Merreni më seriozisht çështjen e opozitës!

20 Gusht 2017, 19:33Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Një nga dëmet e mëdha që ju bë opozitës këto katër vite, ishte fakti që nuk u bë dot e besueshme. Akuzat e tjera nuk qëndrojnë. Nuk qëndron akuza që nuk pati aksione opozitare. Denoncimet e Sali Berishës si “qytetar digital” për katër vjet mund të thyejnë rekord historik, jo vetëm sa u takon broçkullave, por dhe sasisë.

Aksione opozitare po ashtu pati. Po të kthehemi pas në kohë do të kujtoheni se si opozita filloi të bëjë opozitë për çdo VKM, për çdo ristrukturim administrate, për çdo ligj. Biles nëse ju kujtohet filloi me protesta edhe për furgonat 8 plus 1, vazhdoi me armët kimike dhe nuk la aksion opozitar pa ju ngjitur pas. Por problemi i saj ishte se nuk ngjiti dot tek njerëzit.

Arsyeja është se kur del në opozitë pas tetë vitesh në pushtet, ke nevojë për një moment frymëmarrjeje, qetësie, për një emër të ri që të drejtojë opozitën, për një model të ri të saj, me qëllim që të fillosh të ndërtosh besim.

Opozita jonë në vend të besimit, ka tezën se në pushtet vihet duke ngjallur mosbesim tek ata që qeverisin. Kjo në fakt është bindje e Sali Berishës. Ai ka teorinë që opozita duhet të rrijë në pritë, të gjuajë kë kalon dhe do t’i vijë dita.

Mbi këtë siguri të tij, u ndërtua lidershipi i Lulzim Bashës, i tëri mosbesues deri në fund për çdo shqiptar, por agresiv dhe rendës pas çdo kauze sociale, politike, ekonomike, patriotike, ideologjike e çfarë i dilte përpara.

Në fund të mandatit të qeverisë, rezultoi që, në vend që të rritej, opozita ra dhe më shumë. Shqiptarët thjeshtë e panë se asgjë nuk ndryshoi tek ata.

Tani po përsëritet i njëjti film. Të gjithë mendojnë përsëri se opozita ka nevojë të jetë vetëm denoncuese. Ne jemi shoqëri e lirë dhe denoncues këtu është edhe qytetari, jo ai digital por real, është edhe shoqëria civile, edhe shtypi, edhe rrjetet sociale, është padyshim dhe opozita.

Por detyra e opozitës është më e lart se kaq. Ajo duhet të përdorë realitetin për të ngjallur shpresë për ndryshim.

Për shembull çfarë shprese mund ti ngjallet njeriut në Shqipëri, kur shikon se javën e tretë të gushtit, ende pa mbushur muajin nga të qenit President, del dhe Bujar Nishani dhe thotë një broçkull të pavërtetë, siç është mundësia e rikthimit të vizave. Dakord e tha, po ja vizat nuk do kthehen. Çfarë do bëjë Nishani e kompani pas kësaj? Asgjë. Do thonë një gënjeshtër tjetër.

Meqë opozita nuk ka me se merret ka dy ditë që qarkullon një gënjeshtër, nga Sali Berisha tek Tabaku, tek Vasili , që ka ende në detyrë ministren e Integrimit dhe përfundon tek Nishani. Pra përfshihen të gjithë në një gënjeshtër me vetëdije dhe me shpresë se do ngjallin dëshpërim e do vijnë në pushtet.

Qetësohuni pak! Merrni frymë se akoma po merrni rrogë në shtet. LSI ka tetë vite në pushtet dhe akoma është. Ka kohë të mallkojë qeverinë e re, jo këtë që është vetë.

PD po ashtu ka qenë tetë vite në pushtet. Ka kohë të distancohet nga çfarë ka bërë dhe nga ata që i kanë bërë, dhe jo ta nxjerrë çdo ditë në TV për t’i kujtuar.

Duhet marrë më seriozisht çështja e opozitës dhe jo si garë për të bërë deklarata. Se tani është dhe rreziku, që çdo budallallëk ta botojnë dhe kjo është e keqe e madhe. Kuptohesh që flet kot.

Opozita duhet marrë më seriozisht, si institucion. Për t’u bërë bashkë dhe të besueshëm nuk duhen deklarata urrejtjeje nga fytyra të urryera, por fytyra, emra dhe ide që ngjallin shpresë. Janë katër vite para dhe ka kohë për të gjitha. Dikush dhe mund t’ia dalë.  Përveç këtyre që flasin dhe nuk e kuptojnë që u ka ikur koha .

 

8 komente në “Merreni më seriozisht çështjen e opozitës!”

  1. "BOHOTINA" says:

    Opozita duhet te dale te protestoje se ai Erjoni i bashkise po ngre parqe per femijet. Te shkoje dhe Nishani.

  2. Shaba says:

    Pse duhet nje opozite e sajuar? PD-ja nuk ishte e djathte natyrale dhe hiqej si opozite duke sjell trubullira alarmante sikur luftonte komunizmin nderkombetar dhe jo sajesen PPSh. Me mire pa opozitec dhe me opinion mbare-popppullor

  3. Shaba says:

    Pse duhet nje opozite e sajuar? PD-ja nuk ishte e djathte natyrale. Ajo hiqej si opozite duke sjell trubullira alarmante. Me mire pa opozitec dhe me opinion mbare-popullor, elementet negativd te pushteti te nallafaqqjen direkt me realitetin dhe median.

  4. Mentari says:

    Humbje kohe kur merresh me Opoziten dhe kalon pa kritikuar qeverine e paafte dhe kriminele qe eshte ne pushtet.jane qesharake artikujt e tuja kunder Opozites.Je bere si Juda qe u shit per 30 copa argjendi .

  5. Faro says:

    Sakte! Po a ka mbetur nje i tille atje?

  6. Qytetar says:

    Bravo si gjithmon!

  7. Fatmir Lohja says:

    Opozita eshte çorjentuar.LSI,me ministra ne qeveri, ende nuk e beson se do te dale ne opozite.Lulka, nga Hollanda ,pret ftesen per ne qeveri.Thuhet se PD e LSI,do te jene ne opozite.Edhe ne kete rast ka dale nje problem i paparashikur.Cila do te jete kryetari i opozites!?Replikat kane filluar.Bastet jane vene.Shume shpresojne tek LSI,se kryetaren e kane te re.Shume besojne tek PD se kryetari sapo eshte rizgjedhur.Ne shtator bien temperaturat . Shume do te shohim e do te degjojme.

  8. sadna babul ka bidai says:

    pershendetje e vertete per fjalet tuaj se opozita duhet te marre me seriozitet pune ne brendesi te opozitave si ne te majte dhe te djadhte me njerz te zeres se larte behet puna e paqme me autoritet per brezin e ardhshme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje