Një nga të dyshuarit për sulmet në Barcelonë ka pranuar sot para togave të zeza se një sulm më i madh ishte planifikuar, raporton BBC duke iu referuar burimeve gjyqësore.
Mohamed Houli Chemlal dëshmoi sot në Gjykatën e Lartë të Madridit sëbashku me tre dyshuarit e tjerë të akuzuar si anëtarë të celulës terroriste përgjegjëse për sulmet në Katalonjë.
Ai u paraqit i pari në gjykatë, i veshur me pizhame spitali. Mohamed Houli Chemlal është ende nën trajtim mjekësor për plagët e tij, pasi u lëndua në shpërthimin në Alcanar një natë para sulmit të furgonit në bulevardin Las Ramblas të Barcelonës.
Mohamed u plagos gjatë shpërthimit të një banese në qytetin Alcanar të mërkurën e javës që lamë pas.
Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën në një seri sulmesh në Barcelonë dhe përreth saj.
Tetë anëtarë të dyshuar si pjesë e celulës terroriste kanë vdekur, dy u vranë në shpërthimin Alcanar, dhe gjashtë u qëlluan më pas nga policia.
I dyshuari i fundit u vra në një vreshtë në perëndim të Barcelonës të hënën.
Të dyshuarit e mbijetuar u zhvendosën nën masa të larta sigurie nga Barcelona në Madrid për seancën e së martës.
Pritet që terrorizmi, vrasja dhe zotërimi i armëve të jenë ndër akuzat e ngritura ndaj të dyshuarve.
Të dyshuarit e tjerë të mbijetuar në gjykatë janë:
28-vjeçari Driss Oukabir: Ai ka deklaruar se është i pafajshëm. Pasaporta e tij u gjet në furgonin që kreu sulmin në bulevardin Las Ramblas në Barcelonë, por ai thotë se vëllai i tij Moussa, i cili u vra në sulmin në Cambrils, kishte vjedhur dokumentet e tij
Mohammed Aalla, 27 vjeç, i dyshuar si pronari i automjetit Audi, i përdorur në sulmin në Cambrils, 8 orë pas atij në Barcelonë.
Sahal al-Karib, 34 vjeç, i akuzuar për drejtimin e një internet-kafeje në Ripoll, që përdoret për të dërguar para në Marok.
Gjyqtari do të vendosë nëse do t’i mbajë të dyshuarit në paraburgim dhe do të refuzojë garancinë, siç kërkohet nga prokurori.