja e gjendjes së përgjithshme në rajon, pavarësia e Kosovës kanë ndikuar që shqiptarët e Zvicrës të mos mbesin të lidhur pashkëputshëm me vendin e prejardhjes. Gjithnjë e më shumë njerëz e shohin Zvicrën si vend ku duan të jetojnë, të bëjnë karrierë, të investojnë, të hapin biznese, të shkollohen. Shqiptarët nuk janë më ata punëtorët e heshtur të ndërtimtarisë si në vitet ’70, as refugjatët e viteve ’90.

Megjithatë, një problem konstant mbetet, siç nënvizon Kessler: «Konflikti i Kosovës nuk është zgjidhur ende. Kosovarët e Zvicrës i ndiejnë problemet në vendin e tyre të origjinës dhe gjenden nën presion moral për t’i përkrahur të afërmit e tyre në vendlindje. Kjo pashmangshëm shkakton tensione». Dikush lodhet duke dërguar para në Kosovë, e ndokujt i villet. Mbase për shkak se ka ngrënë diçka të pangrënshme.

5 komente në “Edhe shqiptar, edhe normal: Mediat zvicerane zbulojnë një komunitet simpatik”

  1. Baliu says:

    Enver Robelli ka vendosur qe ‘Sommerloch”-in (mungesen e ngjarjeve te rendesishme politike gjat veres per shkak te pushimeve) ta mbushe me ‘Worthuelsen’ (me fjale te zbrazta), pra dushk per gogla (business as usual).

  2. Filan says:

    Zvicra: 8 milione fryme, 4 gjuhe, francezet e gjermanet kane pertuar t’i hipin malit per t’i pushtuar. Prodhojne ore, cokollata, ilace, instruktore skish dhe bankiere legena.
    Trojet shqiptare: 6 milione fryme, 1 gjuhe, pushtuar nga te gjithe gjithe kohes. Prodhojne domate, djathe, baker, kepuce, hashash, robote per Call Center dhe gangsterra.
    Po ta mendosh holle-holle shqiptaret jane me te dobishem per njerezimin.

    1. Kellira says:

      @filan shqiptar i rendomte ke per te mbetur me keto perfundime. Hape pak mendjen.
      Zvicra eshte nja nga qendrat me te rendesishme te kerkimit shkencor ne Europe. Ka 25 fitues te cmimit Nobel e kushedi sa cmime te tjera ne cdo fushe.
      Mos e mendo kaq holle me ate hollesine shqiptare. Mendoje pak me trashe se perndryshe fluturojme me presh ne b… ne shqiptaret.

  3. vang says:

    Te gjitha vendet vuajne per lajme te fresketa ne periudhe pushimesh.Edhe te thuash se Robelli tha ndonje gje te keqe per SHQIPTARET MUND EDHE TE MOS NA PELQENTE POR FATMIRESISHT NUK NDODHI.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje